Huatë me probleme arrijnë në nivelin më të ulët nga 2010-a

10/01/2019 11:28 AM 0 komente

Huatë me probleme kanë shënuar një rënie në muajin nëntor, duke zbritur në 12.69% të totalit të huave që janë dhënë në sistemin bankar, u bë e ditur sot në statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në raport me një muaj më parë, ky tregues ka rënë me 0.33 pikë përqindje.

Ndërsa në raport me dhjetorin 2017, treguesi i kredisë së pakthyer në afat ka rënë me 0.54 pikë përqindje.

Pasi arritën në shtator 2014 në rreth 25%, në nivelin më të lartë që nga fillimi i viteve 2000, huatë me probleme kanë shënuar rënie të ndjeshme në periudhën e mëpasshme, si rrjedhojë e ristrukturimit të kredive, por edhe fshirjes nga bilanci të kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin në banka. Në nëntor 2018 treguesi ka zbritur në nivelin më të ulët që prej tremujorit të dytë 2010.

Guvernatori i Bankës së SHqipërisë ka deklaruar në daljen e fundit për media, se “Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 12.7% në muajin nëntor, duke ilustruar përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të sektorit bankar”.

Ai shtoi se normat e ulëta të interesit kanë ndihmuar ristrukturimin e kredive, duke lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit dhe duke përmirësuar stabilitetin e sistemit financiar.

Rënia e treguesit të kredisë me probleme (që matet në raport me totalin) do të kishte qenë më e lartë nëse kredia nuk do të ishte në stanjacion. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti kreditues ka vijuar të shfaqë norma të moderuara rritjeje gjatë tremujorit të tretë e muajve tetor e nëntor. Ecuria e kredisë gjatë kësaj periudhe ka reflektuar zhvillimet e plogështa mujore të kredisë për biznese. Sipas vlerësimit të bankave, kërkesa për kredi e bizneseve në tremujorin e tretë raportohet më e ulët se një tremujor më parë, ndërkohë që kushtet kanë mbetur në kahun shtrëngues.

Nga ana tjetër, kredia për individë ka vijuar të shfaqë rritje të qëndrueshme dhe të japë kontributin kryesor në zgjerimin e portofolit të kredisë. Megjithatë, portofoli i kredisë dominohet nga kredia për biznese, e cila përbën 66% të totalit. Në fund të muajit shtator, kredia për sektorin privat si raport ndaj PBB-së vlerësohet të jetë rreth 35.3%, e njëjtë me fundin e tremujorit të kaluar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of