Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Z. Edmond Haxhinasto nënshkroi sot deklaratën e përbashkët, që do të ndjekë interesat e realizimit të Korridorit VIII, me homologen bullgare Znj. Nikolina Angelkov dhe atë maqedonas Z. Mile Janakieski, në kuadër të intensifikimi të bashkëpunimit rajonal për zhvillimin e infrastrukturës së transportit në vendet e Ballkanit.
Duke e cilësuar infrastrukturën e transportit, si shtyllë mbështetëse kryesore të ekonomisë, Ministri Haxhinasto, kërkoi shtrirjen e bashkëpunimit për arritjen e objektivave të përbashkëta në të gjitha nivelet, gjatë planifikimit, aplikimit për burime financiare, si edhe optimizimit të shërbimeve të mirëmbajtjes dhe eliminimin e barrierave jo-fizike të transportit të mallrave. Për këtë, Ministri Haxhinasto, ritheksoi kërkesën e caktimit të një koordinatori europian për Korridorin e VIII-të, i cili do të shërbejë për intensifikimin e përpjekjeve për përfshirjen e Korridorit VIII, në rrjetin e korridoreve europiane TEN-T.
Të tre Ministrat, u shprehën për rëndësinë e pazëvendësueshme të lidhjeve hekurudhore, jo vetëm si metodë më e shpejtë, më e lirë dhe më e gjelbër transporti, por edhe metodë që garanton uljen e amortizimit të rrugëve nga transporti i mjeteve të rënda.
Duke folur për kapacitetet e porteve, Ministri Haxhinasto përmendi investimin në rritjen e kapaciteteve në portin e Vlorës dhe Shëngjinit, si edhe projekt-idenë e portit të thellë, të ri të Shëngjinit. Si pjesë përbërëse të Korridorit të VIII-të, Ministri e cilësoi si kritik konceptin e intermodalitetit, por edhe të infrastrukturës së komunikacionit me fibra optike përgjatë Korridorit VIII.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.