Piktori Hasan Nallbani është një nga personalitetet e pikturës shqiptare dhe aktualisht një artist aktiv e me vizione bashkëkohore. Nallbani bën pjesë në grupin 6 studentëve të parë për pikturë që mbaruan Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, të porsa krijuar. Ky brez i ri artistësh të diplomuar në Shqipëri me krijimtarinë e tyre krijuan një frymë të re në konceptimin e konsolidimin e tablosë historike e asaj me temë bashkëkohore shqiptare. Pjesëmarrës aktiv në ekspozitat e konkurset kombëtare gjatë viteve 1965 “ ˜90, ku ai është i pranishëm me veprat e tij, Nallbani ka tërhequr vëmendjen e kritikës së kohës veçanërisht si një kolorist impulsiv i fuqishëm, konstruktiv e i veçantë në kompozimet e tij. por mbi të gjitha si një piktor që ka ditur të përfitojë nga tradita e shkëlqyer shqiptare të artit ikonografik.Pa i shkëputur kontaktet me natyrën si një nga piktorët e plenerit Nallbani është një nga peizazhistët e rëndësishëm që ruan magjinë, të papriturat e peizazhit me dritë mesdhetare shqiptare. Nga koleksioni prej 40 veprash që ruan GKA, Tiranë janë akoma me vlera të veçanta tablo të krijuara në vite si: Tekstilistja (1967), Urdhër nga shtabi (1969), Çeta e Laçe Backës (1976), Kooperativistët (1977), Ramadan Zaskoci (1978). Kontakti me ikonografinë dhe profesioni si restaurator i veprave ikonografike për rreth 30 vjet, kanë ndikuar te artisti, për të qenë i vëmendshëm ndaj detajeve, në pasurimin e koloritit e njëhkohësisht të jetë një individualitet i konsoliduar brenda figurativitetit të tij dekorativ, me prirje ekspresioniste. Krijimtaria e pas viteve 90 te Nallbani, tregon një zhvillim figurativ, konceptual e teknik. Tablotë e këtyre viteve kanë tematikë kryesisht sociale. Në tablotë e kësaj periudhe Nallbani krijon vepra të një natyre tjetër; janë realizime që kalojnë në kufijtë e figuracionit ekspresionist dhe simbolikës monumentale. Tablotë e paraqitura në ekspozitën vetjake të çelur në GKA (Refleksione mbi pikturë, 2000), pasqyrojnë qartë këtë lëvizje të artistit drejt një konceptimi modern të pikturës së tij. Të kësaj periudhe janë tablotë Përkushtim, Traditë, Dëshirë, Personazhe, Apostuj, Idol, Dëshpërimi, Enigma e portreteve, Toteme. Teknikisht këto vepra realizohen me ngjyra akrilik e vaj mbi telajo e më shpesh mbi pano druri. Një cikël me rëndësi që Nallbani e realizon në këtë periudhë është ai i portreteve dhe grup portreteve, që mund të quhen dhe i kokave të prera, një përjetim artistik i artistit i situatave dramatike shqiptare të periudhës së tranzicionit shqiptar e që në disa raste merr prirje groteske.Në tablotë me temë historike Nallbani tregohet mjaft i kujdesshëm ndaj detajeve duke i realizuar në disa raste me mjaft siguri dhe realizëm (Çeta e Laçe Backës, Kooperativistet etj.). Ndërsa në ciklet e peizazheve artisti shpalos një penelatë virtuoze, me ngjyra të fuqishme e prirje impresioniste, që krijojnë tablo me imazhe mjaft interesante, ku plastika e objekteve të natyrës shpesh ndërthuret me trasparencën ajrore dhe dritën e fuqishme që krijon piktori.Në krijimtarinë e Nallbanit në përgjithësi mbizotëron një dritë e fuqishme e natyrës shqiptare, penelatat e tij janë ekspresive e që shpesh ndërthuren për të konturuar apo evidentuar qartë imazhin, objektet apo elementët plotësues në tablotë e tij. Në tablotë me ciklet e realizuar pas viteve 90 Nallbani shpesh arrin të largohet nga figuracioni duke kaluar në një formë gati abstrakte “ simbolike – alegorike, duke krijuar imazhe hije. Në pasionin që ai ka për realizimin e peizazheve me temë shqiptare e kryesisht nga qyteti i tij i lindjes Berati, apo dhe nga qytete të tjerë si Gjirokastra, Korça, Pogradeci ndjehet mjaft qartë fuqia e një peneli mjeshtëror, i një shpirti shpërthyes gjithmonë në kërkim të realizimeve të reja artistike me frymë bashkëkohore e gjithmonë me ngjyrë. Për lexuesin e Monitor piktori ka ofruar 10 vepra, të cilat i përkasin kryesisht krijimtarisë së tij të viteve të fundit. Çmimet e veprave të Nallbanit luhaten nga 550 “ 1,400 Euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.