Hasalami: Po synojmë fabrikat e pasurimit, të rrisim vlerën e eksporteve

03/07/2018 3:05 PM 0 komente

Mehmet Hasalami, drejtori i Programeve të Zhvillimit të Minierave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thotë se investimet e reja në industrinë minerare po orientohen në uzinat e përpunimit dhe pasurimit me aktivizimin e të cilave, vlera e eksporteve rritet dukshëm. Në një intervistë për “Monitor”, ai shpjegon planet për investime në industrinë minerare dhe perspektivat.

 

Cilat janë planet dhe politikat për zhvillimin e industrisë minerare këtë vit?

Vendi ynë është një vend i pasur me burime minerare dhe me mundësi të mëdha profesionale në këtë fushë, për t’i bërë këto burime fitimprurëse. Zbulimi, nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve, përbën një aktivitet shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

Sektori minerar ka zhvillime pozitive që kanë të bëjnë me reformimin e kësaj industrie në kushtet e ekonomisë së tregut. Aktualisht 100% e prodhimit minerar në vendin tonë, vjen nga sektori privat. Transformimi i plotë i sektorit minerar për t’u përshtatur me kushtet e ekonomisë së tregut është bazuar në aktet kryesore ligjore, si ligji nr.7796, datë 17.02.1994, ligji nr. 10304, datë 15.07.2010, të ndryshuar dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tyre. Aktualisht, në sektorin minerar, janë të punësuar rreth 7400 të punonjës, 6700 të punësuar në nxjerrjen e mineralit dhe 700 punonjës në Fabrikat e Përpunimit.

Koordinimi i programeve të minierave të vendit me politikat e integrimit të tij në BE, rivlerësimit të burimeve minerare sipas standardeve ndërkombëtare, promovimi tërësor i potencialit mineral-mbajtës, shfrytëzimi racional e me efektivitet ekonomik i mineraleve, aplikimi i teknologjive të reja, si dhe rritja e përpunimit të mineraleve në vend, janë shtyllat kryesore të strategjisë minerare për nxitjen e investimeve vendase e të huaja në sektor.

Mbështetja e industrisë minerare dhe aplikimi i lehtësive fiskale nga qeveria është një stimul shumë i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë në vend, duke ditur që kjo lloj industrie ofron punësim për numër më të madh punonjësish dhe kontribuon shumë në ekonominë e vendit.
Zbulimi, nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve përbën një aktivitet shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe krijon mundësi për shtimin e punësimit në këtë sektor. Nëpërmjet koordinimit të bizneseve të vogla, një sasi e konsiderueshme e mineralit përpunohet në vend.

Politikat e qeverisë për diferencimin e rentës minerare në bazë të shkallës së përpunimit kanë sjellë një vlerë të shtuar për ekonominë si dhe kanë ndikuar në rritjen e punësimit dhe mirëqenies. Ulja e rentës për shkak të përpunimit është një hap në nxitjen e investimeve në industrinë e përpunimit minerar.

Në zbatim të politikave të reja qeverisëse, pavarësisht se renta si përqindje është ulur, duke stimuluar uljen e rentës për mineralet e përpunuara në vend, vihet re se gjatë tri viteve të fundit është rritur ndjeshëm pagesa e rentës minerare për kromin.

 

Konkretisht, cilat janë potencialet për industrinë e kromit dhe si është interesi i investitorëve?

Depozitat kryesore dhe koncentrimet më të mëdha të këtij minerali janë në ofiolitet e brezit lindor sipas drejtimit Tropojë-Kukës-Bulqizë-Shebenik. Një zhvillim më të pakët kanë depozitimet e këtij minerali në brezin perëndimor të ofioliteve. Kromitet janë të lidhura me shkëmbinjtë ultrabazike dhe janë të vendosura në sekuenca të ndryshme gjeologjike. Nga pikëpamja gjeografike, tre janë rajonet kryesore ku janë vendosur mineralizimet e xeherorit të kromit.

a-Zona verilindore që përfshin masivin e Tropojës dhe Kukësit

b-Zona qendrore, e cila përfshin masivin ultrabazik të Bulqizës.

c-Zona juglindore, e cila përfshin masivin ultrabazik të Shebenik-Pogradecit.

Në Shqipëri, aktualisht janë 15 Fabrika të Përpunimit të Kromit, të cilat ndodhen pranë vendburimeve të kromit në zonat e Bulqizës, Batrës, Kalimashit, Burrelit, Librazhdit, Tropojës në të cilat në 3 vitet e fundit, është investuar një vlerë prej rreth 28 milionë eurosh.

Investimi prej 28 milionë eurosh për këto 3 vitet e fundit ka ndikuar në rritjen e punësimit në zonat në të cilat janë ndërtuar fabrikat. Punonjës të punësuar direkt në fabrikat e përpunimit të kromit janë rreth 700 persona.

Brenda muajit shtator fillon puna në Minierën e Kromit në Vlahën me një projekt ambicioz dhe me vlera të konsiderueshme investimi. Ky projekt parashikon një prodhim rreth 98 000 tonë/vit dhe me një vlerë investimi prej 1 300 000 000 lekë, duke realizuar përpunimin e plotë të kromit në vend. Numri i të punësuarve do të arrijë në rreth 270 punonjës.

Po kështu, për vitet 2016, 2017 është rishikuar plani fillestar i investimeve për Uzinën e Ferrokromit në Burrel, duke parashikuar investimin e një furre tërësisht të re (furra nr.1) në vend të rikonstruksionit të asaj ekzistuese, e cila ishte parashikuar në planin fillestar të investimeve.

Në fillim të vitit 2017, në zbatim të planit të investimeve, nisi dhe investimi për ndërtimin e furrës së re dhe impianteve ndihmëse, i cili arrin vlerën 9,4 milionë USD dhe që përfaqëson një vlerë gati dyfish nga angazhimet e ndërmarra nga shoqëria me marrëveshjen koncesionare.

Ky investim është realizuar tërësisht me teknologji europiane (italiane dhe austriake) dhe konsiston në ndërtimin e Furrës së re të Ferrokromit 12.5 MVA me Karbon të lartë SAF e hapur me dy vrima derdhjeje në nivele të ndryshme (metal & skorie), e kompletuar me sistemet ndihmese të furrës.

Ky investim mundëson rritjen e kapacitetit prodhues të ferrokromit në Uzinën e Ferrokromit në Burrel, duke e dyfishuar atë. Sot, falë këtij investimi, kjo uzinë do të prodhojë 36,000 ton ferrokrom në vit, nga rreth 17,000 tonë/vit që ishte prodhimi me vetëm një furrë, produkt i cili shkon 100% në eksport. Vlen për t’u theksuar që kemi të bëjmë me një produkt për eksport me vlerë të shtuar (prodhimi i ferrokromit me karbon të lartë realizohet nëpërmjet shkrirjes të rreth 3 tonë krom për 1 ton ferrokrom, ku 1 ton krom sot në tregun ndërkombëtar kushton 300 USD, ndërsa një 1 ton ferrokrom kushton rreth 1700 USD)

Ky investim, gjithashtu mundëson rritjen e punësimit në një zonë me shkallë papunësie të konsiderueshme.

Falë këtij investimi, në Uzinën e Uzinën e Ferrokromit në Burrel janë hapur 80 vende pune të reja (nga 110 që punësonte para këtij investimi, numri punonjësve shkon në 190). Paga mesatare neto në Uzinën e Ferrokromit në Burrel është 60,000 lekë/muaj.

Po industrinë e bakrit, a po e shohin me të njëjtin interes investitorët?

Vendburimet e bakrit ndodhen në ofiolitet e Albanideve, kryesisht në pjesën e sipërme dhe të mesme të kësaj sekuence. Nga aspekti gjeografik, zona më e rëndësishme e vendndodhjes së këtij xeherori është Mirdita Qendrore, ku janë shumë të përhapur shkëmbinjtë vullkanikë.

Katër tipe depozitimesh të bakrit dallohen në vendin tonë, klasifikim që bazohet në kushtet gjeologjike të formimit të trupave xeherorë, pozicionit të vendosjes së tyre me masën ofiolitike. morfologjisë, përbërjes minerale dhe gjenezës. Nga vendosja gjeografike, vendburimet e bakrit ndodhen kryesisht në zonat Has-Kukës, Pukë, Mirditë dhe më pak në Shkodër e Korçë.

Fabrika e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrës, e cila operon që prej vitit 2002, ka një kapacitet përpunues 600 000 t/v mineral.

Për arsye të përqindjes së ulët të bakrit në rezervat e mineralit që ndodhen në minierën e Spaçit, ishte domosdoshmëri ndërtimi i Fabrikës së Pasurimit të Bakrit dhe Dambës së Sterileve, me qëllim, që të bëhet përpunimi i mëtejshëm i mineralit. Kjo fabrikë po ndërtohet nga shoqëria Tete Albania sh.p.k.

Vlera e parashikuar e këtyre investimeve për fazën e parë llogaritet rreth 11.000.000 USD, por deri tani janë investuar rreth 14.000.000 USD, ndërkohë që ndikimi ekonomik për zonën e Mirditës do të jetë rreth 5-6 milionë USD/vit, ku do të hapen afro 300 vende të reja pune.

Kompania, me qëllim realizimin e këtij investimi, ka siguruar financimin, të gjitha projektet dhe miratimet e nevojshme, ka filluar punimet për ndërtimin e fabrikës së pasurimit dhe damba sterilit në Spaç. Punimet e para që ka bërë shoqëria kanë qenë për rehabilitimin e rrugës minierës.

Ky impiant është dizenjuar për të prodhuar gjithashtu edhe koncentratin e Zinkut dhe Plumbit. Kanë përfunduar rreth 90% të punimeve civile të Fabrikës dhe në mes të muajit Tetor pritet fillimi i montimit të konstruksioneve të çelikut të ndërtesës nga firma Pirraci. Vetëm për ndërtimet janë harxhuar rreth 1.500.000 USD.

Sipas projektit dhe kapacitetit të planifikuar ka përfunduar prodhimi i makinerive për fabrikën e pasurimit, që do të vijnë në Turqi. Në mes të muajit tetor, do të fillojë transporti dhe instalimi i makinerive, ndërkohë që kompania është shprehur se afati për pajisjen me autorizimin përkatës për përjashtim nga TVSH u merr atyre shumë kohë. Rreth 5.250.000 USD makineri janë instaluar në Fabrikën e Pasurimit.

Sipas hollësive të punimeve të shpjeguara sa më sipër, Tete Albania ka përfunduar 95% të programit të investimeve të Fazës së Parë, me vlerë gjithsej 15 milionë USD. Brenda muajit prill dhe maj 2018, ka filluar testimin e prodhimit të koncentratit në Fabrikën e Pasurimit të Bakrit. Fabrika aktualisht punon me tre turne. Kemi prodhuar rreth 1300 tonë koncentrat bakri. Në qershor 2018 kemi filluar të transportojmë koncentratin në fushë-depozitimin e Fllakës në Durrës.

Aktualisht në këtë projekt janë punësuar rreth 135 persona që punojnë direkt në kompani dhe së bashku me ata të nënkontraktorëve, kjo shifër arrin në 190 punonjës. Gjatë këtij muaji, kjo shifër do të vazhdojë të rritet më tej.

Ka përfunduar linja kryesore 35 kV e energjisë Rreps – Spaç dhe pritet të përfundojë montimi i transformatorit të nënstacionit të Fabrikës dhe vënia e tij në punë.

Paralelisht me punimet nëntokësore, vazhdojnë punimet përgatitore për prodhimin e mineralit për vitin e parë të prodhimit. (270.000 ton 1.2% Cu).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of