Vendi ynë lë pas Maqedoninë dhe Bosnjën. Na e kalojnë Kroacia, Serbia, Bullgaria. Përmirësim i lehtë në raport me 2014-n…
Shqipëria renditet në vendin e 52 mes 133 shteteve përsa i përket indeksi të Progresit Social, një publikim i fundit ky i organizatës jo fitimprurëse amerikane “Social Progress Imperative”, me mbështetje ndërkombëtare. Me këtë renditje, Shqipëria pozicionohet në listën e vendeve me progres mbi mesataren (nga vendi i 31 në 56). Nga vendet e rajonit, me mirë se ne paraqiten Kroacia (37), Bullgaria (43), Serbia (45), Mali i Zi (48), Rumania (50), ndërsa lëmë pas Maqedoninë (53) dhe Bosnjën (59).
Për Shqipërinë, në vitin 2015 indeksi i prograsit social ishte 68.19 (nga 0 në 100), me një përmirësim ë lehtë në krahasim me indeksin e rishikuar për vitin 2014 prej 67.19. 2014-a është dhe viti i parë kur është llogaritur ky lloj indeksi.
Indeksi i progresit social tregon mirëqenien e njerëzve dhe merr në konsideratë nevojat bazë të njerëzve. Tre elementet ku bazohet kjo renditje janë:
-nevojat bazë humane (ushqyerja dhe kujdesi bazë mjekësor, uji dhe kanalizimet, strehimi, siguria personale);
-Parimet e mirëqenies (Qasja në njohuri themelore, Qasja në Informacion dhe Komunikacion, Shëndeti dhe mirëqenia, qëndrueshmëria e ekosistemit);
– Mundësitë (Të drejtat personale; Liria personale dhe e zgjedhjes; Toleranca dhe Përfshirja;Qasja në arsim të avancuar)
Sipas raportit, në dimensionin e nevojave bazë humane Shqipëria ka një ecuri më të mirë në ushqyerjen dhe kujdesin bazë shëndetësor dhe ka shumë mundësi të përmirësohet në komponentin e sigurisë personale. Në dimensionin e parimeve të mirëqenies Shqipëria renditet më mirë në Aksesin për njohuritë bazë, por mbetet prapa në elementin e qëndrueshmërisë së ekosistemit. Në Dimensionin e Mundësive, Shqipëria është më e fortë në të drejtat personale dhe ka hapësirë për t’u përmirësuar në qasjen në ersim të avancuar.
Këtë vit, renditja e 10 më të mirëve në këtë tregues është si më poshtë: Norvegjia, Suedia, Zvicra, Islanda, Zelanda e Re, Kanada, Danimarka, Finlanda, Holanda dhe Australia.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.