Ministrat e Transportit dhe Infrastrukturës të Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë një takimi =në Prishtinë, shprehën angazhimin e tyre për një bashkëpunim me hapa të shpejtë dhe konkretë.
Të dy ministrat e transportit dhe infrastrukturës theksuan se bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive po bëhet me hapa konkret. Ministri i Infrastrukturës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha se sot është rikonfirmuar vullneti për të ecur me shpejtësi në mënyrë konkrete në zbatimin e marrëveshjes mes dy qeverive. Ai tha se kryetema e bisedës së sotme me ministrin Zharku ishte Rruga e Kombit që kërkon koordinim dhe shërbim nga të dyja palët. “Sfidë e madhe është që t’i japim sa më shumë vitalitet, qarkullim kësaj arterie të rëndësishme mes dy vendeve. Gjithashtu kemi folur për mundësitë për shërbimet portale të Shqipërisë. Jemi në fazën e ri-vlerësimit, kemi rënë dakord që ekspertët tanë të përgatisin së shpejti një paketë të posaçme për t’i shërbyer biznesit të Kosovës në portet e Shqipërisë, me qëllim që ta lehtësojmë atë sa më shumë”, tha ai, transmeton RTK.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Kosovës, Lutfi Zharku bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojë punën grupi i ekspertëve. “Shprehëm gatishmërinë tonë dhe interesimin e jashtëzakonshëm për lidhjen me një vijë hekurudhore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Natyrisht pjesa jonë është vetëm 17 kilometra dhe që pjesa më e madhe e punës i mbetet qeverisë shqiptare, por që jemi të gatshëm të gjejmë mekanizma për financim dhe të fillojmë me studimin e fizibilitetit nga të dyja qeveritë”, tha ai.
Lidhur me Rrugën e Kombit, ministri Zharku, tha se është biseduar për mënyrën e menaxhimit dhe të operimit në rrugën e kombit pas paralajmërimeve për koncensionimin në pjesën shqiptare. Ai gjithashtu theksoi se janë në fazën fillestare për vazhdimin e rrugës së kombit nga Prishtina për Gjilan e deri në Dheun e Bardhë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.