Ministri Ahmetaj, në një dalje për mediat, ka përshëndetur vendimin e BB për lëvrimin e një huaje të re për vendin tonë, në përpjekje për rrugën drejt BE-së.
Ministri listoi tre arsyet kryesore për mundësitë pozitive që ne përfitojmë, sipas tij:
– Së pari sepse këto fonde ofrohen me interesa tepër të vogla, në mbështetje të zhvillimit dhe të arritjeve të deritanishme. 1.2 Miliardë USD hua nga Banka Botërore do të mundësojnë avancimin e reformave dhe të masave që po merren nga qeveria në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të modelit të ri ekonomik.
– Së dyti, huaja do të mbështetet mbi ecurinë e reformave, pra është një garanci shtesë për të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vazhdohet intensivishtnë rrugën e nisur, për të sjellë një model funksional ekonomik, në rrugën pa kompromis të reformave në shërbim të qytetarëve dhe të sundimit të ligjit.
– Së treti tregon një diferencë të skajshme me programet që ishin kërkuar dhe konsideruar me qeverinë e mëparshme, duke treguar një besim në rritje jo vetëm nga Banka Botërore, por edhe nga të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë të vendit. Kjo në afatgjatë (pasi siç e theksova është mbështetje në 5 vitet në vijim) është një tjetër tregues se jemi në drejtimin e duhur.
‘Programi 5 vjeçar do të ketë si kolona të tij qëndrueshmërinë fiskale dhe stabilitetin financiar. Nga ana tjetër, do të ketë një fokus të veçantë tek mbështetja dhe rritjes së sektorit privat, një prioritet i përsëritur i qeverisë, që ka ndërmarrë politika zhvillimore nga dita e parë e mandatit të saj. Këtu dua të theksoj se do të punohet për rritjen e konkurrueshmërisë dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Viti i kaluar, viti 2014, ishte një vit shumë i rëndësishëm për rritjen e vendeve të reja të punës. Janë rritur gati 10 për qind vende të reja pune, rekord në 22 vite.Kolona e tretë është forcimi i sektorit publik dhe i implementimit të shërbimeve. Përmirësimi i klimës së biznesit është një nga elementët kryesorë të këtij programi që do të mbështetet drejtpërsëdrejti nga Banka Botërore.”- theksoi ministri.
Në fund, Ahmetaj tha se pas programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ky program me Bankën Botërore ka siguruar mbështetje të fortë për reformat dhe për modelin e ri ekonomik të Shqipërisë, duke sjellë rritje ekonomike të qëndrueshme, punësim dhe përmirësim të mirëqenies të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.