ËSHTË RRITUR MIRË
Më e madhe dhe mikpritëse, gjenerata e re e makinës qytetase koreane nuk ka asnjë arsye për të pasur zili rivalet evropiane. E shkathët edhe jashtë mureve të qytetit, i10 shfaq një sjellje gjithmonë të ekuilibruar. Motori 1.2 litra me benzinë nuk është ndër më të jashtëzakonshmit, por ka një elasticitet të mirë dhe konsumon pak
Hyundai i vogël është rritur, duke filluar nga paraqitja, më moderne dhe tërheqëse dhe me përmasa më të mëdha: është 8 cm më e gjatë se versioni i mëparshëm, duke arritur një total prej 3.66 metrash, më e gjerë me 6.5 cm (1.66 metra) dhe 4 cm (1.50 metra) më e ulët, me një hap që rritet nga 2.380 në 2.385 mm. Megjithatë, ajo ku i10 e re është rritur më tepër, është cilësia e kabinës dhe manovrueshmëria. Kabina tani ka më tepër detaje dhe një konfigurim më të mirë, me materiale të një cilësie të lartë dhe plastika të realizuara me saktësi, gjithashtu të këndshme në prekje. Katër persona udhëtojnë në mënyrë komode, pak a shumë si në të gjithë modelet citycar, edhe pse vetura është e homologuar për pesë pasagjerë, ndërsa bagazhi tani ka një kapacitet më të lartë: shkon nga një minimum prej 252 litrash deri në një maksimum prej 1.046 litrash, kundrejt kapacitetit prej 225/910 të modelit të mëparshëm. Motorët: zgjedhja është midis dy njësive me benzinë. Fillohet me një tre cilindra 1.0 litra prej 66 kf (67 për versionin me LPG, me impiant të realizuar direkt në fabrikë), të cilit i bashkëngjitet një motor me katër cilindra 1.2 litra prej 87 kf. Shpejtësitë maksimale të deklaruara janë respektivisht prej 155, 153 dhe 171 km/h, ndërsa për sa i përket konsumeve, kalohet nga 23.2 km/litër të motorit 1.0 në konfigurimin “ekonomik” Blue Drive, deri tek 20.4 km me një litër për versionin e pajisur me motor benzine prej 1.2 litrash. Një motor, ky i fundit, i cili krenohet me një elasticitet të mirë dhe një hark të gjerë përdorimi, aq sa të mundësojë përgjigje të mira në përshpejtim, edhe pse nuk bëhet fjalë për një motor veçanërisht dinamik. Nga ana tjetër, e gjitha kjo është e pritshme: bëhet fjalë për një citycar e cila promovon drejtimin komod dhe në këtë profil, sjellja dinamike e përgjithshme është bindëse falë një shasie sa të butë aq edhe efikase në thithjen e parregullsive të ndryshme. Nga ana tjetër, fuqia maksimale disi e limituar krahasuar me tipologjinë e makinës, nuk penalizon potencialet e shasisë së i10, që shpalos një sjellje homogjene dhe të balancuar. Shasia i lë pak hapësirë zhvendosjen e masave në kthesë, por gjithsesi mundëson hyrje të shpejta në kthesa dhe një mbështetje të mirë në çdo situatë. Për sa i përket cilësive dinamike, koreania e vogël mbetet sërish bindëse: gjithmonë e saktë dhe e ekuilibruar, mund të mbështetet në një konfigurim të përshtatshëm të suspensioneve, që dëshmohet efikas në çdo lloj situate. Shumë e lirshme në funksionimin normal, është e aftë të përthithë krejt natyrshëm korrigjimet e papritura dhe ndryshimet e ngarkesës. Për sa i përket kambios, leva komandohet me lëvizje të lirshme dhe një sinkronizim të mirë, shoqëruar nga një friksion i këndshëm në përdorim, po ashtu edhe nga një reagim i mirë i sistemeve të drejtimit dhe të frenimit, të aftë të realizojnë më së miri një sjellje në rrugë që ka si pikë të fortë shkathtësinë. Pra, në qytet lëviz shumë mirë, ndërsa në itineraret më impenjative vlerësohen zhvendosjet e pakta të masave në kthesa shpejtësia e mirë e ndryshimit të trajektores. Me pak fjalë, intonacioni i asetit është ai i duhuri, i aftë të kontrollojë më së miri lëvizjet e trupit të makinës. Një udhëtim i mirë, pa shqetësime dhe gjithashtu pa ndonjë harxhim domethënës. Përshkueshmëria mesatare lëviz në rreth 15.5 kilometra me një litër karburant dhe me 14.6 km/litër të shënuar në autostradë, konsumet mund të konsiderohen më se të pranueshme. Modeli i ri i10 mund të porositet prej nëntorit 2013, edhe pse debutimi publik dhe dorëzimet e para janë parashikuar në shkurt. Tre janë nivelet e konfigurimit: Classic (me 6 airbag dhe ESP në seri, por pa radio dhe klima), Comfort (i pajisur me radio, 4 xhama elektrikë dhe klimatizator manual) dhe Style. Çmimet e gamës për i10 me motor 1.0 fillojnë nga 9.850 për Classic. Versioni Comfort kushton 11.350 Euro dhe Style 12.850 Euro. Në të njëjtat konfigurime, versionet 1.2 kushtojnë 600 Euro më tepër se i10 me motor 1.0 litër. Çmimet përfshijnë garancinë Hyundai të vlefshme 5 vite me kilometrazh të pakufizuar.
KOMANDA NË TIMON
Kabina është e projektuar mirë. Kroskoti karakterizohet nga paneli qendror me kontrast, i disponueshëm në tre ngjyra: bezhë, e kaltër dhe portokalli, për t’u kombinuar me ngjyrat e jashtme. Instrumentet, të grupuara në një kroskot të vogël, janë të kompletuara. Timoni multifunksional është në seri. Pozicioni i ngritur i levës së kambios është i rehatshëm.
HOMOLOGIM PËR PESË
Foto djathtas, butonat në panelin e derës krahu i drejtuesit, për katër xhamat elektrikë në seri. Majtas, ndenjëset e përparme. Poshtë, plani i ngarkimit dhe mbështetëset të palosshme edhe veçmas. Poshtë majtas, ndenjësja e pasme. Modeli i10 është i homologuar për pesë persona.
4CM MË E ULËT
E reja i10 është rritur në gjatësi, por është 4 cm më e ulët: nga 1.54 në 1.50 metra.
TË DHËNA TEKNIKE |
MOTORI |
Cikël Otto, 4 cilindra në linjë, montuar para tërthorazi. Shpërndarje me bosht të dyfishtë, 4 valvula për cilindër. Cilindrata 1.248 CC, diametri i pistonit 71 mm x korsa 78.8 mm. Fuqia maksimale 87 kf (64 kË) në 6.000 rpm. Momenti përdredhës maksimal 12.2 kgm 120 (Nm) në 4.000 rpm. Euro 5, CO2 114 g/km. |
TRANSMISIONI |
Rrota të para aktive, kambio manuale me 5 raporte + Indietro |
SHASIA |
Aksi i parë me rrota të pavarura të tipit McPherson, susta helikoidale, amortizatorë teleskopikë. Aksi i dytë me rrota gjysmë të pavarura, boshte përdredhës, susta helikoidale, amortizatorë teleskopikë. Timon me kremaljerë me asistencë elektrike. Frena të përparme me disk autoventilues me diametër 252 mm, të pasmet me disk prej 234 mm, sistem antibllokimi. Disqe 14″ me goma 175/65 R14. |
PËRMASAT DHE PESHA |
Hapi 2.385 mm, gjatësia 3.665 mm, gjerësia 1.660 mm, lartësia 1500 mm. Pesha 1.450 kg. Kapaciteti i ngarkimit 252/1.046 litra. |
PERFORMANCAT |
Shpejtësia maksimale 171 km/h. Përshpejtimi 0-100 km/h 12.3 sekonda. Konsumi mesatar 4.9 l/100 km (20.4 km/l). |
KARTA E IDENTITETIT | |
Cilindrata |
1.248 CC |
Shpejtësia Maksimale |
171 km/h |
Përshpejtimi 0-100 km/h |
12.3 sekonda |
Përshkueshmëria mesatare |
20.4 km/litër |
Çmimi |
13.450 Euro |
*Të dhëna të deklaruara nga kompania | |
PRO DHE KUNDËR | |
Komforti | |
Rikuperimi |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.