Politikat e institucioneve të vendit e posaçërisht ato fiskale duhet të jenë në shërbim të fuqizimit të sektorit privat, duke pasur parasysh rëndësinë që ky i fundit ka për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kështu deklaroi Ministrit të Financave Avdullah Hoti me anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, shprehu gatishmërinë e anëtarëve të kësaj organizate për dialog konstruktiv me Ministrinë e Financave dhe me Qeverinë e vendit në përgjithësi për çështjet që afektojnë bizneset dhe mjedisin e të bërit biznes. Zeka tha se beson se Ministria e Financave do të vazhdojë të shtyjë përpara disa prej iniciativave të nisura më parë për lehtësira fiskale për investimet e reja.
Në anën tjetër, Ministri Hoti theksoi rëndësinë që ka fuqizimi i mëtejmë i dialogut ndërmjet komunitetit të biznesit dhe institucioneve për hartimin e politikave dhe ligjeve të cilat lehtësojnë mjedisin e bizneseve. Në mesin e përpjekjeve momentale të Ministrisë që ai drejton, Ministri Hoti përmendi diskutimet për uljen e pragut të TVSH-së, shtimin e përpjekjeve për luftimin e ekonomisë joformale, analizimin e mëtejmë të propozimit për pushime tatimore, lehtësirat e tjera fiskale të cilat do të mundësonin pozitë të barabartë konkurruese midis prodhuesve të industrive të caktuara dhe produkteve të importuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.