Huawei, do të duhet të presim edhe pak për P20
Ndërkohë që Samsung mori gjithë vëmendjen në Mobile World Congress 2018 me prezantimin e modelit Galaxy S9, kompani të tjera kanë vendosur ta shtyjnë prezantimin e pajisjeve të tyre të top gamës. Kjo pak për shkak të strategjive të ndryshme të zhvillimit si dhe për të mos mbetur në hije nga marketingu i kolosit korean.
Këtë rrugë kanë ndjekur LG, e cila nuk e prezantoi gjatë këtij panairi smartphone-n e ri G7 dhe Huawei, i cili është një rival direkt i kompanisë koreanojugore. Modeli i ardhshëm P10, i cili mund të quhet edhe P20, do të ketë tre fotokamera në pjesën e pasme dhe do të prezantohet në një event në Paris më 27 mars. Por gjatë Panairit më të rëndësishëm të smartphone-ve që u zhvillua në Barcelonë, Huawei prezantoi pajisje të tjera: notebook dhe tablet – MateBook X Pro dhe tablet-in e serisë MediaPad M5.
Huawei Matebook X Pro
Huawei Matebook X Pro është një evolucion i modelit që doli në treg vitin e kaluar, një rival direkt i MacBook dhe Surface Book 2 të Microsoft dhe të gjithë laptop-ëve Windows. Është një notebook Windows 10 mjaft i hollë, me ekran 13,9 inç, ku spikat ekrani i ri 3K (3000 x 2000 piksel) te Huawei FullView touch. MateBook X Pro ka procesor Intel Core i5 ose i7 të gjeneratës së tetë, skedë grafike Nvidia GeForce MX150 me GDDR5, 2 GB.
Bateria është 57.4Wh dhe sipas Huawei garanton deri në 12 orë kur ju mund të shikoni video në rezolucion 1080P; 14 orë punë dhe 15 orë lundrim në internet.
Këto karakteristika e bëjnë atë një prej notebook-ëve më të lehtë dhe më të fuqishëm në treg. Është i disponueshëm në dy ngjyra, gri e lehtë dhe e errët (Space Grey dhe Mystic Silver), peshon 1.330 gramë dhe është i trashë 14,6 milimetra.
Kamera anti-spiun
Huawei ka integruar te ky notebook teknologjitë e zhvilluara tek smartphone-t. Butoni i ndezjes 2.0 (i cili bën një njohje të shpejtë të gjurmëve dixhitale) u lejon përdoruesve të hapin desktop-in e Windows në 7,8 sekonda pasi e kanë mbyllur dhe në 6,6 sekonda nga modaliteti standby. Për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve, fotokamera është vendosur në mënyrë diskrete mes butonave të tastierës. Për të hapur është e nevojshme ta shtypni. Çmimi nis nga 1.499 euro.
Huawei MediaPad M5
Huawei nuk heq dorë as nga sektori i tablet-ëve. Ai prezantoi në World Mobile Congress në Barcelonë serinë e tij M5, në formatin 8,4 dhe 10,9 inç. Ai vjen në dy ngjyra: Champagne Gold dhe Space Grey. MediaPad M5 ka ekran 2K me teknologji ClariVu 5.0, dy altoparlantë 8,4 inç dhe katër altoparlantë në versionin 10,8 inç, për të cilët kanë bashkëpunuar Harman Kardon dhe Huawei Histen.
Procesori është Kirin 960 (P10), me ndërfaqe EMUI 8.0: të dyja të prodhuara nga Huawei. Bateria është 5.100 mAh për versionin 8.4 inç e 7.500 mAh për versionin 10.8 inç, me teknologji QuickCharge nga Huawei. Nuk mungojnë “Pogo Pins” që ju mundëson ta lidhni tablet-in me tastierë. Po ashtu është edhe pena Huawei M-Pen. Çmimi: 399,90 euro për versionin M5 8,4 inç dhe 549,90 për modelin M5 Pro Lte 10,8 inç.