Huatë me probleme rriten për të dytin muaj radhazi, sistemit i shtohen 22 milionë euro kredi të këqija

10/04/2019 11:00 PM 0 komente

Kreditë që nuk kthehen në afat në banka kanë shënuar rritje për të dytin muaj radhazi, pas rënies së fortë të fundit të vitit të kaluar.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i huave me probleme u rrit në 11.41% në shkurt, nga 11.34 që ishte në janar dhe 11.08% që u ul në dhjetor, në nivelin më të ulët që nga 2011-a.

Në vlerë absolute, në shkurt huatë e pakthyera në afat ishin gati 62 miliardë lekë, nga 59 miliardë lekë në dhjetor 2018, duke u rritur me 2.7 miliardë lekë, apo gati 22 milionë euro.

Tradicionalisht, në fund të vitit niveli i kredive me probleme ulet për shkak se bankat fshijnë nga bilancet huatë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa tendenca nuk u arrit që të ruhej të fillimin e 2019-s.

Banka e Shqipërisë ka pohuar në raportin vjetor 2018, se rreziku i kredisë vijon të përfaqësojë rrezikun kryesor të aktivitetit të sektorit bankar dhe financiar në tërësi, por ky rrezik ka ardhur duke u zbutur gjatë vitit 2018, si pasojë e masave të marra nga bankat për të fshirë dhe ristrukturuar kreditë me probleme dhe si rezultat i forcimit të monitorimit të rrezikut për kreditimin e bizneseve gjatë viteve të fundit. Mbulimi i kredive me probleme me fonde rezervë dhe kapital dhe i tepricës së kredisë me kolateral ka vijuar të jetë në nivele të përshtatshme.

Në fund të vitit 2018 raporti i kredive me probleme (RKP) shënonte 11.1% nga 13.2% një vit më parë, ndërkohë që teprica e kredive me probleme u zvogëlua me 20%. Përmirësimi më i madh në cilësinë e kredisë është regjistruar në kredinë në lekë, kredinë për bizneset, kredinë afatgjatë dhe kredinë për sektorin e tregtisë. Kredia për bizneset dhe kredia në valutë vijojnë të kenë cilësi më të dobët në krahasim me përkatësisht kredinë për individët dhe kredinë në monedhën vendase. Sektori i bujqësisë ka RKP më të ulët, ndërsa ai i industrisë RKP më të lartë.

Pesha e kredisë së pambrojtur në valutë ndaj kredisë në valutë dhe totalit të kredisë ka mbetur pothuajse e pandryshuar, por cilësia e kësaj kredie është përmirësuar ndjeshëm gjatë vitit 2018. Ky përmirësim ka ardhur për shkak të fshirjeve dhe ristrukturimeve, ndërkohë që forcimi i monedhës vendase mund të ketë dhënë ndikim pozitiv në aftësinë paguese të huamarrësve në valutë me të ardhura në lekë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of