Intervistë me z. Irfan Hysenbelliu, president i Hysenbelliu Group, që së fundmi po diversifikohet edhe në sektorin e turizmit, me shndërrimin e ish-Mak Albania në një resort luksoz dedikuar turizmit elitar…
Hysenbelliu Group, me aktivitet në sektorin prodhues dhe atë të ndërtimit, së fundmi po diversifikohet edhe në sektorin e turizmit, me shndërrimin e ish-Mak Albania në një resort luksoz dedikuar turizmit elitar. Në një intervistë për Monitor, Irfan Hysenbelliu, president i Hysenbelliu Group, shpjegon se pjesë e planeve janë edhe disa investime të tjera në këtë sektor. Studimet dhe parashikimet tona flasin për një rritje të qëndrueshme të kërkesës për të zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik. Nuk bëhet fjalë vetëm për shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë, të cilët janë atdhetarë e të dashuruar pas bregut shqiptar. Prej disa vitesh Shqipëria është kthyer në potencial turistik edhe për qytetarë të Europës Perëndimore, apo asaj Qendrore. Janë me mijëra turistë nga Polonia, Çekia, Sllovakia, por edhe Rusia e pjesa lindore që po zgjedhin Shqipërinë. Perspektiva është e qartë, shprehet Hysenbelliu
Sipas tij, qeveritë shqiptare të këtyre 25 viteve, nuk e kanë të qartë modelin e zhvillimit ekonomik të vendit. Shpesh, politikanët i kalojnë vitet e pushtetit duke zgjidhur çështje dite, e jo duke menduar për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë. Sot, nuk ka ende një plan të qartë se si do të zhvillohet ekonomia: do të përdoren burimet në dëm të natyrës, apo do të përdoret natyra me turizëm e bujqësi, që të sjellë zhvillimin ekonomik kaq të pritur, tha ai. Hysenbelliu sugjeroi se, nxitja e investimeve do të vijë me barazimin e ngarkesës fiskale me rajonin.
Zoti Hysenbelliu, ju prej vitesh operoni në disa sektorë si ndërtimi, industria ushqimore etj., dhe tani së fundmi po diversifikoheni në turizëm. Pse?
Synimi i parë i një grupi të madh investimi, siç është sot Hysenbelliu Group, është diversifikimi i portofolit. Ne kemi konsoliduar suksesin tonë me sektorët e ndërtimit, të industrisë ushqimore si Birra Korça, vera Egnatia dhe uji Fab, në media, si në atë televizive, edhe në atë të shkruar, në sektorin e arsimit universitar e për t’u zgjeruar së fundmi edhe në sektorin e turizmit, fillimisht në Tiranë me Hotelin Prestige dhe Restorantin Tradicional dhe atë italian. Pse tani? Në fakt, synimi i të gjitha bizneseve të Hysenbelliu Group ka qenë cilësia. Vetëm vitet e fundit mund të thuhet se në sektorin e turizmit vihet re një lloj ndryshimi i trajektores nga turizëm masiv të paqëndrueshëm, në një turizëm të qëndrueshëm dhe kërkues. Kjo ka sjellë edhe ndryshimin e sjelljes së agjentëve që shërbejnë në turizëm. Mendoj që koha po thërret për investime prestigjioze. Dhe ne besojmë se ka ardhur koha kur investimet në turizëm do të konkurrojnë me cilësinë. Kjo është edhe fusha e “betejës”, ku Hysenbelliu Group ka më shumë dëshirë të jetë i suksesshëm. Ne vendosëm në këtë kohë të hyjmë në këtë sektor, të bindur se tashmë janë pjekur kushtet për zhvillimin e një turizmi elitar. Ju, këtë verë, do të jeni vetë dëshmitarë të këtij suksesi të paralajmëruar. Pas 25 vitesh, sot Shqipëria është një vend më i sigurt, me infrastrukturë më të mirë, më i aftë të presë turistë nga e gjithë bota. Shifrat e viteve të fundit tregojnë qartë që ky treg i ri është një mundësi e mirë investimi.
Interesi në turizëm
Vetëm vitet e fundit mund të thuhet se në sektorin e turizmit vihet re një lloj ndryshimi i trajektores nga turizëm masiv të paqëndrueshëm, në një turizëm të qëndrueshëm dhe kërkues. Kjo ka sjellë edhe ndryshimin e sjelljes së agjentëve që shërbejnë në turizëm. Mendoj që koha po thërret për investime prestigjioze.
Ju lutem, na shpjegoni diçka në lidhje me këtë projekt të ri (Prestige Holiday Resort), kapacitetet dhe çfarë grupi turistësh synoni dhe sa do të punësohen?
Dikur njihej me emrin Mak Albania, por tashmë ai është bërë pjesë e Hysenbelliu Group dhe mban emrin Prestige Holiday Resort, me vendndodhje në Golem, buzë detit Adriatik. Pas një rikonstruksioni total të ambienteve të mëparshme dhe pas një rikonceptimi modern, Prestige Holiday Resort synon të jetë destinacioni turistik më i frekuentuar.
Aktualisht ne kemi nënshkruar disa kontrata me operatorë turistikë vendas dhe të huaj, të cilët kanë synimin të sjellin turistë nga të gjitha vendet e Europës dhe jo vetëm.
Rekrutimi i stafit ka filluar dhe është duke ecur me hapa shumë të shpejtë, deri në çeljen e sezonit turistik ne synojmë të punësojmë rreth 500 persona.
Investimi
Pas 25 vitesh, sot Shqipëria është një vend më i sigurt, me infrastrukturë më të mirë, më i aftë të presë turistë nga e gjithë bota. Shifrat e viteve të fundit tregojnë qartë që ky treg i ri është një mundësi e mirë investimi.
Do ta menaxhoni vetë, apo me nënkontraktorë?
Të gjitha shoqëritë e Hysenbelliu Group menaxhohen nga strukturat tona, edhe Prestige Holiday Resort do të jetë nën menaxhimin e stafit tonë të kualifikuar në fushën e hoteleri-turizmit.
A e keni studiuar ofertën turistike dhe si është perspektiva e saj?
Sigurisht që Grupi ynë ka bërë studimet e veta dhe ka pritshmëri të larta nga investimet në turizëm. Nuk është vetëm Prestige Holiday Resort-Mak Albania-Golem. Pjesë e planeve tona janë edhe disa investime të tjera në këtë sektor. Studimet dhe parashikimet tona flasin për një rritje të qëndrueshme të kërkesës për të zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik. Nuk bëhet fjalë vetëm për shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë, të cilët janë atdhetarë e të dashuruar pas bregut shqiptar. Prej disa vitesh Shqipëria është kthyer në potencial turistik edhe për qytetarë të Europës Perëndimore, apo asaj Qendrore. Janë me mijëra turistë nga Polonia, Çekia, Sllovakia, por edhe Rusia e pjesa lindore që po zgjedhin Shqipërinë. Perspektiva është e qartë. E domosdoshme (dhe këtu ne po përpiqemi të arrijmë standardet më të larta) është cilësia e ofertës që duhet të përshtatet me pritshmëritë e këtyre turistëve. Hysenbelliu Group e ka bërë të qartë se do të jetë cilësia ajo që do të sjellë turizëm të qëndrueshëm. Ne sot ftojmë të gjithë operatorët e tjerë turistikë që t’i përshtaten kërkesës së re. Studimet tona na tregojnë se pritshmëritë e pushuesve po vijnë në rritje. Duhet më shumë turizëm atraktiv. Resortet tona po mundohen të jenë shembulli i kësaj kërkese të re.
Çfarë modeli ekonomik duhet të ndërmarrë qeveria, në mënyrë që ekonomia të nxitet nga potencialet e saj natyrore, si turizmi dhe bujqësia?
Qeveria shqiptare, ose më saktë qeveritë shqiptare të këtyre 25 viteve nuk e kanë të qartë modelin e zhvillimit ekonomik të vendit. Shpesh, politikanët i kalojnë vitet e pushtetit duke zgjidhur çështje dite e jo duke menduar për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë. Sot, nuk ka ende një plan të qartë se si do të zhvillohet ekonomia: do të përdoren burimet në dëm të natyrës, apo do të përdoret natyra me turizëm e bujqësi, që të sjellë zhvillimin ekonomik kaq të pritur? Kjo ndoshta është fatkeqësia më e madhe që i ka sjellë politika biznesit dhe shoqërisë në këto vite. Mendoj që modeli më i mirë do të ishte ai i zhvillimit të turizmit dhe, si rrjedhojë, edhe i bujqësisë dhe industrisë bujqësore si plotësues i biznesit. Qeveria duhet ta vendosë prioritet pikërisht këtë. Më pas, me politikat e saj fiskale dhe me subvencione të ndihmojë në rritjen e një industrie turizmi e bujqësie të qëndrueshme. Por, mesa duket, qeveria nuk e ka vendosur. Industria e biznesit të turizmit prej disa vitesh kërkon heqjen, apo edhe uljen e TVSH-së në turizëm, të paktën barazimin e saj me vendet e rajonit, dhe kjo nuk po ndodh. Ka me dhjetëra modele për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë, por çdo model është i destinuar të dështojë, në rast se vetë qeveria dhe qeveritë nuk vendosin si prioritet të zhvillimit të ekonomisë pikërisht këtë sektor. Gjej rastin të vlerësoj ligjin e ri për investimet strategjike, shpresoj shumë të jetë i suksesshëm, dhe jo selektiv.
Në drejtim të politikës fiskale, çfarë sugjeroni, që ajo të jetë favorizuese për investimet private?
Qeveria e re, pas vitit 2013, vendosi të rrisë me 50% disa taksa, të cilat goditën fort biznesin e madh dhe investimet. Sot, një investitori të huaj, krahas infrastrukturës së dobët, kushteve jo të favorshme për të bërë biznes në Shqipëri, i është shtuar edhe barra fiskale. Qeveria i justifikoi taksat e larta me borxhin e madh të trashëguar dhe shlyerjen e tij. Sot nuk ka më borxh të prapambetur dhe mendoj që qeveria duhet ta shikojë edhe një herë politikën fiskale. Të paktën me taksa duhet të jemi të barabartë me rajonin, pasi kështu mund të justifikojmë dizavantazhet e tjera për thithjen e investimeve. Nga ana tjetër, duhet të intensifikohen marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës, për heqjen e të gjitha barrierave dhe ndoshta vendosjen e një politike fiskale të njëjtë. Shqipëria është një treg i vogël, ndërsa shqiptarët në Ballkan bëjnë një treg të konsiderueshëm. Këto duhen shfrytëzuar.
Si po performojnë bizneset e tjera që ju zotëroni?
Cilësia e para! Kjo është garancia për suksesin. Sot unë jam krenar për të gjitha investimet e Hysenbelliu Group. Ju e dini që biznesi ka ulje-ngritjet e veta. Edhe Hysenbelliu Group ka pasur të tilla, por ka qenë cilësia ajo që ka garantuar dhe garanton zhvillimin dhe sigurisht edhe fitimin e konsoliduar tashmë të Grupit. Sot ne krenohemi me investimet tona në industrinë e ndërtimit, administrojmë prej vitesh me sukses Birrën Korça, birrën e parë shqiptare. Ju si gazetarë e keni vetë të qartë se News 24, gazetat Panorama e Panorama Sport, faqja online Balkanweb janë ndër mediat më të mëdha dhe të besueshme në vend. Ne kemi menaxhuar me sukses të plotë edhe Universitetin Luarasi. Këtë vit përurohet Prestige Holiday Resort-Mak Albania-Golem.
Dua të ndalem pak te performanca. Nuk mjafton vetëm fitimi. Një Grup, si ai që unë drejtoj, nuk duhet të ndalet vetëm në maksimizimin e fitimit. Sigurisht që ky është synimi i çdo investitori, por sot pas 20 vitesh mund të them se krahas fitimit, synimi i Hysenbelliu Group është udhëheqja e biznesit drejt një shërbimi më cilësor. Në disa sektorë ne jemi të parët, dhe kjo na detyron të nxisim edhe konkurrentët tanë drejt një rruge të re: atë të shërbimit cilësor.
Një pjesë e madhe e opinionit publik është përfshirë në një debat nëse kultivimi i hashashit dhe të ardhurat prej tij dëmtojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Po ju çfarë mendimi keni?
Qëndrimi është i qartë si kristali: kanabisi, dhe çdo e ardhur që vjen nga aktivitete jo të ligjshme, dëmton rëndë ekonominë! Rrit konkurrencën e pandershme, favorizon fitimin e shpejtë kriminal, dekurajon punën e ndershme dhe çon në deformime që kanë të njëjtin fund: dështimin. Më vjen keq që sot kjo pyetje po përsëritet e përsëritet, duke kontribuar në rritjen e një opinioni se kanabisi është zgjidhja. Zgjidhja është vizioni dhe zhvillimi me punë të ndershme, guximi për të rrezikuar dhe, sigurisht, aftësia për t’ia dalë me sukses. Ndaj do të dëshiroja që kjo pyetje të bëhej sa më pak. Pyetjet e tjera, që kanë të bëjnë me modelin e zhvillimit, nxitjen e punësimit, rritjen e të ardhurave të biznesit dhe si rrjedhojë të familjeve shqiptare, janë ato që duhen diskutuar.
Kanabisi, ekonomi e dështuar!
Qëndrimi është i qartë si kristali: kanabisi, dhe çdo e ardhur që vjen nga aktivitete jo të ligjshme, dëmton rëndë ekonominë! Rrit konkurrencën e pandershme, favorizon fitimin e shpejtë kriminal, dekurajon punën e ndershme dhe çon në deformime që kanë të njëjtin fund: dështimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.