Presidenti i Amerikës, Donald Trump, i ka kërkuar FBI-së të ndalojë hetimin mbi Russiagate.
Një shënim i Comey-it e rëndon edhe më shumë implikimin e Presidentit Trump. Në lidhje me një fakt të tillë, McCain shprehet se kjo situatë po merr të njëjtat përmasa si skandali Watergate.
Publikimi i ri në gazetën “New York Times” ishte goditja e radhës për Trump-in, i cili po del gjithnjë e më shumë i implikuar me rusët. Në artikullin e publikuar shkruhet se Presidenti i ka kërkuar James Comey-t, drejtorit të FBI-së, të ndalojë hetimin mbi Michael Flynn, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, i përfshirë në skandalin Russiagate.
Ky informacion ndodhet në bllokun me shënime të mbajtura nga Comey, gjatë takimit me Presidentin në Shtëpinë e Bardhë.
Ky takim u mbajt më 14 shkurt dhe menjëherë pas kësaj date, Flynn dha dorëheqjen.
Pse është kaq i rëndësishëm shënimi i Comey-t
Shënimi i Comey-t, i cili u pushua nga Trumpi më 9 maj të këtij viti, është shumë i rëndësishëm sepse është një provë e presionit të ushtruar nga Presidenti Trump mbi Departamentin e Drejtësisë dhe mbi FBI-në, për të ndaluar hetimet mbi zbardhjen e raporteve në lidhje me implikimin e anëtarëve të administratës Trump me Rusinë.
Vetëm disa orë pas publikimit të artikullit në New York Times, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington që mbikëqyr FBI-në e SHBA-së, i ka kërkuar kësaj të fundit që t’i dorëzojë të gjithë dokumentet, shënime, përmbledhje dhe regjistrime, në lidhje me diskutimet midis Trump-it dhe Comey-it.
Një kërkesë e tillë është konfirmuar edhe nga Jason Chaffetz, presidenti i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, ku kjo e fundit po mbikëqyr hetimet për Russiagate. Një kërkesë e tillë është konfirmuar edhe nga republikani Paul Ryan.
Sipas artikullit të publikuar nga New York Times, në shënimin që Comey kishte mbajtur nga fjalët që i kish thënë Trump gjatë takimit ishte: “Shpresoj që t’i shikosh gjërat sa më qartë të jetë e mundur dhe të heqësh dorë nga gjërat e parëndësishme, të heqësh dorë nga Flynn, ta lësh atë të qetë. Ai është një njeri i mirë. Shpresoj se mund ta kuptosh një gjë të tillë!