Qeveria ka miratuar sot, me vendim të Këshillit të Ministrave projektligjin për faljen e pagesave dhe detyrimeve, të cilat përllogariten në shumën e 90.97 miliardë lekëve.
Ministri i Financave tha se kjo falje krijon balancën e duhur në atë betejë kundër informalitetit që tashmë është në fazën e tretë dhe aktualisht po krijohen të gjitha kushtet për një marrëdhënie të re me sipërmarrjen.
“Ky ligj është një premtim i mbajtur, por mbi të gjitha është tejet i qartë, lehtësi të ndjeshme në terrenin fiskal dhe ekonomik të vendit”, tha ministri Ahmetaj.
Me anë të këtij projektligji synohet:
• Të fshihen detyrimet fiskale përfshirë principalin, kamatëvonesën dhe gjobën, për periudhat përpara Dhjetor 2010, për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj;
* Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën 2011-2014 me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paguhet e plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
* Fshirja me të njëjtat kushte e detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë.
* Fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore me kushtin e pagesës së kontributit, nisur nga fakti se ky është një kontribut që I është mbajtur të punësuarit nga punëdhënësi dhe si i tillë duhet paguar në buxhet për qëllime të sigurimit të detyrueshëm dhe përfitimit të pensionit.
* Gjobat e gjeneruara nga sistemi në mënyrë automatike për deklarimin e kontributeve, pavarësisht periudhës së cilës i përkasin (ato gjoba që qytetarët e mbajnë mend, në qershor 2016 kur u kalua në sistemin informatik të plotë dhe automatik online. Fshirja e gjobave për deklarimin e kontributeve ishte një premtim i drejtpërdrejtë që Kryeministri dhe qeveri ia kaloi drejtpërsëdrejti dhe në transparencë të plotë qytetarëve, që atë ditë që shqetësimi u bë i ditur.
* Përfshihen këtu edhe rastet e gjobave referuar neneve të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.
* Heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri më dhjetor 2011, si dhe shuarjen e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu për mjetet e transportit të cilat nuk hiqen nga qarkullimi parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat para 2010 dhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 2011-2014, me kusht pagesën e detyrimeve 2011 e në vijim. Pra është parimi i pagesës së principalit për fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave.
* Nisur nga situata e detyrimeve të akumuluara ndërmjet operatoreve të sektorit elektroenergjetik me kapital 100 % shtetëror dhe sektorit të ujësjellës-kanalizime, si sektorë strategjikë të ekonomisë dhe në reformë të thellë, kemi parashikuar që për këta operatorë, të fshihen edhe detyrimet tatimore të papaguara, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe detyrimet e vetëdeklaruara nga këta operatorë, dhe që u përkasin periudhave Janar 2011 deri Dhjetor 2013. Ndërkohë, për këta operatorë, për periudhën janar 2014-dhjetor 2014 do të aplikohet fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave me kusht pagesën, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, e tatimit/taksës/tarifës/kontributit. Pra ndryshimi i vetëm për këta sektorë krahasuar me kategoritë e tjera, është periudha 2011-2013 kur fshihen në total detyrimet dhe jo në mënyrë të kushtëzuar, si kompani me kapital 100% shtetëror!
* Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datë 31.12.2016.
* Nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, që kanë një vendim gjyqësor të formës së prerë si të dënuar penalisht për evazion fiskal dhe kontrabandë.
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj parashikon pagesën dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të papaguara, të detyrimeve të pagueshme në doganë si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore të papaguara.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. Detyrime tatimore të papaguara, – tatimi/kontributi/taksa/tarifa, kamatëvonesa dhe çdo dënim administrativ i lidhur ose jo me një lloj tatimi/takse/tarife/kontributi, sipas ligjit nr.9920, datë 19.8.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ose ligjeve të tjera tatimore.
2. Detyrime të pagueshme në doganë, – detyrime të papaguara që kanë subjektet ndaj autoritetit doganor, përkatësisht taksa doganore, TVSH-ja, akciza, renta, taksë ambalazhi, taksa qarkullimi, taksë karboni, gjoba, kamatëvonesa, interesa kompensuese.
3. Subjekt, – individi, personi fizik, personi juridik.
4. Detyrime tatimore të evidentuara në llogarinë e subjektit,- dënimet administrative të konstatuara nëpërmjet aktkonstatimit deri në datën 31.12.2016.
5. Detyrime tatimore të regjistruara në llogarinë e subjektit, – detyrime, njoftim-vlerësimi për të cilat është lëshuar deri në datën 31.12.2016.
Neni 3
Subjektet që përfitojnë
Nga përcaktimet e parashikuara në këtë ligj, përfitojnë:
a) subjektet e regjistruara në regjistrin aktiv, pasiv ose të çregjistruar për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11, të këtij ligji;
b) subjektet debitorë ndaj administratës doganore për detyrime sipas neneve 9, 10 dhe 11, të këtij ligji;
c) subjektet pronarë të mjeteve të transportit, siç përcaktohet në nenin 12, të këtij ligji.
Neni 4
Subjektet që nuk përfitojnë
Nga fshirja e detyrimeve e parashikuar sipas këtij ligji nuk përfitojnë subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, të cilët janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës.
Neni 5
Fshirja e detyrimeve tatimore
1. Fshihen detyrimet tatimore të papaguara, sipas përcaktimit në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë dhe që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Fshihen detyrimet e papaguara, të përcaktuara sipas ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë.
3. Fshihen dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.
Neni 6
Fshirja pjesore e detyrimeve tatimore me kusht pagimin e tatimit/taksës/tarifës/kontributit
1. Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi, për:
a) detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;
b) kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014;
c) taksat/tarifat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014.
2. Ky nen zbatohet edhe në rastin kur tatimi/taksa/tarifa/kontributi është paguar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 7
Fshirja e detyrimeve tatimore të tjera
Janë, gjithashtu, objekt i fshirjes, sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore së cilës i përkasin:
a) Detyrimet tatimore, përfshirë tatimin/kontributin/taksën/tarifën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për subjektet persona fizikë ose juridikë që rezultojnë të çregjistruar në QKB me vendim gjykate apo që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
b) Dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar, sipas nenit 113, të ligjit nr.9920, datë 19.8.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve;
c) Dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara, sipas ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016;
ç) Dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.6.2017;
d) Dënimet administrative (gjobat) për shoqëritë e autorizuara, të parashikuara në nenin 123, të ligjit nr.9920, datë 19.8.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të evidentuara në llogarinë e subjektit nëpërmjet aktkonstatimit, deri në datën 31.12.2016;
dh) Dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/2015, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.8.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese;
e) Përveç sa parashikohet në nenin 5, fshihen detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe të detyrimeve të vetdeklaruara e të papaguara të shoqërive që operojnë në sektorin elektro-energjitik dhe janë 100% me kapital shtetëror, që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri 31.12 2013.
Për detyrimet e këtyre shoqërive, për periudhën janar – dhjetor 2014, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
ë) Përveç sa parashikohet në nenin 5, fshihen detyrimet tatimore të papaguara, sipas përcaktimit në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të shoqërive që operojnë në sektorin ujësjellës-kanalizime dhe janë 100% me kapital shtetëror, që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri 31.12 2013.
Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën janar – dhjetor 2014, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e tij, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
f) Shuhen efektet tatimore për detyrime të papaguara, të regjistruara ose jo apo në proces kontrolli, si pasojë e lëshimit jo brenda së njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH-ja ose si pasojë e moslëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që, në çdo rast, aplikimi pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të jetë paraqitur deri më 31.12.2014.
Neni 8
Kompensimi i detyrimeve debitore me gjendjen kreditore dhe tepricën kreditore të TVSH-së
1. Subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11, të këtij ligji, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar.
2. Në rastet kur teprica nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit dhe kamatëvonesës së papaguar, atëherë duhet të kryhet pagesa për pjesën e mbetur, sipas nenit 6, dhe më pas bëhet fshirja e dënimeve administrative.
3. Përcaktimet e këtij neni për kompensimin zbatohen automatikisht, pa kontroll, përveç rasteve të parashikuara në pikën 1, të nenit 11, të këtij ligji, për të cilat ky nen zbatohet kur subjekti heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.
4. Sipas këtij neni, kompensimit nuk i nënshtrohen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Neni 9
Fshirja e detyrimeve të pagueshme në doganë
1. Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2010.
2. Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara për individët, lidhur me produktet e duhanit, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2016.
3. Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë e pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi, deri në datë 31.12.2016.
Neni 10
Pagesa e detyrimit dhe fshirja me kusht e detyrimeve të pagueshme në doganë
1. Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2014, fshihen, me kusht që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese.
2. Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2016, fshihen, me kusht që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat.
Neni 11
Detyrimet tatimore dhe doganore që janë në proces ankimimi
1. Subjekti, i cili është në proces ankimimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore/detyrimet e pagueshme në doganë, i nënshtrohet këtij ligji nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente.
2. Administrata tatimore ose doganore, për detyrimet që fshihen sipas këtij ligji, në rastin kur i ka filluar, ndërpret procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve. Për detyrimet tatimore ose doganore që nuk përfitojnë nga falja sipas këtij ligji, procedurat e mbledhjes së detyrimeve vijojnë të kryhen sipas përcaktimeve në legjislacionet përkatëse.
Neni 12
Procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve që nuk janë në përdorim dhe fshirjes së detyrimeve tatimore për këto mjete
1. Përveç sa parashikohet në këtë ligj, në përputhje me përcaktimet sipas këtij neni, hiqen nga qarkullimi të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të cilat nuk është kryer asnjë veprim me këto mjete pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim.
2. Në zbatim të pikës 1, të këtij neni, heqja nga qarkullimi i këtyre mjeteve bëhet pasi fshihen detyrimet tatimore të papaguara për to, si: taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksa vjetore e qarkullimit rrugor, taksa vjetore e mjeteve të përdorura, taksa e mjeteve luksoze si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. Subjektet/personat përgjegjës kanë të drejtë që, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij.
3. Personave, të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, u fshihen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen.
4. Nëse brenda 6 muajve, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor do të kryejë, pa pagesë, heqjen nga qarkullimi të mjetit dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të tij.
5. Lista e mjeteve, me targat përkatëse, të çregjistruara sipas këtij ligji, i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit për bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.
Neni 13
Afati i zbatimit dhe e drejta e ankimit
1. E drejta e subjekteve që përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji ushtrohet brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
2. Subjektet, për të cilët fshirja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë fshirje të detyrimit nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj.
3. Për çdo subjekt që përfiton ose jo nga fshirja e detyrimeve, organi përkatës nxjerr një akt administrativ për këtë qëllim, duke njoftuar edhe subjektin.
4. Subjektet, të cilat sipas një vendimi të administratave përkatëse nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në gjykatën administrative sipas legjislacionit të fushës në fuqi.
Neni 14
Organet zbatuese dhe afati për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë
1. Brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, organet përkatëse fshijnë nga regjistrat e tyre kontabël dhe nga llogaria e subjektit debitor detyrimet që fshihen sipas këtij ligji.
2. Ngarkohen administrata tatimore, qendrore/vendore, doganore, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor për zbatimin e këtij ligji.
Neni 15
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ministri i Financave nxjerr udhëzim për zbatimin e këtij ligji.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PAGESËN DHE FSHIRJEN E PJESSHME TË DETYRIMEVE TATIMORE, DETYRIMEVE TË PAGUESHME NË DOGANË, SI DHE PROCEDURËN E HEQJES NGA QARKULLIMI TË MJETEVE TË TRANSPORTIT PAS FSHIRJES SË DETYRIMEVE TATIMORE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit shoqërues që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Te pandershmit fitojne ne cdo rast. Bizneset e pandershme qe kane perdorur metoda te cilat kane cenuar konkurencen e ndershme pjeserisht edhe duke mos paguar detyrimet tatimore shperblehen serish. Pse duhet qe nje biznes i ndershem te paguaje detyrimet tatimore normalisht ne kohe te cilen mund te beje evazion fiskal dhe detyrimet t’i falen serish ne nje kohe te mevonshme. Individet per automjetet me taksa te papaguara – administrata publike mund t’i vertetoje me se mire nese ka automjete ne qarkullim te cilat nuk kane paguar detyrimet por per shkak te politikes dhe korrupsionit nje gje e tille ndodh, nderkohe… Read more »