Sipërmarrësit e rinj do përfitojnë deri në 300 mijë lekë ndihmë; grave do t’u paguhen 50% të interesave dhe jo më shumë se 1 000 000 lekë për një kredi…
Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka miratuar skemën për dhënien e ndihmës shtetërore “Për krijimin e Fondit në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up””. Sipas raportit të botuar në Fletoren Zyrtare, skema synon të nxisë krijimin dhe konsolidimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Përfitues të ndihmës janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të regjistruara pranë QKR-së, për një periudhë nga 1deri në 2 vjet. Ndihma do të jepet ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari ekonomike në sektorët prodhues dhe të shërbimit, sektorin e industrisë së lehtë, sektorin e turizmit, fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, në procesin e agropërpunimit dhe në fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit. Ndihma do të jepet në formën e grantit dhe shuma gjithsej e ndihmës është 25 000 000 lekë.
Sipas skemës, ndihma për një ndërmarrje do të jepet për mbulimin e 70 % të kostove të pranuara, por nuk do të kalojë shumën 300 000 lekë.
Kosto të pranueshme, sipas skemës janë:
– investime në pajisje dhe teknologji për nxitjen e prodhimit/shërbimit;
– marketingu i produktit dhe promovimi;
– kualifikimi dhe trajnimi për rritjen e aftësive sipërmarrëse;
– krijim faqe interneti, publikime materiale promovuese;
– pjesëmarrje në një panair ose ekspozitë brenda apo jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues.
Skema e njoftuar do të fillojë të zbatohet në vitin 2014, dhe do të zgjasë 4 vite. Dhënës i ndihmës është Drejtoria e Mbështetjes së Sipërmarrjes në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS), ndërsa autoriteti përgjegjës për zbatimin dhe monitorimin e kësaj mase do të jetë Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Nxitja e grave sipërmarrëse
Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka miratuar edhe planin e dhënies së ndihmës shtetërore “Për krijimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse”. Përfitues të ndihmës, sipas skemës, janë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të cilat drejtohen nga gratë.
Ndihma do të jepet ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari ekonomike në sektorët prodhues dhe të shërbimit, në industrinë e përpunimit aktiv (fason), në sektorin e turizmit, në fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, në procesin e agropërpunimit, në fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit.
Ndihma do të jepet në formën e pagesës së interesave për kreditë e marra nga gratë dhe që do të përdoren për investime në biznes. Vlera gjithsej e ndihmës është 26 500 000 lekë.
Për një ndërmarrje, skema do të mbulojë 50 % të normës së interesit, për 4 vite radhazi dhe jo më shumë se 1 000 000 lekë për një kredi.
Skema e njoftuar do të fillojë të zbatohet në vitin 2014, dhe do të zgjasë 4 vite. Dhënës i ndihmës është Drejtoria e Mbështetjes së Sipërmarrjes në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS), ndërsa autoriteti përgjegjës për zbatimin dhe monitorimin e kësaj mase do të jetë Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).