Huawei P20 Pro, smartphone “që mund të shohë në errësirë”

28/03/2018 12:29 PM 0 komente

Huawei sfidon Samsung dhe Apple në tregun e smartphone-ve, në të cilin qëndron në vendin e tretë në nivel botëror. Në një event në Paris, kompania kineze prezantoi P20, smartphone e ri, me të cilin synon të bëjë për vete përdoruesit (veçanërisht me sektorin fotografik).

Në skenën e Grand Palais, CEO i biznesit të konsumatorit të Huawei, Richard Yu, e krahason P20 me iPhone X dhe Galaxy S9. Jo vetëm është më i hollë dhe me një bateri më të fuqishme, por në cilësinë e fotove dhe videove, veçanërisht natën, nuk ka të krahasuar: “është më e mira e së mirës”.
Smartphone i ri i Huawei ka tre kamera në pjesën e pasme (modeli P20 Pro, versioni më i madh) dhe inteligjenca artificiale përmirëson cilësinë e fotografive.

Nëse Huawei P20 është një smartphone klasik me dy fotokamera dhe ekran LCD, Huawei P20 Pro vetëshpallet si një “Rilindje” e fotografisë. Në pjesën e pasme ka tre sensorë (40, 20 dhe 8 megapiksel të zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë gjermane Leica), të cilëve u shtohet edhe një fotokamera 24 megapiksel për selfie. Pikë e fortë është Inteligjenca Artificiale e integruar, që njeh nëse në objektiv është një mace, qen, borë, lule, një perëndim dielli, ujëvarë apo një person dhe përshtatet në përputhje me rrethanat.

Në veçanti Huawei P20 Pro ka ekran Oled 6,1 inç, me rezolucion 2.240×1.080 dhe raport 18:7.9. I hollë 7,8 milimetra, në pjesën e pasme të tij ka një sensor 20 megapiksel, një sensor Rgb 40 megapiksel dhe një teleobjektiv 8 megapiksel, të cilëve u shtohet flash-i dhe një sensor për temperaturën e ngjyrës.

Ndër veçoritë e tjera, përveç zoom-it hibrid 5X dhe Super slow-motion në 960 fps, falë teknologjisë Light Fusion hyn katër herë më shumë dritë në objektiv duke premtuar shkrepje me cilësi edhe kur ndriçimi nuk është i mirë. Për fotot e natës, stabilizatori shfrytëzon Inteligjencën Artificiale duke shfrytëzuar një ekspozim deri në 8 sekonda pa pasur nevojën e një stativi.

Po ashtu është edhe mundësia për të shkrepur më shpejt; me një klikim të dyfishtë në butonin e volumit, telefoni kalon nga gjendja standby te fotoja në 0,3 sekonda. Në një ambient me pak dritë, P20 Pro është një monstër, duke shkrepur foto me ndjeshmëri të lartë (ISO 102400)

Huawei P20 Pro ka procesor Kirin 970, 6 GB RAM dhe 128 GB memorie të brendshme. Sistemi operativ është Emui 8.1 i bazuar në Android Oreo 8.1. Bateria është 4000 mAh. Smartphone është rezistent ndaj pluhurit dhe ujit. Kushton 899 euro.

Ndërsa modeli P20 ka ekran Lcd 5,8 inç me rezolucion 2.240×1.080 dhe raport 18:7.9. Në pjesën e pasme ka dy kamera, me sensor mono 20 megapiksel dhe Rgb 12 megapiksel, ndërsa fotokamera në pjesën e përparme është 24 megapiksel. Huawei P20 ka procesor Kirin 970, 4 GB RAM dhe 128 GB memorie të brendshme. Bateria është 3400 mAh. Kushton 679 Euro.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz