IK LAB ndodhet në Meksikë. E zhytur në natyrë, në një distancë të afërt nga Tulum.
Për ta projektuar, Santiago Rumney Guggenheim bashkëpunoi me Jorge Eduardo Neria Sterkel, me një qëllim: të krijonte një hapësirë që të ishte më shumë se një galeri tradicionale arti dhe të dëshmonte se si mund të ndërthuren arkitektura dhe natyra. E gjithë kjo, duke përdorur, kryesisht dru nga Bejuco.
IK LAB mban firmën e një emri të njohur. Ose më mirë, pasardhësi i një emri të shquar. Rumney Guggenheim është nipi i madh i Peggy, ndër koleksionistet më të njohura të artit në botë. Ekstravagante dhe inovative, kjo galeri synon të shndërrohet në “një shtëpi për mendjet brilante dhe krijuese në botë”. Më shumë se një galeri, IK LAB është një lloj kompleksi turistik i menduar për të mirëpritur artistët bashkëkohorë me punimet e tyre.
IK LAB e kapërcen konceptin e muzeut: është një kompleks rezidencash ekologjike që shikojnë drejt detit dhe xhunglës. Këtu artistët mund të shfrytëzojnë hapësirën dhe të gjejnë frymëzimin të zhytur në bukurinë dhe heshtjen e këtij vendi. Të gjithë muret janë të realizuar prej druri, me pemë dhe bimë që hyjnë në arkitekturë. Ndjesia është vërtet e jashtëzakonshme – xhungla bëhet një element parësor në gjithçka, tipari karakteristik dhe bazë – sikur të përmbante në vetvete të gjithë thelbin e gadishullit Yucatan.
Ajo që të befason më shumë tek IK LAB është dyshemeja. E çrregullt dhe e valëzuar dhe nëse nuk bëni kujdes rrezikoni të rrëzoheni. Ajo ju jep ndjesinë sikur jeni duke ecur këmbëzbathur në rërë apo mbi bar. Pikërisht ky është qëllimi të ecni në dhomat (ose jo) të saj pa këpucë, për të përjetuar një përvojë që shkon përtej një vizite në një galeri arti tradicionale. Vetëm në këtë mënyrë ju mund të ndieni me lëkurën tuaj ndjesitë që përcjellin materialet e ndryshme që janë përdorur në të.
Edhe ndriçimi është po aq befasues tek IK LAB. Rrugëtimi është konceptuar me hapje rrethore me dimensione të ndryshme, duke ofruar dritë natyrore, me pamje qielli dhe degë pemësh që mund t’i shihni pak a shumë. Kjo ndjesi është e mrekullueshme, saqë e bën IK LAB galerinë e artit më të bukur në botë.