“Hileja” me heqjen e pagave referencë

05/08/2012 09:18 0 komente
ministri_i_financave

Hyn në fuqi VKM-ja me nr. 393, për heqjen e referencave mbi pagat, por njëkohësisht del urdhri i ministrit të Financave për investigimin në sektorin privat.

Më datë 20 qershor 2012, qeveria miratoi VKM me nr.393, e cila shfuqizonte vendimin me nr.285, maj 2007, për referencat te pagat në privat, në bazë të të cilave llogariteshin detyrimet tatimore dhe kontributet. Pas një pritjeje me shumë interes nga ana e biznesit, tashmë ky vendim është publikuar në Fletoren Zyrtare (nr.82), më 17 korrik, duke i hapur rrugë zbatimit me hyrjen në fuqi.

Revokimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e pagës referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale, sipas nomenklaturës së veprimtarisë ekonomike, për të punësuarit në sektorin jopublik, që kryejnë punë të pakualifikuara e të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues e tekniko-ekonomik të tyre”, erdhi pas disa konsultimeve që Ministria e Financave pati me ekspertët e Bankës Botërore, pasi këta të fundit, në raportet vjetore të “Doing Business” e kanë vlerësuar referencën si kosto shtesë për biznesin. Tashmë me shfuqizimin e VKM-së, qeveria “lan duart” me BB-në, sa i takon raporteve të vlerësimit mbi barrën fiskale, por mban pezull pjesën me biznesin.

“Monitor” ka mësuar se ditët e fundit, ministri i Financave, Ridvan Bode ka lëshuar një urdhër, drejtuar administratës tatimore, drejtorisë së përgjithshme, ku i kërkon, ndër të tjera, nisjen e verifikimit në terren për nivelin e pagave te privati.

Ky akt vlerësohet nga ekspertët tatimorë si manovër e ministrisë për të ndëshkuar cilindo biznes që nuk tregon realisht pagën te tatimet, për efekt të pagesës së detyrimeve ndaj kontributeve dhe tatimit mbi të ardhurat personale, të cilat për privatin kanë një kosto që rëndojnë rreth 20 për qind mbi të ardhurat bruto.

Akti i investigimit

Drejtoritë e hetimit tatimor nëpër rrethe kanë detyrën e investigimit të nivelit të pagave në sektorë të veçantë të privatit. Lista e pagave referencë është hartuar në vitin 2007 dhe niveli i tyre ka ndryshuar, në raport me situatat ekonomike të biznesit apo sektorëve. Për këtë shkak, si edhe duke shfuqizuar VKM, ministria i druhet luhatjes së deklaratave së biznesit për nivele pagash më të ulëta për efekt pagese takash.

Urdhri i ministrit për verifikimin e pagave vjen pak ditë pasi ka hyrë në fuqi shfuqizimi i VKM-së për referencat, lajm pozitiv për biznesin, por investigimet dhe kontrollet e mëpasshme rrezikohen të kthehen si mjet ndëshkues për subjekte të caktuara.

Heqja e VKM-së për referencat mbi pagat erdhi pas më shumë se 4 vjetësh zbatimi dhe për Ministrinë e Financave e kishte humbur kuptimin “pasi nuk janë reflektuar ndryshimet e ndodhura ndër vite në nivelin e pagës minimale, bazë kjo për punët e pakualifikuara, si dhe për të reflektuar këto ndryshime në pagat e grupeve të tjera të punonjësve të ndara në vendim sipas funksioneve dhe kualifikimit”.

Në fillim të zbatimit të VKM-së, shumë biznese u ankuan për barrën e rëndë fiskale, të diktuar nga lista e qeverisë për pagat. Sipas tyre, vendosja e pagave nga qeveria, duke mos ia lënë në dorë të lirë biznesit, binte ndesh me parimet e lirisë ekonomike. Megjithatë, nga viti 2007, privati u ambientua me referencat dhe luante me nivelin e tyre duke deklaruar një pjesë të caktuar që ishte afër limitit të kërkuar.

Pa efekte në buxhet

Referenca e aplikuar mbi pagat u vendos si mjet për të detyruar privatin të deklaronte vlerën reale. Për të shmangur detyrimet me taksat, bizneset nuk deklaronin vlerën reale në nivele të ndryshme hierarkie të punës. Në atë kohë, Financat ankoheshin se kishte drejtorë në firma të mëdha që paguheshin për 50 mijë lekë, kur realja arrinte të paktën 3-fish më shumë. Pas një investigimi, duke parë nga afër pagat reale, Ministria e Financave së bashku me drejtorinë e tatimeve hartoi një listë me pagat dhe pozicionet, sa duhet të ishin, madje dhe numrin e punonjësve, tjetër problem ky për efekt kontributesh për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

“Vlerësojmë se zbatimi i këtij vendimi ka pasur ndikim shumë të ndjeshëm në rritjen e nivelit të pagave të deklaruara nga subjektet, duke i përafruar ato me pagat reale të punonjësve”, shprehen ekspertë të Ministrisë së Financave, duke shtuar se tashmë VKM-ja e kishte humbur kuptimin.

Nga analiza që ka bërë administrata tatimore në sistem, si dhe nga zbulimet e kontrollit, rezulton se vetëm 0.5 për qind e të ardhurave nga kontributet janë me rivlerësim page (zbulime nga kontrolli 2011) dhe në raport me fondin e pagave 0.14 për qind dhe 0.6 për qind në numër subjektesh. Dhe nga testimet e muajve mars dhe qershor 2011, sipas administratës tatimore, se shtesat nga rivlerësimi i fondit të pagave rezulton 0.09 – 0.13 për qind.

Arkëtimet, në rënie

Sikurse paraqitet nga grafiku i arkëtimeve nga tatimi mbi të ardhurat personale, tendenca sa vjen dhe duket në rënie, përjashto periudhën kur u aplikua referenca dhe vendosja e taksës së sheshtë 10 për qind, nga sistemi progresiv që aplikohej më parë.

Tendenca negative vijon edhe në vitin 2012, sa i takon periudhës janar-qershor, pra si 6-mujor. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave tregojnë se nga tatimi mbi të ardhurat personale, janë mbledhur gjithsej 13 miliardë lekë, ose 2.1 për qind më pak se viti i kaluar, për të njëjtën periudhë. Në raport me planin e vendosur nga Ministria e Financave, niveli i arkëtimeve nga TAP-i del mangët 830 milionë lekë, ose 5.4 për qind më pak, gjithnjë si 6-mujor. Kjo taksë, në raport me totalin e arkëtimeve zë një peshë prej afro 10 përqindësh.

Edhe si 5-mujor, situata paraqitet negative. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 11 miliardë lekë për periudhën janar-maj, me rënie prej – 1.9 përqindësh në krahasim me 5-mujorin e një viti më parë dhe me realizim të planit për vitin 2012 në masën 94.9 për qind.

Banka Botërore: Referenca mbi paga, kosto fiskale mbi biznesin

Ministria e Financave pranon me anë të një shkrese zyrtare se motivi kryesor i shfuqizimit të VKM për referencat lidhej me raportet e Bankës Botërore.

“Një arsye tjetër e rëndësishme e propozimit të shfuqizimit të VKM nr. 285 është se në raportet vjetore ‘Doing Business’, të hartuara nga Banka Botërore, te kategoria e vlerësimit në renditjen e vendeve të ndryshme të botës, ‘Paying Taxes’, te pjesa e Shqipërisë, normën e kontributeve e llogarit si barrë fiskale që arrin në 22.5 për qind, kur në fakt është 16.7 për qind, sipas ligjit në fuqi për sigurimet”, thotë Ministria e Financave.

Ministria thotë se barra fiskale te pjesa e kontributeve për sigurimet, BB-së i del 22.5 për qind, pasi banka vlerëson edhe aplikimin e referencave mbi pagë. Tashmë me heqjen e referencave, qeveria shqiptare pret nga BB një vlerësim më realist në raportin që pritet të publikohet në tetor 2012, sa i takon pjesës kategorisë “Paying Taxes” për Shqipërinë.

Pagat, online

Efektet e shfuqizimit të vendimit deri në njëfarë mase, thotë ministria, do të kompensohen përmes rritjes së transparencës ndaj të punësuarve, duke bërë të mundur që nëpërmjet kodit personal të shohin online pagën mujore mbi të cilën i është llogaritur dhe paguar kontributi nga punëdhënësi. Ky proces mund të realizohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, me deklarimin e listëpagesës nëpërmjet formës elektronike.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.