ZTE njoftoi se bëri telefonatën e parë në 5G, por kur është bërë telefonata e parë në teknologjinë GSM? Po telefonata e parë në botë?
Jo vetëm Kina, telefonatat e para 5G në botë
Javën e kaluar, kompania kineze ZTE Corporation njoftoi se realizoi, në bashkëpunim me filialin e Guangdong të China Unicom, telefonatën e parë 5G në botë, me një smartphone prototip të ZTE gjatë provës në Shenzhen. Në provë u testuan edhe shërbime të ndryshme, si thirrja zanore e grupit Wechat, videot online dhe lundrimi në Web. Ky është testi i parë komercial në botë ku realizohet një telefonatë në modalitetin NSA, konform standardit Rel-15 3GPP.
Megjithatë, në shkurtin e vitit të kaluar, në Barcelonë, inxhinierët e Vodafone kanë kryer thirrjen e parë me standardin e ri 5G, nëpërmjet një pajisje Huawei. Pas telefonatës së parë u krye një videothirrje HD në kohë reale. Kjo u bë duke përdorur standardin 3GPP 5G NR Non-Stand Alone (NSA) dhe spektrin e frekuencave sub6 Ghz. Testi parashikonte dy thirrje, në fillim me një lidhje VOIP në 4G, duke vijuar më pas në 5G. Për këtë u krijua qëllimisht një rrjet end-to-end 5G NR, duke përdorur bandën e frekuencës 3,7GHz.
Telefonata e parë me celular
Ishte 3 prilli i vitit 1973, dita kur inxhinieri i Motorola-s, Martin Cooper, përdori për herë të parë një telefon celular (disi ndryshe nga telefonat që përdorim sot, shumë i rëndë). Martin mori në telefon rivalin e tij kryesor, Joel Engel, i cili drejtonte “Bell Labs”. Telefonata e parë me celular ishte rezultat i një “gare” mes drejtuesve konkurrentë. Do të kalonin vite që celulari i parë të dilte në treg dhe shumë të tjerë që të bëhej një mjet i zakonshëm për të gjithë.
Telefonata e parë GSM
Më 1 korrik 1991, kryeministri finlandez Harri Holkeri telefonoi nënkryetarin e bashkisë së qytetit Tampere, Kaarina Suonio në modalitetin GSM, ose Global System for Mobile Communications. Prej asaj dite nisi një tjetër epokë që ndryshoi rrënjësisht mënyrën e komunikimit, shpejtësinë e qarkullimit të informacionit dhe pjesërisht, edhe vetë gjuhën. “Radiolinja” (kompani finlandeze) ishte rrjeti i parë komercial që përdori GSM, duke krijuar mundësinë për herë të parë për të lundruar në internet dhe njëkohësisht për të kryer telefonata.
Telefonata e parë në histori
“Ejani këtu Watson, ju lutem. Kam nevojë për ju”. Ishte 10 marsi i vitit 1876 dhe Alexander Graham Bell bëri bisedën e parë telefonike në histori, në Boston. (Thomas Watson, asistenti i z. Bell).
Komunikimi i parë nëpërmjet telegrafit
Ishte viti 1837 kur Samuel Morse shpiku një sistem telegrafik elektrik me një kabllo, i cili me Kodin Mors kodifikonte shkronjat e alfabetit në sekuenca me impulse në dy kohëzgjatje të ndryshme (pika dhe rreshta). Më 24 maj 1844 u bë komunikimi i parë mes Washington DC dhe Baltimorës.
Burimi: Corriere della Sera
Kur u krye telefonata e fundit
ne treg