HEC-et, Klosi: Ministria do kalojë “në sitë” të gjitha lejet e dhëna

13/02/2018 4:05 PM 0 komente

Lejet e dhëna për të gjithë hidrocentralet në vend po kalojnë edhe një herë në sitën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. “Stafet tona tashmë kanë filluar punë për të gjitha lejet mjedisore që janë dhënë për HEC-et. Ne nuk jemi kundër bizneseve, nuk jemi kundër frenimit të iniciativave private në shërbim të industrisë dhe biznesit, por gjetja e një ekuilibri të qëndrueshëm është detyra jonë parësore” – tha ministri Klosi për mediat pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Tiranës.

Gjatë ditëve të fundit ka pasur një vëmendje të veçantë tek hidrocentralet dhe veçanërisht ato mbi Osum për të cilët u konstatuan parregullsi. Fill pas kësaj kryeministri Edi Rama njoftoi se ato nuk do të ndërtohen. Por hidrocentralet mbi Osum janë vetëm dy nga mbi 300 HEC-e që janë planifikuar për t’u ndërtuar në vend.

Nisur nga precedenti I vlerësimeve mjedisore Klosi u ndal sot edhe tek mënyra e licencimit të atyre që ushtrojnë aktivitetin si vlerësues. Ministri theksoi se ka ardhur koha që licencimi i ekspertëve që hartojnë raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis të mos jetë më nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, por të bëhet nëpërmjet Urdhrit të Punonjësit Mjedisor, urdhër që duhet të ngrihet nga inxhinierë, teknicienë dhe ekspertë me mbështetjen e fakultetit të mjedisit.

“Ka ardhur koha që shteti të heqë kompetenca nga vetja dhe të marrë shumë më tepër rol kontrollues dhe po ashtu të vendosë penalitete më të forta, qoftë dhe për një inxhinier mjedisi, një ekspert mjedisor që jep një leje të pakoordinuar, të paazhornuar, të patestuar” – tha ministri Klosi duke nënvizuar se të gjitha lejet mjedisore duhet të jenë pjesë e një sistemi online dhe të lexueshme e të qarta për të gjithë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz