Hernandez firmos me Bayern München, mbrojtësi i dytë më i paguar në histori

28/03/2019 3:41 PM 0 komente

Bayern München zyrtarizoi blerjen e mbrojtësit francez të krahut të majtë, Lucas Hernandez. Lojtari do t’i bashkohet klubit bavarez nga 1 korriku, për fillimin e sezonit të ri.

Për ta blerë futbollistin nga Atletico Madrid, Bayern München ka investuar 80 milionë euro, duke paguar kështu edhe klauzolën në kontratën mes Hernandez dhe “Colchoneros”.

Futbollisti 23-vjeçar firmosi një kontratë 5-vjeçare me klubin bavarez. Nëpërmjet faqes së klubit spanjoll ai shkroi se “largimi nga klubi i Atletico-s është vendimi më i vështirë dhe i rëndësishëm që kam marrë në karrierën sportive. Për mua, Atletico do të thotë shumë gjëra, këtu jam rritur si futbollist dhe falë këtij klubi, jam bërë ai që jam sot”.

Për momentin, Lucas Hernandez nuk do të luajë më me klubin që drejtohet nga Diego Simeone, pasi duhet të bëjë një ndërhyrje në ligamentin e brendshëm të gjurit të djathtë.
Me 80 milionë euro të paguar nga Bayern München, lojtari francez bëhet mbrojtësi i dytë më i paguar në histori, pas lojtarit holandez Virgil Van Dijk, të cilin Liverpool e bleu 85 milionë euro nga Southampton.

Shifra 80 milionë euro është një rekord për klubin gjerman, thuajse dyfishi i asaj të paguar për blerjen e Corentin Tolisso, gjithashtu francez.

“Jam shumë i lumtur që mundëm të firmosim një marrëveshje me një nga mbrojtësit më të mirë në botë, një fitues i Kupës së Botës, Lucas Hernandez” – tha drejtori sportiv i Bayern München, Hasan Salihamidzic.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of