Është hequr eskluziviteti i aeroportit TIA. Ministri Haxhinasto e ka bërë të ditur lajmin sot gjatë konferencës për shtyp, duke thënë se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për të zhvilluar më tej infrastrukturën aeroportuale dhe për të zhvilluar më tej turizmin.
“ Është ditë e rëndësishme për aviacionin shqiptar, po hapim një faqe e re të zhvillimit të infrastrukturës. Besoj që qytetarët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje e re. Do të fillojmë të marrim hapat për operacional aeroportin e Kukësit, sipas marrëveshjes do nisë funksionimin shumë shpejt. Kjo marrëveshje do të shkojë në Kuvend pastaj do nisin hapat e nevojshëm për të zhvilluar infrastruturën aeroportuale në vendet e tjera të Shqipërisë”- tha Haxhinasto.
Ministri shtoi se heqja e eskluzivitetit do të krijojë mundësi të menjëhershme edhe për marrëdhënie koncesionare me operatorë të tjerë, me qëllim që Shqipëria të jetë vend me akses të plotë aeroportual. Ministri theksoi se kjo do të ndihmojë turizmin, do t’i shërbejë më mirë qytetarëve si dhe do të mundësojë të jemi konkurrues me çmimet.
“ Qëllimi kryesor është liberalizimi i tregut, do bëhet operacionale aeroporti i Kukësit për fluturime ndërkombëtare. Aty mund të punësohet të paktën 200 persona. Pa diskutim liberalizimi është kryesor por edhe punësimi është i rëndësishëm, përmirësimi i shërbimeve dhe shndërrimi i tyre në konkurruese me anë të çmimeve më të lira. Efekti i tyre në ekonomi do të jetë i shumëfishtë.”- theksoi Haxhinasto.
I pyetur për çmimet e reja, ministri u përgjigj se tarifat ende nuk janë të vendosura. “Ne do të bëjmë një rivlerësim të tyre, që do të çojë në rritjen e konkurrueshmërisë”- tha ministri, duke shtuar edhe se kjo marrëveshje e re me koncesionarin e TIA nuk do të ketë kosto shtesë për qeverinë.
Ministri bëri të njohur se, si pjesë e marrëveshjes, hapja e aeroportit të Kukësit do t’i shtojë 2 vite kontratës koncesionare së TIA.
Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncensionit prej dy vitesh duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027.
Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncensionit.
Holger Linkweiler, Kryetar i Këshillit Administrativ të TIA-s u shpreh se, “Kjo është një arritje domethënëse. Ne krenohemi me atë që kanë arritur partnerët në këtë proces të gjatë. Dëshirojmë të falenderojmë Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për bashkëpunimin e tyre. I urojmë suksese Qeverisë së Shqipërisë në hapat e mëtejshëm drejt zhvillimit të aeroporteve të tjerë në vend. Tirana International Airport është e përkushtuar të vazhdojë t’i sigurojë standardet më të larta të shërbimeve transportit ajror shqiptar”, shtoi ai.
Ministri, i pyetur për kompaninë kineze që u përfol ditë më parë se kishte shfaqur interes të blinte TIA, pranoi se ishte shfaqur një interes i tillë.
Ministri tregoi edhe se në planet e ardhshme është edhe studimi i fizibilitetit për aeroportin në jug të vendit, për të cilin bëri thirrje se qeveria është e gatshme dhe e hapur ndaj çdo oferte koncesionare nga investitorë të huaj.
“Hapi i ardhshëm është miratimi në qeveri dhe në parlament i kësaj marrëveshje. Pastaj kemi një plan masash për të bërë gati aeroportin e Kukësit që të jetë i dosponueshëm, duke nisur nga kolaudimi dhe pastaj stafi. Kemi nisur punën për studimin e fizibilitetit të aeroportit të jugut. Do të administrojmë të gjithë kërkesat e investitorëve të ndryshëm për koncesion.”- tha ministri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.