Lajmi për arrestimin në Kanada, me kërkesë të qeverisë amerikane të Meng Wanzhou, CFO (drejtuese e financave) e kompanisë Huawei dhe trashëgimtare e themeluesit të kolosit të telekomunikacioneve në Kinë, vjen në ishullin Maui, në Hawaii, gjatë prezantimit të gjeneratës së re të procesorëve Snapdragon, të kompanisë amerikane Qualcomm.
Nëse presidenti i Qualcomm Technologies, braziliani Cristiano Amon dhe bashkëpunëtorët e tij nuk japin asnjë koment, reagimet më interesante janë ato të 350 analistëve dhe gazetarëve ndërkombëtarë, të thirrur në Maui për të marrë pjesë në prezantimin e teknologjive të reja. Mendimi që mbizotëron është se arrestimi i Wanzhou do të shënojë ndryshim të ritmit në marrëdhëniet teknologjike midis dy vendeve, duke përfshirë kompanitë.
Edhe pse Carolina Milanesi, analiste në Creative Strategies, thotë se “mendoj se nuk do të ketë efekte të drejtpërdrejta në marrëdhëniet apo në zhvillimin e teknologjisë 5G. Siç e dimë, këtu ka kompani kineze që bashkëpunojnë me Qualcomm, marrëveshje për 5G në Kinë, aleanca me prodhues për teknologji dhe pajisje si Oppo, Vivo, Xiamo, OnePlus: të gjithë do të integrojnë procesor të Qualcomm në pajisjet e tyre. Arrestimi mendoj se nuk do të ndryshojë asgjë”.
Analisti turk i teknologjisë, Timur Sirt, mendon ndryshe. “Do të ndryshojë gjithçka, edhe pse jo menjëherë. Përplasja mes kinezëve dhe amerikanëve do të bëhet frontale. Dhe nëse përfshihet Pekini, mund të presim zhvillime të tjera. A do të bëjë presion Pekini te kompanitë e tjera kineze për të vënë në pikëpyetje marrëveshjet me amerikanët? Ndoshta. 5G është një teknologji delikate, ende në fillimet e saj, duhet të bërë shumë për ta zhvilluar atë siç duhet”.
Për shumë gazetarë dhe analistë, problemi nuk qëndron te siguria apo spiunazhi, por te lufta tregtare. Huawei ka kapërcyer Apple si prodhues botëror i telefonave (në vend të parë është Samsung) dhe synon të kapërcejë edhe Qualcomm si prodhues të chip-eve, elementi me vlerë më të lartë që u shtohet smartphone-ve dhe kompjuterëve.
Sipas Milanesi, është përpjekja që po bën tani në SHBA me kompjuterët personalë, të cilët, duke u mbështetur te Windows, “japin më shumë siguri te përdoruesit”, por nuk ka asnjë shans në tregun e infrastrukturës së rrjetit. “Amerikanët janë të vendosur ta largojnë jo vetëm në rrjetin qeveritar por edhe në SHBA dhe vendet mike” – thotë analisti britanik, Steven Bochko
Arrestimi perceptohet si një lëvizje politike. Ose jo. “Është çështje biznesi, thotë analisti rus Pavel Kushelev, jo politike. Dhe as spiunazhi. Nuk lidhet as me Echelon (program mbikëqyrje i drejtuar nga SHBA) apo me mundësinë e krijimit të pajisjeve të ‘pasigurta’”.
E vërteta është që askush nuk do që ta thotë që ata të Huawei janë spiunët më të mëdhenj të teknologjisë në histori; të gjithë e bëjnë, kjo ka ndodhur gjithnjë, por ata e kanë sjellë në nivel industrial. Deri më tani nuk ka qenë një problem, por tani është bërë. Dhe përballja me Amerikën është bërë e vazhdueshme.
Burimi: Il Sole 24 Ore