Ibrahimoviç, shkurtim prej 95% të pagës për të luajtur në MLS me Los Angeles Galaxy

28/03/2018 5:59 PM 0 komente

Më parë fitonte 27 milionë sterlina në sezon …

 

Javën e kaluar, ylli i futbollit botëror dhe i kombëtares së Suedisë, Zlatan Ibrahimoviç u largua nga një prej klubeve më të pasura në botë për të nënshkruar me Los Angeles Galaxy, dhe mendohet se për të luajtur në kampionatin amerikan, lojtari pranoi një reduktim të pagës me rreth 95%.

Tek Manchester United, suedezi po haste vështirësi për të gjetur një vend në formacionin titullar, kjo edhe për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju sezonin e kaluar. Fitimet e Zlatan gjatë kohës që luajti te klubi anglez shkonin deri në 27 milionë sterlina në sezon. Shuma që do të përfitojë në sezon me skuadrën e LA Galaxy do të jetë 1.4 milionë dollarë (95% më pak), shifër modeste e krahasuar me atë çfarë fitonte më parë, raporton Sports Illustrated, duke cituar gazetën spanjolle Marca.

Klubet e MLS kanë një tavan maksimal page prej 4 milionë dollarësh, por limiti mund të kalohet në rastin e disa lojtarëve të veçantë falë Designated Players Rule ose e njohur ndryshe “Beckham Rule”. David Beckham iu bashkua Galaxy në vitin 2007, duke nisur kështu një tendencë të yjeve europianë për të mbyllur karrierën e tyre në kampionatin amerikan. Gjatë përvojës 6-vjeçare në MLS, Beckham fitoi rreth 255 milionë dollarë.

Sipas Forbes, të ardhurat e Beckham nuk vinin vetëm nga paga e tij, e cila shkonte në 6.5 milionë dollarë në vit. Fitimet vinin kryesisht nga reklamat dhe kontratat e tjera që lojtari kishte përpos kontratës me klubin. Beckham ishte një aset i çmuar, pasi për shkak të tij u rrit audienca në stadiume, shitja dhe promovimi i markës së klubit të LA Galaxy dhe një pjesë e fitimeve shkonte për lojtarin.

Ndryshe nga shumë lojtarë që ndoqën Beckham-in në SHBA – Thierry Henry, Steven Gerrard apo Andrea Pirlo – Ibrahimoviç nuk do të jetë një “designated player”. Por, ashtu si Beckham, ai ende mund të përfitojë nga sponsorët dhe reklamat.

Suedezi nuk do të sjellë vetëm talentin e tij në MLS, por edhe personalitetin që e karakterizon. Arroganca e tij të bën për vete jo vetëm se mund të të duket zbavitëse por edhe sepse suedezi ka treguar shpesh që mund të “mbështetet” tek egoja e vet. Ibrahimoviç është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për kombëtaren e Suedisë dhe ka fituar gjithashtu 33 trofe në të gjitha klubet që ka luajtur përfshi këtu disa ndër ekipet më të rëndësishme në Europë si: Juventus, Inter, Barcelona, Milan.

Disa prej golave të tij do të mbeten gjatë në mendjet e tifozëve. Një ndër ta është goli që ka shënuar me kombëtaren e Suedisë kundër Anglisë në një “goditje biçikletë” nga 30 metra largësi. Në një ndeshje të zhvilluar gjatë kohës kur aktivizohej për ekipin e Ajax-it, Zlatan dukej sikur vallëzonte midis kundërshtarëve përpara se ta dërgonte topin në cepin e portës.

Tani, edhe pse në moshën 36-vjeçare, ai mbetet ende një kërcënim në fushë për kundërshtarët. Ka zëra që thonë se Ibrahimoviç do të rikthehet te kombëtarja suedeze në Botërorin Rusi 2018.

“Pasi kam luajtur në Europë për disa nga klubet elitare të futbollit, duke fituar 33 trofe, duke luajtur me lojtarët më të mirë në botë, mendoj se erdhi koha të vij në SHBA për të shfaqur edhe aty lojën time”, tha Ibrahimoviç kur u pyet në lidhje me transferimin e tij në kampionatin amerikan. “Dua që njerëzit këtu të shijojnë lojën time dhe të sjell rezultate pozitive për ekipin, prandaj zgjodha LA Galaxy”.

Burimi: CNBC

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz