Ilir Meta është zyrtarisht Presidenti i ri i vendit pas betimit në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë të posaçme plenare, të cilën e drejtoi nënkryetarja e Kuvendit, Valentia Leskaj.
Pas betimit në Kuvend, Meta vijoi rrugën në Presidencë ku u zhvillua ceremonia e dorëzimit të detyrës nga Presidenti Bujar Nishani.
Më herët gjatë ditës në Kuvend ai tha se, në themel të punës së tij do të jetë zbatimi i Kushtetutës, konsensusi dhe gjithëpërfshirja.
“Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale” tha ai.
Më tej Meta tha se “gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian”.
Meta lindi më 24 mars të vitit 1969 në Skrapar, Shqipëri. U diplomua për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ilir Meta ka përfunduar Studimet Pasuniversitare në të njëjtën fushë. Meta është që prej 15 viteve deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare. Sipas të dhënave nga Civia zyrtare e zotit Meta, ai është një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH) në Partinë Socialiste të Shqipërisë, duke dhënë kontributin e tij për anëtarësimin e Forumit në internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjate viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Nënkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001).
1993 – 2003 Anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
1993 – 1996 Nënkryetar i Partisë Socialiste të Tiranës dhe Sekretar Ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe, u vendosen marrëdhëniet me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Europës, si dhe me Partine Socialiste Europiane dhe Internacionalen Socialiste.
1997 – 1998 Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.
2004 – 2005 Themelon Lëvizjen Socialiste për integrim dhe zgjidhet një vit më vonë në Krye të saj sipas parimit “Një anëtar, një votë”. LSI fitoi 5 mandate pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2005.
2012 Rizigjidhet si Kryetar i LSI gjatë konventës Kombëtare Zgjedhore sipas parimit ‘Një Anëtar, Një Votë’.
Pozicionet Shtetërore
1996 – 1997 Zv. Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit.
1998 Sekretar Shteti për Integrimin Europian pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
1998 – 1999 Zv. Kryeministër dhe Ministër i Koordinimit.
Nëntor 1999 Zgjidhet Kryeministër i Shqipërisë dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në qershor 2001, fiton një mandat të dytë deri në shkurt 2002. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ndërmori një seri reformash të rëndësishme, duke u bërë pjesë e Procesit të Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian.
2004 – 2006 Anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i cili përgatiti disa rekomandime të rëndësishme për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Komisioni drejtohej nga ish Kryeministri italian Giuliano Amato.
2009 – 2011 Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, dhe më pas Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.
213-2016- Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
Në mars 2012, ilir Meta u nderua me titullin “Personaliteti më Pozitiv në Politikën e Jashtme për 2010”, akorduar prej institutit Ndërkombëtar për Studimet mbi Lindjen e Mesme dhe Ballkanin iFIMES. Çmimi iu dorëzua z. Meta nga ish Presidenti i Kroacisë Stjepan Mesic gjatë një ceremonie në Lubljanë, Slloveni.
Ilir Meta ka dhënë leksione në Fakultetin Ekonomik të UT dhe gjithashtu në disa universitete ndërkombëtare si Universiteti i Harvardit, Shkolla Ekonomike e Londrës (LSE), Akademia Evropiane në Berlin.
Ilir Meta është i martuar me Znj. Monika Kryemadhi, Deputete dhe Anëtare e Komisionit të integrimit Evropian në Kuvend, tani Kryetare e Lëizjes Socialiste për Integrim. Kanë dy vajza dhe një djalë, Borën, Erën dhe Besarin.
Zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.