Është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi për “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
Ndryshimet synojnë bashkërendimin e masave mbrojtëse për interesat e pronarëve dhe mbrojtjen e palëve të treta në një transaksion tregtar, në rastet e pavlefshmërive të themelimit të shoqërive tregtare, pasojat e pavlefshmërisë për palët e treta në mirëbesim, si dhe përcaktimin e afateve të parashkrimit të padive përkatëse. Direktiva nr. 109 synon përafrimin në lidhje me kërkesat për raportimin dhe dokumentimin në rastin e bashkimit apo të ndarjes së shoqërive tregtare.
Ndryshimet trajtojnë pavlefshmërinë në themelimin e shoqërive tregtare për pasojat e pavlefshmërisë, sidomos për palët e treta në mirëbesim, si dhe për përcaktimin e afateve të përshkrimit të padive përkatëse.
Ndryshimet përafrojnë më tej ndarjen e kompetencave midis organeve të shoqërisë, të drejtat e përfaqësuesve ligjorë dhe mbrojtjen e palëve të treta, që në mirëbesim kanë lidhur marrëdhënie tregtare me shoqëritë.
Gjithashtu ndahet personaliteti juridik i shoqërisë nga personaliteti i ortakëve apo aksionerëve të shoqërisë. Kjo ndarje kufizon rrezikun e përgjegjësive që ortakët apo aksionerët e një shoqërie, qoftë sh.a. apo sh.p.k., mund të ketë në një investim jo rentabël, duke parashikuar se përgjegjësia e tyre personale për detyrimet ndaj shoqërisë tregtare të shtrihet deri në pjesën e pashlyer të kontributeve të nënshkruara.
Përmirësimet e sjella në nenin 4 të projektligjit, ndryshimi i propozuar, parashikojnë për shoqëritë aksionere që çdo marrëveshje, që kërkon miratim pas nenit 13 të ligjit nr. 9901, t’u njoftohet aksionerëve sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 72 orë ose 3 ditë nga dhënia e miratimit të marrëveshjeve përkatëse nga këshilli i administrimit apo këshilli mbikëqyrës. Vendosja e afatit për këtë njoftim do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e transparencës së vetë shoqërisë.
Element tjetër i rëndësishëm është që të njësohen të drejtat e minorancës dhe të kreditorëve të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, me ato të parashikuara për shoqëritë aksionere në lidhje me shfuqizimin e vendimeve të parregullta, kur mund t’i marrin administratorët.
Parashikohen shkaqet e prishjes së shoqërisë kur i mbaron kohëzgjatja për të cilën është themeluar, me përfundimin e procedurave të falimentit apo në rast të pamjaftueshmërisë së pasurive për të mbuluar shpenzimet e procedurës së falimentimit në rastet kur objekti bëhet i parealizueshëm për shkak të mosfunksionit të vazhduar të organeve të shoqërisë apo edhe për shkaqe të tjera, që e bëjnë absolutisht të pamundur vazhdimin e veprimtarisë tregtare, si edhe në rastet e pavlefshmërisë së themelimit të shoqërisë apo me vendimin e ortakëve etj.
Ndryshimet parashikojnë ndarjen e kapitalit të një sh.p.k-je sipas numrit të ortakëve dhe të drejtat e votës të lidhura me kuotën e tyre. Parashikohet se administratori në çdo kohë mund të heqë dorë nga detyra e tij, duke njoftuar QKR-në, e cila nuk e regjistron dorëheqjen e administratorit pa pasur një vendim të asamblesë për zëvendësimin e tij.
Ndryshimet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.