Zgjerimi i shfrenuar dhe huatë e dhëna lehtësisht: ja si u arrit në thyerjen e madhe
Për më shumë se një shekull mbetën dy banka të vogla provinciale. Problemet filluan kur në krye të bankave erdhën Zonin dhe Consoli.
Europa i ka vënë ata nën vëzhgim që nga viti 2014: Inspektimet dhe protestat e mbajtësve të llogarive nuk e frenuan zbritjen.
Deri në epilogun e këtyre ditëve, shkruan Stefano Righi për “Corriere”.
Lindja
Banca Popolare di Vicenza u themelua në vitin 1866, 11 vite më parë se Popolare di Asolo dhe Montebelluna, të themeluara në vitin 1877. Për më shumë se një shekull, deri në mesin e viteve nëntëdhjetë të shekullit të njëzetë, do të ishin dy banka të vogla provinciale.
Në vitin 1996, Gianni Zonin, sipërmarrës bujqësor në Gambellara, u zgjodh president i Popolare di Vicenza. Më 1 janar, 1998 Vincenzo Consoli, nga provinca e Miglionico, bëhet menaxher i përgjithshëm i Popolare Asolo. Në pak vite do ta transformojë në Veneto Banca.
Rritja
Zonin në fillim ndryshon shumë drejtorë të përgjithshëm: 4 menaxherë në tre vjet. Ai dëshiron të rritet dhe nis një fushatë të blerjes së bankave të vogla popullore të Veneto.
Përtej kufirit
Në vazhdën e rritjes ekonomike në vitet e para të mijëvjeçarit, Veneto Banca hedh sytë nga Europa Lindore. Ajo hap degë në Rumani dhe Moldavi, Kroaci dhe Shqipëri: shoqëron zhvendosjen e kompanive italiane. Vicenza hap zyra përfaqësimi në Moskë dhe në Nju Jork.
Kokë më kokë
Rivaliteti mes Zonin e Consoli, që janë në garë me njëri- tjetrin, duket edhe në bankë: të dy institucionet janë në rritje në mënyrë dramatike. Vicenza blen Cassa di Risparmio di Prato dhe hap Banca Nuova në Sicili. Veneto blen Banca Popolare di Intra dhe hap një bankë në Puglia.
Lulëzimi i aksioneve
Rritja ekonomike nxit rezultatet e dy bankave dhe paralelisht edhe të vlerës së aksioneve: ato të Vicenza arrijnë në 62.50 euro. Letrat me vlerë të Veneto, në vitin 2013 prekën 40,75 euro. Por vlerat janë qartësisht jashtë biznesit. Letrat me vlerë nuk janë kuotuar, kuotat janë të justifikuara vetëm në kushtet e një lloji të zinxhirit të Shën Antonit (skema Ponzi në Amerikë) që punon aq kohë që nuk ka nënshkrues të rinj. Sipas kësaj skeme Veneto dhe Vicenza, të pakuotuara, kanë një vlerë kapitalizimi më të lartë edhe sesa UBI, një prej bankave të mëdha italiane.
Zgjerimi
Vicenza merr zgjerim në Romë, në Sheshin Venezia, ble një pallat në Milano, ndërsa Veneto përuron super-selinë në periferi të Montebelluna.
Kriza financiare që shpërtheu në vitin 2008 duket se nuk i preku dy bankat. E gjithë industria e kreditit bie, falimenton Lehman Brothers në SHBA, ndërsa titujt e dy bankave popullore vazhdojnë të fitojnë vlerë artificialisht. Për më tepër zgjerohen në bursa, dy bankat popullore financojnë industritë në vështirësi, ndonjëherë pa asnjë perspektivë për kthimin e investimeve.
E çara e parë
Më 4 nëntor 2014 u krijua Bashkimi Bankar Europian. Një masë që do të ketë pasoja shkatërruese për të dy bankat. Mbikëqyrja e 15 bankave italiane – duke përfshirë Vicenza dhe Veneto – kaloi nga Banka e Italisë tek Banka Qendrore Europiane. Inspektimet e para të Frankfurtit tregojnë kufizime teknike në administrimin e dy kompanive, por edhe në vendimet e menaxhimit. Ata argumentojnë se aksionerët duhet të rrisin kapitalin.
Ndalimi
BQE ndalon riblerjen e aksioneve të veta nga bankat. Fondi ngrihet. Aksionerët – shumë janë investitorë të vegjël, artizanë, pensionistë – nuk mund të shesin letrat me vlerë që zotërojnë. Disa prej tyre janë ngrirë për vite të tëra.
Inspektimet
Teknikët e BQE gjetën financime të lehta për kompani të njohura dhe persona të shquar. Nga këto përfiton AlItalia, ish-senatori i Forza Italia, Denis Verdini, kandidati për kryetar të Romës Alfio Marchini, gazetari Bruno Vespa, Marco De Benedetti, Gianfranco Zoppas, Giuseppe Stefanel. Në mesin e përfituesve të Veneto është ish-lojtari Roberto Bettega. Vicenza investon, përmes fondeve të caktuara nga Luksemburgu, në operacione të paqarta.
Përplasja
Më 17 shkurt 2015, Guardia di Finanza rrethon selinë e Veneto Banca, në Montebelluna. Punonjësit ndalohen që të hyjnë në zyrat e tyre. Hetime kryhen dhe në Padova, Treviso, Modena dhe Torino, ku Veneto Banca kontrollon Bim, që është e listuar në bursë. Vincenzo Consoli, Drejtori i Përgjithshëm, vihet nën hetim për pengesat që i krijon Bordit Mbikëqyrës. Nga bilanci i Vigilanza mungojnë 400 milionë euro. Banka ishte mbyllur në 2014 me një humbje prej 968 milionë eurosh.
Më 11 prill 2015, në Fiera di Vicenza Popolare u raportua një humbje prej 748.5 milionë eurosh. Të 26 000 anëtarët e rinj të cilët kanë nënshkruar në gusht 2014 aksione me vlerë 62.5 euro – që u zhvlerësuan nga bordi në 48 euro – u ankuan dhe sfiduan CEO-n Samuele Sorato dhe presidentin Gianni Zonin. Një javë më vonë, më 18 prill, protesta të ngjashme u zhvilluan në asamblenë e Veneto: aksionerët panë që aksionet u zhvlerësuan në 30,50 euro dhe u ndien të mashtruar.
Lamtumira e gjatë
Më 12 maj 2015 dha dorëheqjen CEO i Popolare di Vicenza, Samuele Sorato, pas 13 vitesh rol kyç në bankë. Më 1 korrik u emërua në vend të tij Francesco Iorio, i cili do të nënshkruajë një gjashtëmujor me humbje 1 miliard euro. Më 30 korrik, Jones dha dorëheqjen nga Veneto Banca, në vend të tij erdhi Cristiano Carrus. Gianni Zonin dha dorëheqjen më 23 nëntor 2015.
Akuzat
Më 5 shtator, Zonin mbledh në një sallë 800 punonjës dhe ia faturon Soratos përgjegjësitë e rënies. Në veçanti bëhej fjalë për praktikën e të ashtuquajturit “puthje” ose kredive të dhëna në këmbim të nënshkrimit të aksioneve të bankës. Ai do të fishkëllehej në mënyrë të përsëritur.
Ndërprerja
Ligji i reformës së bankave popullore gjithashtu kërkon që Veneto dhe Vicenza të transformohen në shoqëri aksionere. Procesi i konsolidimit përfshin edhe listimin në bursë dhe hyrjen e investitorëve institucionalë në afat të gjatë.
Oferta publike për blerjen e aksioneve të dy bankave popullore nuk funksionoi. Asnjë investitor institucional nuk nënshkroi aksione. Projekti i listimit dështoi për fat të keq në pranverën e vitit 2016. Duhet të ndërhynte Fondi Atlante, financuar nga ana e shëndoshë e sistemit italian financiar, i cili u bë pronar i dy bankave me më shumë se 95 për qind të kapitalit. Aksionet u zhvlerësuan deri në 10 cent. U dogjën në këtë mënyrë 11 miliardë euro të kursimeve private.
Arratisja
Për më shumë se 210 mijë anëtarë, shumica e investitorëve të vegjël, familjet, artizanët, pensionistët është një goditje e tmerrshme: kursimet e tyre të jetës u bënë tym. Shumë prej tyre mbyllën llogaritë, duke përkeqësuar më tej aktivitetet e bankave, të cilat përfundojnë në një krizë të likuiditetit.
BE
Banka Qendrore Europiane dhe Komisioni Europian kërkojnë përmirësim të treguesve, duke imponuar gjithnjë kritere më të rrepta. Në Vicenza vjen si CEO Fabrizio Viola, që Fondi Atlante do të emërojë edhe si kryetar i Komisionit Strategjik të Veneto Banca.
Muajt kalojnë pa ndonjë zhvillim, kriza thellohet dhe humbjet rriten. Pasi askush nuk ishte në dispozicion për të ndërhyrë, të dielën më 25 qershor 2017, Intesa Sanpaolo, në marrëveshje me kryeministrin Paolo Gentiloni dhe ministrin e Ekonomisë, Pier Carlo Padoan, hedhin hapin, duke përvetësuar një numër të aktiviteteve të dy ish-bankat popullore. Përfundon më 25 qershor një aventurë më se njëshekullore e Popolare di Vicenza dhe Veneto Banca. Të hënën, më 26 qershor, dy bankat hapen nën flamurin e Intesa Sanpaolo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.