Inceneratori i Tiranës tashmë është në një fazë të re dhe gjithmonë e më afër realizimit në kushtet kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar vijimin e procesit të shpronësimit për pasuritë që preken nga ky projekt. Në një kërkesë të firmosur nga zëvendësministri Artan Shkreli renditen edhe emrat e personave që shpronësohen, sipërfaqet si dhe detajet për funksionon e truallit. Në total janë të paktën 95 parcela që preken nga procesi me një vlerë prej 322 milionë lekë.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpall kërkesën për shpronësim, për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, ‘Për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike’.
Subjekti kërkues i këtij projekti është shoqëria koncesionare ‘Integrated Eregy BV SPV’ sh.p.k. Me anë të këtij publikimi, kërkojmë të vëmë në dijeni personat të cilët preken nga ky shpronësim, për masën e vlerësimit të llogaritur në bazë të vendimit nr. 89, datë 3.2.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në republikën e Shqipërisë”, për llogaritjen e vlerës së ‘tokë arë’, për pronarët sipas listës emërore bashkëlidhur. Vlera totale e shpronësimit është 322 585 280 (treqind e njëzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë) lekë” thuhet në kërkesën që mban datën 10 gusht 2018.
Nga listat e shpronësimeve bashkëngjitur kërkesës së ministrisë rezulton që të paktën 60 parcela të jenë me detaje të sakta mbi pronësinë, kufizimet apo orientimin e përdorimit të truallit ndërkohë që për pjesën e mbetur prej 35 nuk ka informacion mbi pronësinë.
Inceneratori i Tiranës u dha si projekt koncesionar vitin e kaluar në një garë ku fituese u shpall ‘Integrated Eregy BV SPV, kompania zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Integrated Energy B.V. e regjistruar në Holandë. Kompania fitoi në garën për koncesionin e nderimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese në Tiranë me një ofertë 128 milionë euro pa TVSH. Afati i koncesionit është 30 vjet.
Inceneratori i Tiranës është një nga tre projektet e kësaj natyre në vendin tonë ku i pari ishte ai i Elbasanit, i Albtek Energy me një kosto totale prej 5.3 miliardë lekë tashmë në gjendje pune, i dyti inceneratori i Fierit me një kosto 3.97 miliardë lekë.
Kapaciteti total mesatar i përpunimit për të tre inceneratorët llogaritet në rreth 1000 tonë në ditë, ose rreth 130 kg për frymë në vit duke e renditur Shqipërinë në vendet me nivelin më të lartë të përpunimit por më të ulët të gjenerimit të mbetjeve që janë lënda e parë e inceneratorëve. http://www.monitor.al/cfare-fshihet-pas-super-inceneratoreve-kapaciteti-per-fryme-ne-shqiperi-4-larte-se-ne-itali/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.