Huatë me probleme zbresin në 13.2% në dhjetor, niveli më i ulët në 7 vjet

13/02/2018 10:02 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Sistemi bankar ka pasur ecuri shumë pozitive në vitin 2017 në drejtim të kthimit të kredive me probleme. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, huatë me afat në dhjetor arritën në 13.23% të totalit të kredisë, me një rënie të dukshme me 5 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%.

Ky është niveli më i ulët i huave problematike që nga dhjetori 2010. Më pas, teksa kriza ekonomike trokiti dhe në Shqipëri pasi nisi në botë, bizneset filluan të ndienin pasojat dhe të mos i shlyenin kreditë. Në 2013-n u shënua dhe niveli rekord, ku gati një e katërta e huave ishin në vonesë më shumë se tre muaj. Një tjetër faktor që ndikoi në përkeqësimin e portofolit të bankave ishte dhe përqendrimi i huave në pak kompani të mëdha, ku 35 sipërmarrje kishin mbi 60% të totalit të huave me probleme.

Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një proces ristrukturimi të huasë me probleme, një kombinim i fshirjes nga bilanci të kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, por edhe ristrukturimit të kompanive. Sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, pothuajse gjysma e 35 kompanive kanë ristrukturuar huatë dhe po i kthejnë gradualisht. Rreth 7 kompani vlerësohet se janë të falimentuara dhe nuk ka mundësi rikuperimi. Bankat nga ana e tyre kanë bërë dhe shkurtim të kredive për disa biznese (fshirje e një pjesë, kur kthehet një përqindje e caktuar).

Në vlerë absolute, kredia që nuk kthehet për më shumë se tre muaj është 72 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, nga 99 miliardë lekë që ishin në fund të 2016-s. Deri në fund të 6-mujorit të parë, bankat kishin fshirë në total nga bilancet 43 miliardë lekë, ose rreth 320 milionë euro.
Banka e Shqipërisë ka sqaruar në raportin e mbikëqyrjes së 6-mujorit të parë se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave.

Banka e Shqipërisë sqaron se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi.
Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare, thotë se rënia e raportit të kredive me probleme tregon se bilancet e sektorit bankar po përmirësohen dhe se rreziku i kreditit po vjen drejt reduktimit.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz