Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe Ambasadori gjerman Hellmut Hoffman firmosën marrëveshjen për të shtuar financimin për projektin “Mbrojtja Mjedisore e Liqenit të Shkodrës”. Projekti kap vlerën e 20 milion eurove dhe synon përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe sistemit të kanalizimeve në gjithë zonën e Shkodrës.
“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm që përmirëson këtë shërbim në këtë qytet të rëndësishëm të veriut, si dhe ka një impakt të jashtëzakonshëm për sa i takon përmirësimit të furnizimit me ujë për banorët, si dhe për mbrojtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e Liqenit të Shkodrës nga ndotja”, tha Ministri Haxhinasto gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes.
Qeveria gjermane nëpërmjet bankës KFW është një nga financuesit kryesore të të gjithë projekteve që zhvillohen në Shqipëri në sektorin e Ujësjellës – Kanalizimeve.”Ky sektor ndonëse ka marrë investime të mëdha deri më sot ka akoma sfida serioze për sa i takon rritjes së efikasitetit të tij dhe mundësive për investime nga vetë kompanitë që ofrojnë shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve, ku qëllim final është përmirësimi i shërbimit të furnizimit me ujë dhe të shërbimit të kanalizimeve për qytetarët e vendit,” tha Ministri
Në fund Haxhinasto shtoi se ky projekt i shërben më mirë qytetarëve duke qenë edhe në marrëdhënie miqësore me mjedisin. Ndërkohë ambasadori gjerman tha se ky bashkëpunim do të vazhdoj po kaq suksesshëm edhe në të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.