Indeksi i Çmimeve të Importit regjistroi ulje në tremujorin e tretë të këtij viti. Instituti i Statistikave vlerëson se kjo rënie në korrik-shtator është 1.7% më pak se njëjta periudhë e një viti më parë, ndërkohë që në krahasim me tremujorin e dytë të këtij viti, ky indeks ishte 0.8% më pak.
Ulja duket se i atribuohet çmimeve të importit të produkteve në aktivitetet e industrisë përpunuese, e cila zë peshën më të madhe në Indeksin e Çmimeve të Importit, duke regjistruar një vlerë 1,9% më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
“Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë çmimet e importit të produkteve në aktivitetet “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 4,5 %, “Prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 2,2 %, “Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve” me 1,3 %” vlerëson INSTAT.
Segmenti që ka regjistruar rritje në indeks është ai i produkteve të importuara dhe të lidhura me aktivitetin “Nxjerrja e mineraleve të tjera nga minierat dhe karrierat” që ka shënuar rritje me 0,3 %.
“Çmimet e Importit në seksionin “Industria Nxjerrëse” pësuan rënie me 0,7 %, krahasuar me tremujorin paraardhës. Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e importit në seksionin “Industria Përpunuese” kanë shënuar ulje me 1,0 %. Brenda kësaj industrie ndikimin më të madh e kanë dhënë uljet e çmimeve të importit të produkteve në aktivitetet “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 0,8 %, “Prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 0,5 %, “Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve” me 1,2 %, krahasuar me tremujorin paraardhës” thuhet në raportin e INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.