Fabrikat janë në kolaps prej katër vitesh. Ky fenomen mori përmasa gjigante me rritjen e eksportit të miellit nga Serbia me 5 herë. Ne nuk jemi kundër importit nga Serbia, por kërkojmë dy kushte. Të importohet miell për bukë vetëm me proteinë 12.
Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, “ligjërimi” i importeve të miellit serb nga Kosova pa standard ka tkurrur në mënyrë drastike aktivitetin e fabrikave të blojës në Shqipëri. Ai tha se, për shkak të kësaj situate, 50 linja të përpunimit të miellit kanë mbyllur aktivitetin dhe janë 30% e punonjësve janë larguar nga puna. Haxhiymeri thotë se importi i miellit pas standarde po bëhet me dijeninë e doganave. Ai zbardhi skemën dhe dha disa rekomandime se si mund të përmirësohet situata.
Zoti Haxhiymeri, ju keni ngritur shqetësimin se mielli që i importohet nga Kosova po ju konkurron në mënyrë të padrejtë. Pse?
Standardi 12.5 i proteinave në miell është treguesi kryesor për cilësinë e grurit nga i cili varet edhe çmimi i tij, sikurse klasifikohet nafta nga oktavët dhe ari nga karatët. Ky standard proteinash përcakton edhe çmimin. Kjo do të thotë se mielli me nivel më të ulët proteinash kushton më pak. Ky miell përdoret për biskotat, të cilat pavarësisht cilësisë së miellit, e realizojnë nevojën ushqimore me elemente të tjera. Një udhëzim i Ministrisë së Bujqësisë ka arritur të kamuflojë standardin, duke e lejuar importin e miellit me nivel të ulët proteinash për prodhimin e biskotave. Këtu lindi edhe abuzimi.
Shteti shqiptar e licencoi një marrëveshje me tregtarët që sjellin miell nga Serbia, Mali i Zi dhe nga Kosova për futjen e këtij mielli, i cili në ambalazhin e tij shkruan miell për bukë. Asnjë ambalazh që hyn në Shqipëri nuk e ka të shkruar miell për biskota. Tregtarët, nga njëra anë, tregtojnë thjesht miell, dhe organet e shtetit si AKU e klasifikojnë për biskotë (cilësi e dobët). Këtu ne sfidojmë doganën shqiptare, pasi nga 70 mijë tonë miell që kanë hyrë vitin e kaluar me standard proteine 9, në asnjë nuk tregohet në ambalazh që është për biskota.
Përveçse është dëmtuar shumë rëndë industria shqiptare e blojës, e cila sot është industria më avangardë në rajon, janë krijuar një sërë problemesh zinxhir. Industria ka investuar 150 milionë euro në fabrika nga të cilat 70 milionë euro janë kredi dhe disa sipërmarrës janë kthyer në kredimarrës të këqij.
A mund të thoni disa nga pasojat që kanë krijuar importet e miellit pa standarde?
Së pari janë rritur kreditë e këqija në banka që duhet të shlyheshin nga sipërmarrja e blojës. Së dyti, numri i punonjësve është shkurtuar me 30%. Së treti, janë ulur pagesat e sigurimeve në shtet dhe është dëmtuar zinxhiri mbështetës i industrisë. Së katërti, bilanci tregtar i vendit është dëmtuar nga rritja e importeve dhe ulja e prodhimit. Gjithashtu është cenuar siguria e rezervave të grurit. Rezerva ushqimore për Shqipërinë, e cila mbahej nga fabrikat, tani është cenuar nga rritja e importeve të miellit. Por importuesit nuk mund të krijojnë rezerva si fabrikat e përpunimit.
Efektet negative shtrihen edhe në prodhimin e fushave. Fermerët shqiptarë nuk stimulohen për të mbjellë grurë, si rezultat i uljes së sasive të përpunimit nga fabrikat e blojës. Nga ana tjetër, siguria ushqimore e konsumatorëve është cenuar rëndë, pasi po konsumojnë një bukë dhe miell me cilësi të papranueshme.
Sa thashë më sipër, fabrikat janë në kolaps prej katër vitesh. Ky fenomen mori përmasa gjigante me rritjen e eksportit të miellit nga Serbia me 5 herë. Ne nuk jemi kundër importit nga Serbia, por kërkojmë dy kushte. Të importohet miell për bukë vetëm me proteinë 12.
Miellit për biskotë t’i vihet kuotë, për arsye se nën kamuflimin e miellit për biskotë i bie që Shqipëria të konsumojë më shumë biskota se bukë. Në të kundërt, fabrikat shqiptare shumë shpejt do të detyrohen të lënë këtë biznes dhe të mbyllen. Kjo është një kërkesë e përsëritur qindra herë pranë organeve shtetërore, të cilat në këtë rast, duhet të respektojnë vetëm ligjin.
Rreth 3 mijë vetë janë të punësuar në rreth 70 fabrika, duket të theksoj se janë mbyllur më shumë se 50 të tilla, pasi gjithsej ka qenë investuar në 120 fabrika. Janë mbyllur rreth 50 linja dhe do të mbyllen edhe të tjera.
Një nga kolonat kryesore që vijon të dëmtojë industrinë e përpunimit të miellit është informaliteti në shkallën më sipërore nga subjektet që importojnë miell nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, të cilat megjithëse janë të gjitha biznese të mëdha, të gjitha shesin pa TVSH. Kjo është një mënyrë jo e ligjshme dhe krijon konkurrencë të pandershme të prodhimit të miellit. Nuk respektojnë as standardin dhe nuk paguajnë as TVSH.
Dua ta shtoj se fabrikat e blojës nuk janë kundër programit rajonal, pasi aktualisht mielli tregtohet pa dogana, por duhet të respektohet standardi dhe të rishikohen subvencionet e fshehta.
A po cenohet siguria ushqimore e konsumatorëve?
Ky miell është i pamundur të bëhet menjëherë bukë, por bëhet e tillë me përzierje të ndryshme. Buka me miell proteine 9 nuk fryhet dhe për pasojë kërkon aditivë shtesë. Këtu nuk dihet se, çfarë aditivësh përdorin prodhuesit.
Zoti Haxhiymeri, çfarë masash duhen marrë nga qeveria shqiptare për ta bërë industrinë më konkurruese?
E para duhet të aplikohet sa më shpejt diferencimi i TVSH-së për artikujt e shportës. Në rajon aplikohet një TVSH për artikujt e shportës 2-5%. Njehsimi i sistemit të taksimit sidomos në lëndët e para dhe në mallrat e shportës do të lehtësonte industrinë e përpunimit, duke e vënë atë në konkurrencë reale me importet.
Me TVSH 20%, prodhuesit vendas nuk janë konkurrues në rajon. Por mbi të gjitha, kjo politikë do të ndihmonte më shumë në rritjen e konsumit të brendshëm dhe në uljen e buxhetit familjar për artikujt bazë të shportës. Tashmë ka ardhur koha për këtë masë, pasi tregjet dominohen nga konkurrenca dhe jo si 15 vite më parë, kur monopolet në shumë artikuj dominoheshin nga konkurrenca. Në kushtet në të cilat ndodhet biznesi në Shqipëri dhe kushtet që ofron ekonomia shqiptare, nuk ka asnjë mundësi për zgjerimin e investimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.