Në kuadër të tetorit Gjerman dhe veçanërisht të Ditës së Bashkëpunimit mes vendit tonë dhe Gjermanisë, në konferencën e organizuar për këtë qëllim, ambasadori Hoffman thekson rëndësinë e këtij bashkëpunimi, ku Shqipëria sipas tij ka një rol tepër themelor në rajon.
Më tej ambasadori vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në projekte të rëndësishme si ato për energjinë.“Angazhimi gjerman është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme mes dy qeverive që takohen në mënyrë të rregullt. Shqipëria mund të luaj një rol të rëndësishëm në projekte të përbashkëta. Kemi rënë dakord në shumë marrëveshje me Gjermaninë. Marrëveshja për energjinë dhe ndërtimi i linjës së energjisë me Malin e Zi dhe Kosovën e cila është strategjike. Kjo linjë strategjike u vendos në punë për të furnizuar shumë shqiptarë me energji. Që nga viti 1992 janë rregulluar dhe rehabilituar sistemi i furnizimit me ujë duke shpenzuar miliona euro për qytetarët shqiptarë. Po punojmë shumë afër me partnerët tanë shqiptarë dhe vlerësojmë bashkëpunimin me ta”- u shpreh ambasadori Gjerman.
Nga ana tjetër, në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh se gjermanët kanë shumë për të na mësuar dhe se modeli i tyre është padyshim një model i pastër suksesi në të
Sipas kryeministrit, duhet të shkëmbejmë përvoja, duke bashkuar forcat tona me ato gjermane, pasi në këtë mënyrë kemi vetëm për të fituar.
“Erdha me shumë kënaqesi në këtë takim, për të shprehur vlerësimin më të lartë për angazhimin e Gjermanisë në rajon dhe sidomos në vendin tonë. Një vend i madh që ne nuk e shohim thjesht si partner për rëndësine strategjike për zhvillimin ekonomik, por edhe burim lidershipi për qëndrueshmëri në rajon. Eksperienca modeste na jep mundesinë ta shohim dhe kuptojmë sa ndërmarrje e komplikuar është lidershipi, në kushtet e një Europe që ngjan më e gatshme për t’u çoroditur se kurrë më parë. Garancia për ecurinë e metejshme të Europës së bashkuar është pikërisht lidershipi i Gjermanisë, merita e kancelares së nderuar Merkel në këtë moment që jep siguri ekonomike për Europën, ajo i dha Ballkanit dhe shqiptarëve një perspektivë inkurajuese dhe shpresë të rilindur, për mundësinë për të ecur përpara të projektit europian. ‘, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër, Rama deklaroi se Gjermania është udhërrëfyese e Balkanit në një paqe të brishtë në të cilën ndodhet dhe është garanci për një Europë të sfiduar në kufinjtë e vet, nga ambicie të natyrave të ndryshme të vendeve qe po sfidojnë Europën e bashkuar.
Rama gjithashtu shprehu se angazhimi rajonal dhe bashkëpunimi më vendet e rajonit na vendos para përgjegjësie të dyfsishtë: të qenit në lartësinë e partnerit kaq serioz dhe përgjegjësia e të qenit në lartësinë e rolit që kërkon Gjermania në këtë moment delikat.
Kryeministri Rama nuk mbeti pa përmendur edhe bashkëpunimin e gjatë në fushën e ekonomisë dhe investimet e shumta që ka bërë Gjermania në vendin tonë. “ Gjermania i ka sjellë Shqipërisë 1 miliardë euro investime, me natyrë strategjike, në përmirësimin e sistemeve prioritare: energjia, uji, bujqësia, SME-të, mbrojtje e burimeve natyrore, turizmi, arsimi profesional. Të gjitha këto fusha që kanë kontribuar në ecurinë pozitive të vendit tonë. Theksoj edhe një aspekt tjetër: bashkëpunimi me Gjermaninë karakterizohet nga dialogu dhe një tjetër arsye pse projektet e financuara nga ky shtet kanë sukses është sepse bazohen në një dëgjim shumë të detajuar të nevojave dhe arsyeve për vlefshmëri, jo si instrument i veçuar por si pjesë e një zinxhiri vlerash. “, deklaroi kryeministri Rama.
“Nëse do të mund të bënim analizë të eficensës në përdorimin e parave, është donatori me eficensën më të lartë në raportin investim-cilësi produkti”, u shpreh më tej Rama. “Jemi të lumtur për shpejtësinë për nevojën e fokusin te arsimi profesional, si alternativë e punësimit real, zhvillimit ekonomik dhe barazpeshë sociale për të ardhmen tonë”.
Rama gjithashtu i është referuar edhe skuadrës gjermane të futbollit, ku u shpreh se edhe në sport, kombëtarja e Gjermanisë tregon sukses, emancipim, kemi shumë për të kuptuar nga kjo kulturë e skuadrës, brenda nesh por edhe në rajon.
Së fundmi, Rama mbylli fjalën e tij me falenderime për të gjithë stafin për bashkëpunimin dhe theksoi se Gjermania kërkon rezultat për çdo euro që jep për vendin tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.