Pas më shumë se një vit pritjeje, qeveria miratoi kriteret dhe rregullat për klasifikimin e hoteleve. Ky dokument i hap rrugë përcaktimit të yjeve. Llojet që u lejohen bizneseve që ofrojnë vende akomoduese në vendin tonë janë tetë. Janë 421 kërkesa që do të bëhen për të gjithë hotelet në Shqipëri, duke nisur që nga kushtet e higjienës, cilësia e kuzhinës dhe lloji i gatimit e deri te pajisjet dhe shërbimi që klienti do të ketë në dhomë.
Çdo hotel duhet të arrijë që të mbledhë pikët minimale, në mënyrë që të marrë kategorinë e yjeve, nëse nuk e bën e këtë, atëherë ai nuk do të marrë certifikatën e klasifikimit dhe nuk do të mund të operojë dot sipas kategorisë që ai kërkon. Për të marrë dy yje, duhet që minimalisht të mblidhen 290 pikë, ku 151 janë për listën e kritereve të detyrueshme që ka vendosur ministria, ndërsa pjesën tjetër ai duhet ta kombinojë me kritere opsionale, të cilat i zgjedh vetë. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë të gjitha kategoritë.
Në bazë të këtij përcaktimi “Strukturë akomoduese” quhet ajo që vë në dispozicion të turistëve, vendas apo të huaj, individë ose të organizuar në grupe, për një periudhë kohe të pacaktuar, por jo më shumë se 1 vit, shërbimet e akomodimit (fjetje, ushqim, pije dhe shërbime të tjera), në përputhje me standardet e përcaktuara sipas klasifikimit dhe kategorizimit të saj”.
Kategoritë e strukturave akomoduese
Strukturat akomoduese do të përfshijnë kategoritë si më poshtë:
a) “Bujtinë” ;
b) “Fjetinë” (Hostel);
c) “Kamping”;
ç) “Hotel”;
d) “Motel”;
dh) “Resort”;
e) “Qendër kurative”;
ë) “Fjetje dhe mëngjes” (B&B)
Klasifikimi i strukturave akomoduese
Secila kategori e strukturave akomoduese klasifikohet me sistem të veçantë, e shoqëruar me shenjat dalluese përkatëse, sipas përcaktimit të mëposhtëm:
a) “Bujtinë” – Standard
b) “Fjetinë” (Hostel) – Standard, Komfort
c) “Kamping” – Standard
ç) “Hotel” – Dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje
d) “Motel” – Standard, Komfort, Superior
dh) “Resort” – Tre yje, katër yje, pesë yje
e) “Qendër kurative” – Dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje
ë) “Fjetje dhe mëngjes” (B&B) – Standard, Komfort, Superior.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.