“ Mirëmbajtja e rrugëve nacionale duhet bërë për të garantuar mbrojtjen e investimeve, rruga aset-kombëtar”.
Kështu u shpreh, ministri i Transporteve Haxhinasto, gjatë takimit “ Analiza Vjetore e Punës së 2014 dhe Objektivat për 2015”, duke theksuar se domosdoshmëria e mirëmbajtjes së rrugëve sjell sigurinë më të lartë.
“ Janë rritur 3 fish sinjalistika për sigurinë rrugore. Rrugët duhen menaxhuar si asete kombëtare, askush nuk mund të ndërhyjë. Jemi duke vendosur sinjalistika të reja në disa akse, e filluam me Rrogozhinë- Kapshticë, Fushë Krujë-Hani i Hotit, do vijojnë edhe më tej”, tha Haxhinasto.
Një pikë ku ministri u ndal gjatë referimit, ishte edhe reforma strukturore e ARRSH-së. Sipas ministrit, duhet rritur cilësia e monitorimit të zbatimit. “Me rëndësi janë supervizorët, duhet rritur performanca e tyre, e kontrolluar nga ARRSH-ja”, u shpreh ministri.
Së shpejti do të vijë Kushtetuta e ndërtimit të rrugëve në vend, lajmëroi Haxhinasto, duke theksuar edhe njëherë se mirëmbajtja e rrugëve bëhet për të garantuar mbrotjen e investimeve.
Ministri u ndal edhe të Rruga e Kombit, Kontrata e mirëmbajtjes të së cilës do bëhet e njohur brenda 2-3 javëve, tha ai, duke shtuar se ky model do të aplikohet edhe në rrugë të tjera të vendit.
” Përsa i takon mirëmbajtjes duhet të realizojmë sa më shpejt planin që kemi, projektin që kemi për riformatimin e sistemit të mirëmbajtjes dhe të fillojmë të zbatojmë projektin me Bankën Botërore. Parashikoj investimin prej 25-30 mln dollarë në vit.”, përfundoi ministri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.