Numri i ndërmarrjeve të reja me pronarë të huaj është përgjysmuar në 2017-n, sipas të dhënave të INSTAT. Në 2017-n u regjistruan 594 ndërmarrje të reja të huaja, 50.7% më pak se një vit më parë. Në total numri i ndërmarrjeve aktive me pronarë të huaj ishte 3700 në 2017-n, nga 4020 në 2016-n.
Numri më i madh i biznesve të mbyllura është shënuar në sektorin e shërbimeve, ku gjatë 2017-s operuan 247 biznese më pak në pronësi të huaj. Sektori i dytë me numrin më të lartë të biznese të mbyllura është tregtia, me rreth 140 biznese me pak në krahasim me 2016-n.
Bizneset e huaja u rritën ndjeshëm gjatë 2015-s, me 16%, krahasuar me një vit më parë të asaj periudhe, ndërkohë që 73% e tyre ishin të vogla nga 1 deri në 4 punonjës.
70% e sipërmarrjeve të huaja të hapura në 2015-n ishin italiane, sipas të dhënave të INSTAT.
Dyshimet që kryenin evazion
“Bum-i” i këtyre bizneseve me pak të punësuar dhe që operonin kryesisht në sektorin e shërbimeve apo konsulencës u shoqërua me dyshimin se bënin evazion.
Në mars 2017 “Monitor” kreu një sondazh me subjektet të cilat kanë kaluar në statusin pasiv, ku mori një kampion përfaqësues me përzgjedhje rastësore prej 300 biznesesh nga lista e 10 mijë subjekteve që kishin kaluar në status pasiv 5 muajt e fundit, prej të cilave 60 prej tyre ishin biznese në pronësi të huaj, kryesisht italiane. Në përgjithësi, fusha e veprimtarisë së tyre ishte në konsulencë financiare apo ligjore. http://www.monitor.al/investigimi-misteri-bizneseve-italiane-hapin-dhjetera-subjekte-e-nuk-bejne-asgje/
20% e tyre refuzuan të jepnin një përgjigje (ishin kryesisht bizneset e huaja ato që refuzuan t’i përgjigjen sondazhit).
Tatimet bënë kalimin automatik në statusin pasiv, pasi këto subjekte nuk kishin deklaruar aktivitet për të paktën 12 muaj radhazi.
Kontabilistët hodhën dyshime se një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbenin për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj. Duke qenë se norma e tatimfitimit në vendin fqinj është e lartë, ato rrisnin shpenzimet artificialisht, duke u faturuar nga subjektet që kanë hapur në Shqipëri.
Skemë tjetër e paraqitur nga ekspertë të fushës ishte sigurimi i dokumenteve justifikues të rremë, si fatura hotelesh, bileta udhëtimesh etj. Një individ me pagë të lartë në Itali, vjen në Shqipëri dhe çel një NIPT si person fizik, dhe duke përfituar nga normat e ulëta, ai i faturon shërbime biznesit në Itali. Nga rezultatet e sondazhit, pjesë dërrmuese e këtyre subjekteve që kishin kaluar në pasiv ishin në fushën e konsulencës financiare, fiskale dhe juridike.
Ndërmarrje Aktive të huaja sipas aktivitetit | |||
Aktiviteti | 2016 | 2017 | Ndryshimi |
Gjithsej | 4024 | 3704 | -320 |
Prodhuesit e të mirave | 1001 | 928 | -73 |
Bujqësia, Pyjet e Peshkimi | 29 | 23 | -6 |
Industria | 636 | 587 | -49 |
Ndërtimi | 336 | 318 | -18 |
Prodhuesit e shërbimeve | 3023 | 2776 | -247 |
Tregtia | 1117 | 977 | -140 |
Transporti e Magazinimi | 75 | 73 | -2 |
Akomodimi dhe shërbimi ushqimor | 206 | 202 | -4 |
Informacioni e Komunikacioni | 221 | 207 | -14 |
Shërbime të tjera | 1404 | 1317 | -87 |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.