Pagesat për kujdesin ndaj shëndetit janë ulur dukshëm gjatë vitit të fundit, por kontributin më të madh e ka dhënë ulja e çmimeve të medikamenteve dhe shërbimeve spitalore të cilat u ulen respektivisht me 5.7 dhe 4.3 për qind.
Në të kundërt shërbimet mjekësore nga parësori kanë pësuar një rritje me gati 1 për qind sipas të dhënave të INSTAT.
Kostot më të ulta të shëndetit i dedikohen përjashtimit të ilaçeve nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe ulja e tarifave të shërbimit në klinikat dhe spitalet private.
Dy vitet e fundit, tregu i privat i shërbimeve spitalore është zgjeruar dukshëm, me 9 operatorë duke sjellë kështu edhe uljen e çmimeve si pasojë e rritjes së konkurrencës.
Tre spitalet private kryesore në vend Univers Alb (spitali amerikane), Hygeia dhe Salus shënuan së bashku një rritje të qarkullimit vjetor prej 24%, në rreth 5 miliardë lekë (36 milionë euro) në 2013-n, sipas të dhënave të raportuara në bilancet përkatëse.
Spitali më i madh në vend është Univers Alb, me një xhiro prej gati 3 miliardë lekësh në 2013-n, sipas të dhënave të raportuara në bilanc (të dhënat përfshjnë dhe filialin e Kosovës). Ndërhyrjet kirurgjikale kanë sjellë pjesën më të madhe të të ardhurave të grupit, me 30% të tyre.
I dyti më i madh në vend është Hygeia, me një qarkullim vjetor prej 1.9 miliardë lekë dhe zgjerim 26.4%.
Salus, në vitin e parë të plotë të aktivitetit ka shmëfishuar të ardhurat, në rreth 209 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.