Pengesa më e madhe e presidentit Francois Hollande ndaj planit për të reduktuar shpenzimet publike franceze ka gjasa të vijë nga vetë radhët e socialistëve të tij.
Pasi kryeministri i tij i sapoemëruar, Manuel Valls, prezantoi detajet e një pakete prej 50 miliard euro (69 miliard dollarë) në shkurtimin e shpenzimeve javën e kaluar, ligjvënësi Laurent Baumel e quajti atë ‘të patolerueshme’, duke shtuar se ai është ‘një socialist, jo një Hollandist.’ Kolegu i tij Kristian Pali e konsideroi ‘të papranueshme.’ Senatori Marie-Noelle Lienemann, i cili u zotua të votojë kundër palnit, e quajti ‘devijim ekonomik’ bazuar në ‘dogmën për të reduktuar kostot e punës.”
Reagimi në mesin e një grupi ende të vogël por me influencë të ligjvënësve socialistë rrit rrezikun që Hollande të duhet të ‘zbusë’ planet e tij rreth reduktimit të deficitit, të mbështetet në votat e opozitës apo – më keq akoma – të përballet me zgjedhje në qoftë se dështon votimi mbi paketën.
Vetë Hollande nuk është i kërcënuar me mandatin e tij si president që zgjat deri në vitin 2017. Në të kundërt, qeveria e tij varet nga mbështetja në Asamblenë Kombëtare, ku socialistët kanë 290 vende kundrejt 289 vendeve të nevojshme për një shumicë absolute.
Hollande, popullariteti i të cilit vlerësohet në një nivel të ulët rekord, është i detyruar nga rregullat evropiane të ‘tkurrë’deficitin buxhetor. Me taksat në 46 për qind të prodhimit të brendshëm bruto – tashmë më e larta në zonën e euros – dhe revoltën tatimore të vitit të kaluar, ai nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përvec se të shkurtojë shpenzimet publike.