Vlera e borxheve të krijuara nga organizatat buxhetore gjatë vitit të kaluar është 165 milion euro dhe këto obligime janë shqetësuese edhe për ministrin e financave Avdullah Hoti.
Pasojë e kësaj situate, njoftoi ministri, Qeveria ka marrë masa që asnjë organizatë buxhetore të mos mund të krijojë shpenzime në rast se ato nuk janë të reflektuara në buxhet, shkruan Telegrafi.
Hoti shqetësimin e Qeverisë e ka paraqitur para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, gjatë shqyrtimit të raportit financiar vjetor të buxhetit të Kosovës për vitin 2014.
Hoti deklaroi se të ardhurat e buxhetit të Kosovës gjatë vitit 2014 ishin mbi 1,64 miliard euro, ndërsa shpenzimet ishin 1,46 miliard. Duke përshkruar strukturën e të ardhurave, ministri Hoti theksoi se vetëm nga të ardhurat e doganës Kosova realizoi 871 milionë euro, ndërsa nga administrata tatimore u arkëtuan 272 milionë euro. Hoti deklaroi se ecuritë financiare në Kosovë gjatë vitit 2014 ishin brenda rregullave fiskale.
“Asnjë tender nuk mund të hapet nga Komisioni Rregullativ i Prokurorimit Publik nëse nuk merret miratimi nga thesari”, tha Hoti në fund.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.