Holandë, udhëtim falas në tren nëse keni me vete një… libër

12/04/2019 3:13 PM 0 komente

Këtë vit, kompania hekurudhore kombëtare holandeze Nederlandse Spoorwegen, ka ndërmarrë një nismë vërtet të veçantë – me rastin e Javës së Librit, që fillon çdo vit më 23 prill, mund të udhëtoni në tren, nëpër gjithë vendin, pa shpenzuar asnjë qindarkë.
Por, vetëm me një kusht! Të keni me vete një libër.

Që nga viti 1932, kur është zhvilluar për herë të parë Java e Librit (e njohur si Boekenweek), Holanda ka ndërmarrë gjithnjë nisma që nxisin leximin, duke organizuar festivale të letërsisë dhe prezantimin e autorëve në të gjithë vendin.
Për këtë vit, kushdo mund të udhëtojë në tren falas, në fundjavë, nëse mban një libër në dorë dhe ia tregon atë kontrollorit në vend të biletës.

Pak kohë më parë, një nga vagonët e Nederlandse Spoorwegen, ishte pajisur me një bibliotekë lëvizëse, me tapete, llamba leximi dhe tryeza për të vendosur librat e marrë hua, duke u krijuar udhëtarëve mundësinë për t’u zhytur në një mjedis stimulues. Çdo tavolinë kishte një libër që këshillohej nga personeli i trenit, edhe pse udhëtarët ishin të lirë të zgjidhnin në mënyrë të pavarur mes librave në rafte.

Ndër të tjera, si pjesë e traditës, një shkrimtar i famshëm holandez duhet të shkruajë një roman të veçantë, që do t’i dhurohet çdokujt që blen të paktën një libër në libraritë e vendit. Libri do të prezantohet nga autori në një nga trenat holandezë që i janë bashkuar nismës.

Holanda po nxit leximin, duke ofruar një mundësi të mirë për të udhëtuar falas në tokën e tulipanëve të zhytur mes kënaqësive të leximit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of