Biznesi i nënkontraktimit të shërbimeve është duke vuajtur mungesën e infrastrukturës arsimore dhe teknologjike për të realizuar planet për zgjerimin e vrullshëm. Këshilli i Investimeve analizon problematikat e sektorit dhe rekomandon ndryshim të sistemeve arsimore dhe fiskale për të çuar sektorin nga shërbimet e call center drejt teknologjisë së lartë të informacionit
Sektori i shërbimeve të nënkontraktuara (BPO) të tilla si Call Center, Teknologjia e Informacionit, kontabiliteti etj., është një mundësi biznesi që po lulëzon në vendet e Ballkanit dhe sidomos në Shqipëri, mirëpo politikat zhvillimore të pakoordinuara, mungesa e burimeve njerëzore të specializuara po frenojnë zhvillimet e sektorit drejt vlerës më të lartë.
Këshilli i Investimeve, në një studim të posaçëm për fuqinë punëtore dhe mundësitë që ofron Shqipëria për këto lloj investimesh, ka gjetur se informaliteti ka dëmtuar imazhin, standardin dhe rregullat e tregut të sektorit. Njohuritë për “aftësitë e avancuara” janë kritike për performancën e biznesit, ndërkohë që rezulton se ka një “hendek” me cilësinë e kurrikulave në nivele të caktuara të edukimit.
Ekspertët e Këshillit të Investimeve arritën në konkluzionin se Zyrat e Punës dhe Qendrat e Formimit Profesional nuk u përgjigjen nevojave të sektorit. Pasi fuqia punëtore e regjistruar në Zyrat e Punës është shumë e pakualifikuar dhe kompanitë e bëjnë rekrutimin e stafit kryesisht vetë. Nga kërkimet ka rezultuar se IT Software, kontabiliteti dhe Shërbimi ndaj Klientit janë ndër shërbimet më të vlerësuara në tregun shqiptar.
Nisur nga kjo situatë, Këshilli rekomandon që të konsiderohet sa më parë integrimi i njohurive të reja në nivele të caktuara, me fokus: aftësitë analitike (zgjidhjen e problemeve), gjuhët e huaja, aftësi në Microsoft, Aftësi në Komunikim. Praktikat duhet të standardizohen dhe të bëhen pjesë e kurrikulës, projekt model biznes, fakultet dhe praktika mësimore.
Rreth 12 kompani call center kanë të punësuar rreth 8900 punonjës. Gjithsej janë të regjistruara 804 kompani si call center. Forca e punës për moshën 15-29 vjeç sipas INSTAT është 146,756 persona, teksa në universitete publike janë të regjistruar 121,638 persona. Në Universitetin Politeknik janë të regjistruar 14,254 studentë dhe në Universitetin e Tiranës 30,471 studentë.
Interesi për investime në rritje
Shqipëria është një vend atraktiv për zhvillimin e sektorit të BPO-ve, për shkak të forcës së re dhe aftësitë në përdorimin e gjuhës italiane. Aktualisht në Shqipëri, tregu i BPO-ve dominohet nga investitorë italianë. Investimet italiane ekzistuese janë të përqendruara në call center, por për shkak të pasigurisë të krijuar nga ndryshimi i ligjit për call center atje, ka pasur një ngrirje ose tkurrje të sektorit.
Sipas Këshillit të Investimeve, Gjermania ka vërejtur interes për të investuar në sektorin e IT (Developing and programming), por mungesa e cilësisë së stafit dhe njohuria e kufizuar e gjuhës gjermane ka frenuar investimet. Gjithashtu mësohet se kanë pasur interes nga SHBA-ja dhe Singapori po nuk është konkretizuar asnjë rast. Klientë të Apple, Google, Vodafone, BBC, Amazon, Linkedin, Facebook, etj., kanë qenë të interesuar gjithashtu.
Por gjithsesi, aktorët që operojnë aktualisht në Shqipëri, nuk e kanë humbur optimizmin. Rreth 88% e tyre janë shprehur se do të zgjerojnë shërbimet ekzistuese. Ndërsa 47% e tyre kanë pohuar se do të nisin të ofrojnë shërbime të reja dhe 27% do të investojnë në një teknologji të re.
Ndërsa 6% e bizneseve në sektor kanë pohuar se nuk do të zgjerohen as në shërbimet aktuale dhe as në teknologji të ri, ndërsa një përqindje e madhe e bizneseve, rreth 12%, janë të pasigurt në lidhje me planet e ardhshme të zgjerimit të aktivitetit.
Burimet njerëzore, të paorientuara profesionalisht
Aktualisht në sektorin e BPO-ve punojnë 25.000 – 30.000 persona, por ka edhe kërkesa për ndoshta 50,000. Të rinjtë shqiptarë mësojnë shpejt dhe kanë dëshirë, mirëpo sistemet arsimore dhe të trajnimit që lidhin ofertën për punë me nevojat e tregut janë defektoze.
Anketa e Këshillit të Investimeve ka gjetur se 90% e punonjësve që punojnë në BPO kanë gatishmëri për të përvetësuar aftësi të reja. Mirëpo aktualisht linja të veçanta të tregut të BPO-ve kanë nevojë për fokus më të thellë të fuqisë punëtore. Shqipëria është një treg i vogël për të zhvilluar linjat masive të BPO-ve. Linja specifike në sektorë të veçantë të IT mund të jenë me interes.
Shqipëria ka gatishmëri të lartë për të mësuar italishten dhe janë më mirët në rajon në këtë drejtim, kanë përshtatje të shpejtë me vendin e punës dhe njohje të mirë edhe të gjuhës angleze. Mirëpo të rinjtë shqiptarë kanë mungesë përvoje për shkak të mungesës së praktikave. Gjithashtu i karakterizojnë mangësi në edukatën dhe korrektesën ndaj punës. Kanë kualifikim të dobët teknik. Trajnimi nëpër call center në nivele bazike nuk ka krijuar baza për zhvillim të mëtejshëm të punonjësve. Nga anketat është parë se kryesisht pritshmëritë e atyre që punësohen janë më të larta se realiteti dhe çfarë ofrojnë bizneset.
Dhe më e rëndësishmja, ekspertiza e përparuar është faktori kyç i cili mundëson zhvillimin e industrisë në tërësi, nëpërmjet rritjes drejt shërbimeve me vlerë më të madhe, veçanërisht drejt shërbimeve të bazuara në njohuri. Për sa i përket ofertës, kualifikimi dhe kapacitetet e forcës së punës janë përcaktuesit kryesorë të shërbimeve që bëjnë të mundur që firmat të jenë konkurruese në rang ndërkombëtar dhe të suksesshme për sa i përket hyrjes në tregjet e huaja.
Sektori vuan kostot e informalitetit
Sektori i BPO-ve pengohet nga një sërë faktorësh që lidhen me informalitetin dhe jo stabilitetin e fuqisë punëtore. Kompanitë i kanë pohuar Këshillit të Investimeve se ka një fluks të lartë largimesh, trajnohen dhe largohen duke shkaktuar kosto shtesë dhe humbje pune për bizneset. Kompanitë e mira dhe të mëdha priren drejt cilësisë së shërbimit, por informaliteti i lartë i sektorit, sidomos në rrethe, mendohet se ka prodhuar një situatë problematike. Gjithashtu bizneset kanë pohuar se diversifikimi dhe sofistikimi i biznesit dhe tregu po shkon drejt ngopjes dhe ligji italian i miratuar së fundmi është një problem.
Infrastruktura e TI në vend mbetet relativisht e dobët. Pavarësisht nga investimet në rritje, si private ashtu edhe publike, gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka mbetur mbrapa me zhvillimin e një infrastrukture TI moderne dhe të aksesueshme. Në veçanti, infrastruktura broadband është ende e kufizuar – vendi nuk ka një shtyllë mbështetëse për broadband dhe rrjetet me fibra optike janë të kufizuara vetëm në disa qytete kryesore. Kjo infrastrukturë e dobët dhe aksesi i kufizuar broadband, si dhe kostot relativisht të larta të aksesit mbeten kufizime të konsiderueshme për aksesin e gjerë tek TI/TIK dhe si rezultat për zhvillimin e shërbimeve me bazë TI.
Shteti, me mungesë vizioni
Këshilli i Investimeve, në analizën për sektorin e BOP, ka gjetur se shteti dhe strukturat e tij ka mungesë vizioni për zhvillimin e sektorit. Nuk ka mbështetje apo koordinim me qendrat e formimit profesional, shumica e kompanive e gjejnë vetë stafin, ndërsa Kodi i Punës në disa drejtime është më avangardë se realiteti. Ligjet janë në rregull, por nuk janë fleksibël për punësi me kohë të pjesshme, teksa mungojnë të dhëna për analizën e sektorit, p.sh., statistika për teknologji informacioni të mirëfilltë. Gjithashtu mungojnë incentivat për sektorin dhe profesionalistët.
Vendet kryesore të tilla si India, Filipinet, Vietnami, Bullgaria, Rumania, etj., ia detyrojnë pjesën më të madhe të suksesit të tyre mbështetjes së qeverisë, në një kohë kur vendet e tjera me potencial të krahasueshëm, qeveritë e të cilave nuk e mbështetën sektorin, dështuan në zhvillimin e industrisë së shërbimeve me nënkontraktim.
Shkollimi nuk përputhet me nevojat
Analiza ka përfshirë edhe sistemin arsimor dhe përshtatjen e tij me kërkesën e BPO-ve. Këshilli i Investimeve ka gjetur se shkollimi nuk përputhet me nevojat specifike të tregut të punës. Ka mospërputhje të kurrikulave. Kurrikulat nëpër universitete nuk janë të orientuara sipas kërkesave të biznesit p.sh., Masteri Profesional nuk është i vlerësuar kundrejt Shkencorit. Ekzistojnë disa marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe bizneseve, por që nuk ofrojnë intership-e reale dhe diploma sipas kërkesave të tregut.
Gjithashtu studimi ka konstatuar se mungon modeli për rininë që të motivojë për aftësi sa më “profesionale”. Investimi për zhvillimin e aftësive është një element kyç për zhvillimin dhe fuqizimin e industrisë së shërbimeve dhe një faktor i vazhdueshëm që kushtëzon qëndrueshmërinë afatgjatë të industrisë. Disponibiliteti i forcës së kualifikuar të punës dhe i ekspertizës është, përveç përparësive në kosto, faktori më i rëndësishëm për tërheqjen e shërbimeve të investimeve të huaja në industri. Dhe më e rëndësishmja, ekspertiza e përparuar është faktori kyç i cili mundëson zhvillimin e industrisë në tërësi, nëpërmjet rritjes drejt shërbimeve me vlerë më të madhe, veçanërisht drejt shërbimeve të bazuara në njohuri. Për sa i përket ofertës, kualifikimi dhe kapacitetet e forcës së punës janë përcaktuesit kryesorë të shërbimeve që bëjnë të mundur që firmat të jenë konkurruese në rang ndërkombëtar dhe të suksesshme për sa i përket hyrjes në tregjet e huaja.
Potenciali përballë problematikës
Sektori ka potencial për investime që mund të kthehen në histori suksesi, por të limituara në “madhësi”, ndaj duhet investuar tek cilësia që krijon “vlerë të shtuar” në segmente apo profesione të caktuara si IT dhe DVP. Kosto e ulët e punës nuk duhet të jetë “faktori” më vendimmarrës, këshillon Këshilli i Investimeve.
Mund të themi se tashmë kemi një kategori të mirë specialistësh të trajnuar nga BPO-të ekzistuese, të cilët mund të jenë objekt i trajnimeve më të profilizuara, si trajnerë për krijimin e talenteve specifike në sektor. Por analiza tregon se tregu nuk e zgjidh problemin e “cilësisë”, por vetëm e evidenton dhe e “vuan” atë.
Edukimi dhe sistemet e trajnimit (ndonëse gjejmë një ndjeshmëri më të madhe), themi se kanë mungesa të elementeve të involvimit “serioz” të biznesit si në kurrikula ashtu edhe në monitorim të praktikave të studentëve, zyrave të karrierës, apo edhe përfshirjen e hershme studentëve.
Mundësitë për përmirësim
Pas studimit të thelluar, Këshilli i Investimeve ka rekomanduar rritje të partneritetit të universiteteve me sektorin privat dhe Zyrat e Punës nëpërmjet forcimit të rolit të Zyrave të Karrierës në internshipe, praktika dhe punësim të studentëve, zhvillim i hershëm i këshillimit të karrierës që në shkolla.
Gjithashtu nevojitet një përshtatje e kurrikulave universitare për industri të caktuara me anë të zbatimit të projekteve dhe lëndëve mësimore nga ambienti i biznesit vendas.
Rekomandohet ndërhyrje në kurrikulat universitare për të realizuar programe që lidhen me rritjen e aftësive analitike dhe praktike të studentëve. Nevojitet fleksibilitet në ofrimin e dijes nga universitetet publike nëpërmjet programeve afatshkurtra inovative në partneritet me biznesin: Akademi Biznesi (programe intensive 1-3 ditë në një fushë të caktuar si p.sh.: Konsulencës në Menaxhim dhe Operacione, Taksa, Hartime planesh biznesi, Studime fizibiliteti, etj.). Certifikatat e marra pas përfundimit me sukses të jenë të akredituara nga Ministria e Arsimit dhe e Punës si një vlerë e shtuar për akses në tregun e punës.
Duhet incentivim nëpërmjet mbulimit të sigurimeve shoqërore për periudhën e internship në biznese (6 muaj – 1 vit) në profesione të caktuara të konsideruara si prioritare p.sh., si ekonomik, IT, inxhinieri, etj.
Rekomandohet mbështetje e iniciativave të biznesit për krijimin e qendrave të kualifikimit të vazhdueshëm në teknologji dhe novacion (Digital Academy), si edhe “software house” për krijimin e një grupi ekspertësh të certifikuar të IT.
Këshilli i Investimeve rekomandon të konsiderohet, incentivimi nëpërmjet kontratave që kompanitë IT marrin nga shteti si p.sh., përfshirja në termat e referencës e trajnimeve në IT ose marrja e studentëve apo sapodiplomuarve për internship në profesione relevante me tenderin e fituar për një periudhë kohe. Rekomandohet promovim i praktikave të mira të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore të disa kompanive të mëdha në kompani të tjera nëpërmjet shoqatave të biznesit.
Këshilli i Investimeve duhet të marrë në konsideratë diskutimin me aktorë të fushës mbi ngritjen e një Akademie BPO për rikualifikim e fuqisë punëtore nga trajnerë të licencuar nën mbështetjen e pushtetit qendror apo vendor në modelin e Partneritet Publik-Privat (Protik).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.