Huddersfield Town i jep fund pritjes së gjatë 45-vjeçare. Falë fitores 4-3 pas gjuajtjes së 11-metërshave ndaj Reading në finalen e play-off të Championship (Kategoria e Dytë Angleze), Huddersfield rikthehet në Premier League për herë të parë që pas vitit 1972, duke iu bashkuar Newcastle United dhe Brighton. Bëhet fjalë për ndeshjen më të kushtueshme të vitit.
Ata që mendojnë se është finalja e Champions League ndeshja me përfitimet më të mëdha, gabohen.
Nëse në finalen e Champions League, Juventus – Real Madrid, diferenca mes fituesit dhe humbësit do të jetë veç 4 milionë euro, në finalen e play-off në Wembley, fituesi merr gjithçka.
Huddersfield ka fituar të drejtën e një mega kontrate në termat e së drejtës televizive, që karakterizon Premier League-n angleze.
Mjafton të themi se këtë vit, Sunderland ishte skuadra që ka përfituar më pak të ardhura (99 milionë euro), shifër stratosferike për një skuadër të renditur në vendin e fundit në Premier League.
Sa u përket dy klubeve finaliste të play-off, të ardhurat vjetore të Reading janë 26 milionë sterlina në vit, ndërsa Huddersfield, 11 milionë. Të dy klubet kanë një tavan pagash më të madh se të ardhurat vjetore: (31 milionë për Reading dhe 13 për Huddersfield).
Sigurisht që sezonin e ardhshëm, qëllimi kryesor i Huddersfield Town do të jetë mbijetesa në Premier League, por klubi do të përfitojë 170 milionë sterlina në tre sezonet e ardhshme.
Dean Hoyle e ka blerë klubin në vitin 2009. Në fillim të sezonit, ai uli çmimet e biletave – mesatarja e çdo ndeshjeje ka qenë 20 mijë tifozë krahasuar me 13 mijë sezonin e kaluar.
Pra Huddersfield, thjesht me pjesëmarrjen në elitën e futbollin anglez, përfiton pothuajse aq sa Juventus që është shpallur kampione në Serinë A.
Ky është një sukses i madh për trajnerin gjerman David Wagner, nxënësi i Jurgen Klopp, i cili është rritur nën hijen e trajnerit të Liverpool-it gjatë periudhës kur ky i fundit drejtonte Borussia Dortmund. Në atë kohë, Wagner drejtonte ekipin e dytë të Dortmund (Borussia Dortmund II) për katër sezone, nga 2011-2015 dhe tashmë do të rigjejë mikun e tij të ngushtë sezonin e ardhshëm në Premier League.