Hungari/ Marrëveshjet e M&A arritën në 2.7 miliardë euro vitin e kaluar

11/02/2018 9:07 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në 2017, Kina rezultoi të ishte investitori më i madh në vendet e Europës Qendrore, Juglindore dhe Lindore, të dhëna këto sipas një raporti të publikuar nga kompanitë e konsulencës CMS dhe EMIS. Kina e rriti vlerën e investimeve në rajon me 78% në 7.7 miliardë euro.

Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në gazetën “Budapest Business Journal”, raporti i M&A (përcaktimi i çmimit në bashkimet dhe blerjet e ndërmarrjeve) 2017/18 tregon tendencat në 15 vendet në zhvillim të Europës Qendrore dhe asaj Lindore: Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Malit të Zi, Polonisë, Rumanisë, Rusisë, Turqisë dhe Ukrainës, bazuar në të dhënat e marra nga EMIS për periudhën 2012-2017, të kombinuara me parashikimet për 2018 të ofruara nga CMS.

Kina e rriti vlerën e investimeve në rajon me 78% në 7.7 miliardë euro. SHBA mbeti investitori më i madh për sa i takon numrit të marrëveshjeve, me 92 transaksione në vitin 2017. Raporti vëren se këto rezultate mund të shihen si një tregues i mirë i vijueshmërisë së rajonit, teksa investimet e brendshme vazhduan të dominojnë aktivitetin.
Investitorët rusë arritën 603 marrëveshje me vlerë 22,5 miliardë euro, ndërsa investitorët polakë negociuan 166 marrëveshje me vlerë prej 4,3 miliardë eurosh.

Ka pasur tregues të një ringjalljeje edhe në Ukrainë, pavarësisht tensioneve në lindje të vendit, gjë që pasqyrohet edhe në rritjen me 67% të aktivitetit të M&A, ndërsa Hungaria përjetoi rritjen më të lartë (126%) në vlerën totale të marrëveshjes, në 2.7 miliardë euro.
Si vendi më i madh në rajon, Rusia përjetoi nivelet më të larta të aktivitetit M&A në 2017, me 671 marrëveshje me vlerë 36.7 miliardë euro. Rumania pa një rritje të shëndetshme në aktivitetin e M&A, me rreth 13% rritje në volumin e marrëveshjeve dhe 64% rritje në vlerë. Rritja e fuqishme ekonomike në Poloni rezultoi në një treg të transaksioneve të forta, me një rritje prej 3% në volumin e marrëveshjeve në 288.

Në përgjithësi, Europa në zhvillim shënoi një vit të mirë në lidhje aktivitetin e M&A, duke e mbyllur 2017 me 2,113 marrëveshje në të gjithë rajonin, rreth 6% më shumë krahasuar me vitin 2016. Vlera e marrëveshjeve arriti në 71.5 miliardë euro, një rënie modeste nga 2016, por më e lartë se ajo e viteve 2014 dhe 2015.

“Me rritjen ekonomike që tejkalon të gjitha ekonomitë e mëdha, një mjedis të favorshëm për investimet e huaja dhe financimin e BE-së, dhe një popullsi gjithnjë e më të pasur me më shumë se 100 milionë njerëz, EQL po shndërrohet në një treg më tërheqës, komentoi Radivoje Petrikić, anëtar i CMS. Arritja e një numri të tillë marrëveshjesh tregon se EQL-ja mbetet një faktor kyç për investitorët ndërkombëtarë, pavarësisht nëse duan t’i përdorin në mënyrë direkte tregjet e tyre apo t’i përdorin ato për të prodhuar mallra për eksport”, shtoi ai.

Në të gjithë rajonin, sektori më aktiv ishte ai i Pasurive të Paluajtshme, me një total prej 390 marrëveshjesh me vlerë 16.9 miliardë euro, e ndjekur nga Industria Prodhuese dhe më pas nga Teknologjia. Polonia ishte tregu më aktiv për listat e reja të bursës, me Ofertën Fillestare Publike (IPO) me vlerë afër 1.8 miliardë eurove në total.

Raporti vuri në dukje se rajoni i EQL-së mbetet një vend tërheqës për investitorët dhe prodhuesit ekzistues që kërkojnë të zgjerohen më shumë në rajon. Në përgjithësi ne jemi optimistë, se 2018 do të jetë një vit më i mirë në drejtim të aktivitetit të M&A, tha Stefan Stojanov, Drejtori i Databazës në EMIS.
Rritja ekonomike në EQL / EJL, së bashku me financimin e lirë ende, i shndërrojnë këto rajone në targetin kryesor të investitorëve.
Së fundmi, renditja e Kinës, si një prej investitorëve më të mëdhenj në EQL/ EJL vitin e kaluar, mund kuptohet si një element pararendës i shumë të tjerave që do të vijnë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of