Hyri sot në fuqi për shkak të botimit në Fletoren Zyrtare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e pagave referencë për efekt të sigurimeve shoqërore ndaj profesioneve të lira.
Në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese vendosi si të papajtueshëm me Kushtetutën nenin 4 të ligjit nr. 143/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9136, datë 11.09.2013 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” .
Në janar të këtij viti, Ministria e Financave vendosi intervalin e pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve që shtrihet nga 41,250 lekë deri 73,800 lekë në muaj sipas kategorizimit të bashkive. Në bazë te këtyre shumave, profesionet e lira (si avokatë, përmbarues, inxhinierë, veterinerë, farmacistë, dentistë etj.) do të paguajnë detyrimet mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Gjykata Kushtetuese e argumentoi vendimin e saj, duke gjykuar se është shkelur parimi i barazisë. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane “Parimi i barazisë nuk lejon që të njëjtat t’i trajtosh ndryshe dhe të ndryshmet në thelb t’i trajtosh njësoj”.
Gjykata, referuar edhe aktit të ekspertimit, konstaton se “kriteret që vendosin dispozitat e mësipërme në llogaritjen dhe diferencimin e kontributeve nuk bazohen në një analizë teknike apo në eksperienca botërore të provuara më parë. Ato krijojnë elemente të reja pabarazie, barrë shtesë administrative për administratën shtetërore dhe tatimpaguesit, vështirësi teknike dhe pasiguri juridike me shumë elemente subjektiviteti.
Ligji nuk mbështetet në kritere të studiuara shkencore dhe nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të njohura përgjithësisht. Kriteret e vendosura janë komplekse dhe jo të përcaktuara mirë, fakte që çojnë në zbatim jo eficient të sistemit. Vlerësimet e bëra nuk janë të mbështetura në një linjë logjike, bazuar në nivelin e të ardhurave dhe fitimeve…Është e pamundur llogaritja e saktë e peshës së çdo kriteri në përcaktimin e pagës referuese, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës.
Gjykata vlerëson se në çështjen në shqyrtim është evidente se masa e kontributit të detyrueshëm është rritur ndjeshëm nga 230% në 350%, si pasojë e parashikimit të kritereve komplekse nga ligji dhe po ashtu të vendosjes nga KM-ja si pagë referuese vetëm të një page fikse në vend të një page minimale dhe maksimale.
Kjo zgjedhje e ligjvënësit nuk ka arritur të respektojë raportin e drejtë midis interesit publik dhe garantimit të mirëfunksionimit të skemës së sigurimeve shoqërore, me qëllim final rishpërndarjen efektive të fondeve të pensionit.
Gjykata rithekson se pavarësisht diskrecionit që ka ligjvënësi për të vepruar brenda hapësirës së tij normuese, duke përcaktuar qartë dhe rast pas rasti qëllimet që kërkon të arrijë, është e papranueshme në shtetin e së drejtës ndërmarrja dhe miratimi i nismave ligjvënëse të pabazuara në studime paraprake apo të dhëna statistikore zyrtare.
Edhe në çështjen konkrete, Gjykata sjell në vëmendje se subjektet e interesuara nuk paraqitën argumente apo referenca konkrete lidhur me bazueshmërinë e kësaj nisme ligjore, në ndonjë studim paraprak të thelluar apo në praktikat më të mira evropiane apo botërore në këtë drejtim, në ndonjë analizë kosto-përfitim (raportin mes efekteve pozitive dhe negative të ndërhyrjes) për të justifikuar rritjen e masës së kontributeve të detyrueshme ose mbi nivelin e konsultimit publik të projektligjit .
Nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetues, 6 votuan pro rrëzimit të pagave të referencës për profesionet e lira, ndërsa 3 duke përfshirë edhe kryetarin votuan kundër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.