Hyn sot në fuqi ligji antiduhan, ndërsa monitorimet do të nisin më datë 25 gusht. Siç edhe u premtua, për të bërë të mundur zbatueshmërinë e ligjit, puna e Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë ka nisur fillimisht me institucionet shtetërore, për të vijuar më pas me bizneset. Fakti konfirmohet nga një shkresë zyrtare, dërguar të gjitha ministrive, dy ditë më parë, ku kërkohet plotësimi i disa detyrave, në lidhje me marrjen e masave paraprake, për ndalimin e konsumimit të duhanit në zyra apo në mjedise të tjera të godinës. “Në zbatim të ligjit, datë 16/11/2006 ‘Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit’ i ndryshuar, këto ditë, me autorizim të Ministrisë së Shëndetësisë (Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor), një grup inspektimi ka filluar punën për monitorimin e zbatimit të këtij ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit në të gjitha institucionet shtetërore. Për këtë qëllim, grupi ka lënë disa detyra për t’u zbatuar, si: vendosja në vende të dukshme të tabelave me logon ‘Ndalohet duhani’; heqja e tavllave të duhanit nga ambientet e zyrave dhe mjediset e tjera të godinës; ndalimin e tregtimit në ambiente të institucionit të duhanit në automate dhe hartimin e një rregulloreje të brendshme për ndalimin e duhanit”, thuhet në shkresën zyrtare të Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë, drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore në vend. Sipas tij, të gjitha këto masa janë të detyrueshme për t’u zbatuar sa më parë nga institucioni, në të kundërt, mosrespektimi i këtyre kritereve dhe pirja e duhanit në ambientet e punës do të përbëjnë kundërvajtje administrative. “Ata që do të shkelin ligjin duke mos zbatuar masat e sipërpërmendura do të dënohen me gjobë deri në 50 000 lekë si për konsumatorin e duhanit edhe për përgjegjësin për ambientet. Monitorimi nga grupi i punës dhe nga personi përgjegjës i Ministrisë së Financave, do të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë kohës, duke filluar nga data 25.08.2014. Mësohet se gjobat do të ndahen në tri nivele në rend zbritës, për kundërvajtjen administrative të duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura. “Gjoba për pronarin e mjedisit publik të mbyllur do të jetë 300 000 lekë, gjobë për administratorin e mjedisit publik të mbyllur 50 000 lekë dhe gjobë për individin duhanpirës në mjedise publike të mbyllura 5 000 lekë”, sqarojnë burime në Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor. Lidhur me shumat që do të paguajnë shkelësit, disa ditë më parë, kreu i Inspektoratit të Shëndetësisë, Eltar Deda, sqaroi për gazetën “Shqip”, se përveç ndëshkimit, do të ketë edhe tolerime. Kjo e fundit, për sa u takon parave që do të paguajë i penalizuari, do të përfitojë ulje të çmimit, nëse e paguan gjobën përpara afatit. E kundërta do të ndodhë me qytetarët, që do të refuzojnë të paguajnë, pasi ata jo vetëm që do të paguajnë shumën e gjobës, por do të paguajnë edhe kamatëvonesën, ndërsa do të ndiqen edhe penalisht. “Ligji e ka të përcaktuar qartë dhe prerazi tashmë, se kush e shkel atë, do të ndëshkohet deri në masat ekstreme. Për rastet që refuzojnë të kryejnë pagesën, do të jenë organet përmbaruese dhe tatimore, të cilat do të mundësojnë vjeljen e gjobës, pasi të ketë kaluar të gjitha shkallat ligjore të ankimimit, nga çdo biznes dhe individ”, shpjegoi Deda për “Shqip”, disa ditë më parë. Për të ndërgjegjësuar mbarë opinionin publik, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë, bëri me dije se Radio Televizioni Publik do të transmetojë programe edukative çdo muaj, me një kohëzgjatje minimale prej 90 minutash, duke shpjeguar rreziqet e produkteve të duhanit dhe ndikime të tjera të dëmshme. Këto programe do të transmetohen nga ora 08:00-22:00, duke mundësuar transmetimin e disa programeve të tilla, prej 30 minutash, në orën 17:00-22:00. Po ashtu, një tjetër ndihmë do të japin edhe faqet e internetit të institucioneve publike, në të cilat do të publikohen mesazhe paralajmëruese për ndikimet e duhanpirjes në shëndet dhe rreziqet nga produktet e duhanit. Një nga risitë e ligjit antiduhan është parashikuar dhe për sa i përket kategorizimit të mjediseve publike të mbyllura, duke përfshirë edhe taksitë në kategorinë e mjeteve të transportit publik dhe çerdhet në kategorinë e institucioneve arsimore.
/Gazeta Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.