Ikin palmat e autostradës, Bashkia Tiranë do t’i zëvendësojë me pisha, kosto 2.5 milionë euro

18/11/2017 9:35 AM 0 komente

Bashkia e Tiranës planifikon që të zëvendësojë deri në fund të këtij viti palmat me pisha në segmentin e autostradës Tiranë-Durrës, nga mbikalimi i Kamzës tek ai i Kasharit. Vendimi është bërë i ditur në relacionin për disa ndryshime dhe rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2017.

“Gjatë periudhës që sapo kaloi me thatësirë të pazakonte, bimësia dekorative (palmat e mbjella) nuk u përshtatën me kushtet klimatiko-tokësore të Tiranës, kësisoj nuk i mbijetuan zhvillimit të ciklit të tyre jetësor”, thuhet në relacion. Për këtë arsye propozohet që në vend të palmave të mbillen lloje dekorativësh të pishës së butë, që përshtaten me klimën dhe mjedisin.

Duke qenë se peridha më e mirë për mbjelljen e pishës së butë është muaji dhjetor, kërkohet përfshirja në buxhet e këtij investimi. Për ujitje propozohet sistemi ujitës artificial në formë shiu.

Bashkia ka bërë riplanifikim duke reduktuar fondet për dia artikuj ku është vënë re zbatim i ulët i planit të investimeve, si psh ato të pastrimit.

Kosto e plotë e projektit “Furnizim dhe vendosje drurë dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar” është 333.8 milionë lekë, ose gati 2.5 milionë euro, e shpërndarë në 66.7 milionë lekë në 2017-n, 117 milionë lekë në 2018-n dhe 150 milionë lekë në 2019-n.

Në rishpërndarjen e fondvee të buxhetit, Bashkia ka miratuar edhe rishpërndarjen e fondit të investimeve brenda programit të menaxhimit të rrugëve dhe programit të kujdesit social për vitin 2017, si dhe detajimin e fondeve shtesë të transfertës specifike brenda programit të arsimit parauniversitar dhe edukimit për vitin 2017.

Palmat e palavdishme

Palmat në autostradë u mbollën rreth tre vjet më parë, si pjesë e një plani që përfshiu dhe rregullimin e sinjalistikës në zonën Mbikalimi i Kamzes dhe i Kasharit deri në aeroportin e Rinasit. Kosto e mbjelljes së tyre u raportuar në atë kohë në rreth 1 milionë euro. Dimrin e kaluar palmat nuk i rezistuan të ftohtit dhe u thanë në pjesën më të madhe të tyre. Ndonëse në pjesën më të madhe të vendit, palmat u rigjallëruan me ardhjen e pranverës, në zonën e autostradës ato mbetën të thara me pak përjashtime.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz