Nga Lindja, ekonomisë shqiptare po i vjen një rrezik. Turqia, me një ekonomi gjigante turistike, është zgjuar, duke hedhur pas krahëve krizën e vitit 2017. Vetëm në 2018, këtë vend e vizituan një numër rekord prej 40 milionë turistësh, ose rreth 22% më shumë se në 2017. Të ardhurat arritën në 29.5 miliardë dollarë, ose 12.3% rritje. Edhe këtë vit, autoritetet turke janë shumë optimiste, pasi flasin për të tjera shifra rekord.
Vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti, Turqinë e vizituan rreth 3 milionë turistë (afërsisht sa mesatarja e turistëve në Shqipëri në vitet e fundit!). Operatorët turistikë thonë se përfitimet ishin aq të mëdha, sa rikuperuan edhe dëmet e shkaktuara nga sulmet terroriste, protestat dhe betejat tregtare ndërkombëtare të Turqisë gjatë viteve 2015 dhe 2016. Agjencitë shtetërore parashikojnë që edhe në vitin 2019, numri i turistëve të arrijë në 50 milionë, një tjetër rekord dhe kanë ambicie që deri në 2023 të ardhurat të arrijnë në 50 miliardë dollarë.
Por, sa herë Turqia ishte në krizë, Shqipëria ka njohur rritje të turizmit. Shifrat tregojnë lidhje të drejtpërdrejtë. Në vitin 2017, Turqia humbi 12% të tregut ndërkombëtar turistik, dhe po atë vit, Shqipëria provoi bumin e parë me 2.7 milionë turistë, të cilët gati u dyfishuan vjet, drejt një tjetër rekordi me mbi 5 milionë shtetas të huaj që e vizituan vendin.
Megjithëse i vogël, në raport me ekonominë e tij, vendi ynë ishte një ndër përfituesit e mëdhenj të humbjes së Turqisë. Por tani që i “sëmuri i Bosforit” është shëruar, humbja e pritshme mund të mos jetë e vogël. Turqia, jo vetëm po përpiqet të përmirësojë modelin turistik, duke e diversifikuar, pra jo vetëm resorte “All inclusive”, por po tërheq turistë nga vende të cilat përpiqet edhe Shqipëria të marrë një “copë tortë”.
P.sh., numri i turistëve polakë në Turqi është rritur në shifra rekord prej 68.26% më shumë në 2018, ndërkohë që për ne, këta pushues ishin një kontingjent potencial. Vende me ekonomi dhe industri turistike më të konsoliduar dhe konkurruese se vendi ynë po i druhen këtij fakti dhe po marrin masa.
Njohja dhe reklamimi i mirë që turizmi shqiptar ka pasur në tregjet ndërkombëtare, investimet cilësore të biznesit vendas, puna e agjencive turistike vendase, atraksionet e larmishme natyrore, rritja e gamës së shërbimeve turistike, çmimet e ulëta dhe ushqimi i mirë mund të përballojnë deri-diku humbjen, por ato janë shumë të dobëta kundrejt forcës së turizmit turk.
Nga ana tjetër, kriza politike që sa më shumë kohë kalon, po shtyhet në thellësi të sezonit turistik vendas, është një tjetër kërcënim. Edhe parashikimet e bëra për rritje ekonomike të dobët do ta bëjnë pesimist konsumatorin dhe potencialisht krijojnë efekt frenues te turizmi. Ndaj, së paku, duhet vepruar për një gjetje sa më të shpejtë. Nëse në tregun botëror përballë Turqisë jemi të dobët, zgjidhjen duhet ta gjejmë brenda vetes. Sido që të jetë zgjidhja, qoftë edhe afatshkurtër, nëse është në favor të rritjes së turizmit, ia vlen.
Turizmi, veçanërisht tre vitet e fundit, ka treguar se e kthen mbrapsht me përftim disafish çdo lloj investimi të bërë kundrejt tij. Çdo investim politik apo financiar ia vlen për t’ju dhënë shqiptarit si atij që duartroket nga karrigia dhe atij që rri në këmbë në rrugë, për t’i dhënë të drejtën dhe mundësinë, që edhe këtë vit të mund të jetojnë përmes punës së tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.