Nisur nga ngjarja e rëndë, ndodhur në Bankën e Shqipërisë, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar nisjen e hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të Guvernatorit të Bankës së Shqipërise, zotit Ardian Fullani, Zv.Guvernatorëve, Anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës si dhe të gjithë drejtuesve të tjerë të Bankës së Shqipërisë pa përjashtim. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshortët e tyre dhe fëmijët, si dhe personat e lidhur me ta.
Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar grupin hetimor të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit, median dhe shoqërinë civile dhe ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.
Rezultatet e hetimit administrativ do t’i referohen rast pas rasti organit të Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.
Pak kohë më parë Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së në mbledhjen e posaçme deklaroi se përvetësimi i parave kishte ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional ku kryhen veprimet e përditshme me cash-in. Në këtë hallkë, mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre.
Për vjedhjen e 713 milionë lekëve aktualisht janë të arrestuar 9 persona. Procesverbalet e Bankës së Shqipërisë janë dorëzuar në prokurori, por organi i akuzës ka kërkuar të tërheqë dokumentet që kanë çuar në përcaktimin e shumës së vjedhur.
Gjithashtu Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga bankat e nivelit të dytë që të bllokojnë llogaritë e të afërmëve të dy personavë kryesorë të arrestuar për këtë megaskandal, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.