Revista “Monitor" doli për herë të parë në treg në dhjetor të vitit 2000.
Tregu shqiptar në të cilin qarkullojnë mjaft gazeta e revista, të cilat më së shumti trajtonin temat politike, nuk kishte një botim të ngjashëm, që t’i jepte atij informacionin dhe analizën ekonomike. Në këtë drejtim “Monitor” ka meritën e të parës revistë ekonomiko-financiare. Revista dilte në qarkullim çdo dy javë, ditën e mërkurë. Stafi i revistës përbëhej nga një numër i kufizuar punonjësish (Për revistën në numrat 1-4 punuan: Bardhi Sejdarasi, Irma Shagla, Elida Reçi, Dritan Kuko dhe Edmond Leka).
Janar 2001: Viti i parë i botimit i revistës “Monitor”.
Në këtë vit u riorganizua stafi i revistës me qëllim që të sigurohej jo vetëm përgatitja cilësore e saj, por të ruhej etika dhe saktësia në komunikimin e informacionit. Kjo e fundit përbënte një detyrë jo fort të lehtë po të kemi parasysh tregun shqiptar të prirur përgjithësisht nga lajmi spekulativ. Gjithashtu u emërua Këshilli Botues i revistës.
Kryeredaktor: Bardhi Sejdarasi
Drejtor Ekzekutiv: Irma Shagla
Redaktorë: Ornela Liperi
Bashkëpunëtorë: Artan Gjata, Maksim Sinemati, Erma Zagorçani, Gjergj Filipaj.
Këshilli botues: Arben Ahmetaj, Ardian Fullani, Artan Hoxha, Albert Gajo, Elida Reçi, Floreta Luli-Faber, Florjon Mima, Genc Boga, Genc Myftiu, Greta Minxhozi, Ismail Beka, Jeton Hajdaraj, Maksim Caslli, Mimoza Dhëmbi, Teuta Baleta.
Qershor 2001: Për herë të parë revista "Monitor" shoqërohet me suplementin “Bankat në Shqipëri” ku jepet një analizë e gjerë e sistemit bankar shqiptar.
Dhjetor 2001: Revista "Monitor" shoqërohet me suplementin “Euro”, në të cilin trajtohet një ngjarje shumë e rëndësishme historike dhe ekonomiko-financaire, ajo e hyrjes fizikisht në qarkullim të monedhës së përbashkët europiane, euro.
Janar 2002: Viti i dytë i botimit i revistës “Monitor”.
Shkurt 2002: Numri 30 i revistës “Monitor” përgatitet duke pasur si drejtor ekzekutiv Anesti Tili
Gusht 2002: Numri 44 i revistës “Monitor” përgatitet duke patur si redaktore përgjegjëse Ornela Liperi. Përveç kësaj, për herë të parë revista përgatitet me konsulencë të këshilltarit të etikës, Gëzim Podgorica. Nevoja për të rritur më tej cilësinë dhe etikën e shkrimeve dhe për ta kthyer në element identifikues për revistën bëri të domosdoshme këtë hap.
Nëntor 2002: Numri 50 i revistës “Monitor” përgatitet duke patur si kryeredaktore Ornela Liperi, redaktor Gjergj Erebara dhe gazetare Silvana Sinaj.
Janar 2003: Viti i tretë i botimit i revistës“Monitor”. Revista “Monitor” botohet çdo javë. Nevoja për të transmetuar më shumë informacion dhe analiza ekonomike tek lexuesit dhe interesi në rritje i tyre për mesazhet e përcjella prej revistës “Monitor”, bën të nevojshme rritjen e shpeshtësisë me të cilën revista do të gjendej në tregun shqiptar.
Tetor 2003: Revista “Monitor” shoqërohet me suplemenetin “Banka më e mirë” (nr. 94, 22 tetor 2003). Për herë të parë në Shqipëri dhe për revistën u bë vlerësimi dhe renditja e bankave tregtare në vend. Vlerësimi u përgatit në bazë të kritereve të përzgjedhura dhe të klasifikuara nga vetë revista. Një vlerësim i tillë do të përgatitet dhe publikohet çdo vit. Për vitin 2002 revista shpalli si më të mirën në tregun shqiptar Bankën Alpha.
Dhjetor 2003: Revista “Monitor” (nr. 103, 24 dhjetor 2003) shoqërohet me suplementin “Shkrimet më të mira të vitit 2003”. Në suplement përmblidhen shkrimet më të mira të botuara në revistën “Monitor” gjatë vitit 2003. Për herë të parë revista shpall shkrimin dhe editorialin më të mirë të vitit 2003:
- Shkrimi më i mirë: “Si u shit INSIG”, botuar në “Monitor”, nr. 90, 24 shtator 2003 me autorë Ornela Liperi dhe Gjergj Erebara.
- Editoriali më i mirë: “Në garë për 71900 lekë rrogë!”.
Janar 2004: Viti i katërt i botimit i revistës“Monitor”.
Mars 2004: Revista “Monitor” (nr. 114, 24 mars 2004) shoqërohet me suplementin “Tregtia e lirë: Gati apo jo, sfida ka nisur”. Në suplement përmblidhen shkrime të botuara në revistë dhe që trajtojnë çështjen e tregtisë së jashtme të Shqipërisë si dhe materiale të pabotuara më parë nga Qendra për Tregtinë Ndërkombëtare. Suplementi u përgatit nga Media Union me mbështetjen financiare të Media Union, “ACIT-Qendra për Tregtinë Ndërkombëtare” dhe Programi i ndihmës së qeverisë gjermane për Shqipërinë “Gtz”. Suplementi synonte të kontribuonte në debatin që ka përfshirë rrethet e ekonomistëve mbi të ardhmen e tregtisë së jashtme në Shqipëri dhe sidomos mbi përfitimet prej tregtisë së lirë.
Maj 2004: Revista “Monitor” (nr. 121, 12 maj 2004) shoqërohet me suplementin “Vrojtimi mbi ekonominë shqiptare, prill 2004”. Në suplement përmblidhen rezultatet e vrojtimit të një grupi ekonomistësh shqiptarë mbi zhvillimin dhe tendencat e ekonomisë shqiptare. Suplementi u përgatit nga Media Union me mbështetjen financiare të Programi i zhvillimit ekonomik të Gtz. Suplementi synonte të kontribuonte në shpërndarjen e informacionit dhe analizave mbi ekonominë shqiptare. Në ndryshim nga suplementët e tjerë, ky do të jetë një botim periodik (çdo tre muaj).
Maj 2004: Revista “Monitor” (nr. 122, 19 maj 2004) shoqërohet me broshurën “Çfarë është banka?”. Në broshurë shpjegohet me gjuhë të thjeshtë institucioni i bankës dhe funksionet e saj. Broshura u përgatit nga Media Union me mbështetjen e Shoqatës së Bankave Shqiptare dhe Institutit për Studime dhe Asistencë Bankare si dhe me mbështetjen financiare të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, OSFA (Soros). Broshura është përgatitur në kuadër të programit për edukimin e popullatës me çështje të natyrës së ekonomisë dhe financës.
Maj 2004: Revista "Monitor" në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave Shqiptare dhe Institutin për Studime dhe Asistencë Bankare organizoi ceremoninë e prezantimit të broshurave "Çfarë është banka?" dhe "Të mësojmë për kreditë dhe depozitat" në praninë e komunitetit të bankierëve, biznesmenëve dhe akademikëve.
Maj 2004: Revista “Monitor” (nr. 123, 26 maj 2004) shoqërohet me broshurën “Të mësojmë për kreditë dhe depozitat”. Në broshurë shpjegohen me gjuhë të thjeshtë dy funksionet bazë të bankës: depozitimi dhe kreditimi si dhe mekanizmi i llogaritjes së normës së interesit. Kjo broshurë është përgatitur për t’i shërbyer një grupi më pak të kualifikuar lexuesish dhe në ndryshim nga broshura “Çfarë është banka?” është e shoqëruar me vizatime. Broshura u përgatit nga Media Union me mbështetjen e Shoqatës së Bankave Shqiptare dhe Institutit për Studime dhe Asistencë Bankare si dhe me mbështetjen financiare të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, OSFA (Soros). Broshura është përgatitur në kuadër të programit për edukimin e popullatës me çështje të natyrës së ekonomisë dhe financës.
Qershor 2004: Revista “Monitor” (nr. 128, 30 qershor 2004) shpall "Banka e vitit 2003". Për herë të parë në Shqipëri dhe për revistën vlerësimi dhe renditja e bankave tregtare në vend u bë në vitin 2003. Vlerësimi është vjetor dhe përgatitet në bazë të kritereve të përzgjedhura dhe të klasifikuara nga vetë revista. Për vitin 2003 revista shpalli si më të mirën në tregun shqiptar Bankën Amerikane të Shqipërisë.
Korrik 2004: Në ambjentet e hotel "Rogner Europapark" revista "Monitor" organizoi ceremoninë e dorëzimit të çmimit "Banka e vitit 2003" Bankës Amerikane të Shqipërisë në praninë e drejtuesve dhe punonjësve të bankës, të biznesmenëve dhe të bankierëve si dhe të lexuesve dhe miqve të revistës.
Gusht 2004: Revista “Monitor” (nr. 133, 4 gusht 2004) shoqërohet me suplementin “Vrojtimi mbi ekonominë shqiptare, korrik 2004”, botim tremujor. Për tremujorin e dytë të vitit 2004, ekonomistë shqiptarë e vlerësojnë ekonominë shqiptare si të kënaqshme. Megjithatë, ata vërejnë se pritshmëritë pozitive janë në zbehje.
Shtator 2004: Revista “Monitor” për herë të parë publikohet në faqe interneti në adresën ëëë.monitor.com.al.
Nëntor 2004: Revista “Monitor” (nr. 147, 9 nëntor 2004) shoqërohet me suplementin “Vrojtimi mbi ekonominë shqiptare, tetor 2004”, botim tremujor. Për tremujorin e tretë të vitit 2004, ekonomistë shqiptarë ende e vlerësojnë ekonominë shqiptare si të kënaqshme. Megjithatë, ata vërejnë se pritshmëritë pozitive janë në zbehje dhe kjo tendencë ka ardhur duke u forcuar.
Dhjetor 2004: Për herë të parë revista “Monitor” botohet edhe në gjuhën angleze. Duke filluar nga 1 dhjetori 2004, çdo muaj do të dalë në qarkullim edicioni “Monitor in English” me përmbledhjen e artikujve më të mirë, më interesantë dhe më të kërkuar të muajit. Ky edicion destinohet kryesisht për bashkësinë e të huajve që jetojnë në Shqipëri dhe që gjithnjë e më shumë po shfaqin interes për informacionin në fushën ekonomike si dhe për të tjerë studjues e biznese jashtë Shqipërisë.
Dhjetor 2004: Revista “Monitor” boton “Shkrimet më të mira të vitit 2004”, si një përmbledhje e shkrimeve më të mira të botuara në revistën “Monitor” gjatë vitit 2004, duke vijuar kështu traditën e nisur në dhjetor 2003. Si shkrimi dhe editoriali më i mirë i vitit 2004 u konsideruan:
- Shkrimi më i mirë: “Eksportuesit: Ja sa humbim nga kursi i këmbimit”, botuar në “Monitor”, nr. 132, 28 korrik 2004 me autorë Ornela Liperi dhe Silvana Sinaj.
- Editoriali më i mirë: “Eremiti Frrok doli nga shpella”.
Janar 2005: Revista “Monitor” (nr. 157, 26 janar 2005) shoqërohet me suplementin “Shqipëria hap dyert”. Në suplement përmblidhen një sere artikujsh, analizash dhe intervista të palëve të ndryshme të interesuara për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Suplementi prej 52 faqesh u përgatit nga Media Union me mbështetjen financiare të Programit të ndihmës së qeverisë gjermane për Shqipërinë “Gtz” dhe u bashkërendua prej Denalda Kuzumit. Suplementi synonte të kontribuonte në debatin e nxitur mbi të ardhmen e sektorit të turizmit në Shqipëri dhe sidomos mbi shndërrimin e turizmit në një industri të mirëfilltë me përfitime për ekonominë shqiptare.
Mars 2005: Revista “Monitor” (nr. 163, 9 mars 2005) shoqërohet me suplementin “Vrojtimi mbi ekonominë shqiptare, janar 2005”, botim tremujor. Për tremujorin e katërt të vitit 2004, ekonomistë shqiptarë e vlerësojnë ekonominë shqiptare si të kënaqshme, por pritshmëritë pozitive janë në zbehje.
Qershor 2005: Revista “Monitor” (nr. 179, 29 qershor 2005) shoqërohet me suplementin “Vrojtimi mbi ekonominë shqiptare, tremujori i parë 2005”, botim tremujor. Për tremujorin e parë të vitit 2005, ekonomistë shqiptarë e vlerësojnë ekonominë shqiptare si të kënaqshme. Për vitin 2005, sipas tyre, pritet një rritje reale ekonomike prej 5%, nga 6% vlerësimi zyrtar, dhe një normë mesatare inflacioni prej 3.6%.
Gusht 2005: Revista “Monitor” (nr. 188, 31 gusht 2005) shoqërohet me suplementin “Vrojtimi mbi ekonominë shqiptare, tremujori i dytë 2005”, botim tremujor. Ekonomistët shqiptarë e vlerësojnë ekonominë shqiptare në tremujorin e dytë të vitit 2005, si të kënaqshme. Indeksi I klimës së përgjithshme ekonomike të vendit mbeti në të njëjtin nivel me atë të vrojtimit të kaluar. Indeksi rezultoi 108.8 nga 108.3 që ishte në vrojtimin e kaluar. Për vitin 2005, sipas tyre, pritet një normë mesatare inflacioni prej 3.7%. Zgjedhjet e mbajtura në fillim të muajit korrik të vitit 2005, dhe sidomos programi i parashtruar nga forca politike fituese kanë përcaktuar ndjeshëm pritshmëritë për 6 muajt e ardhshëm. Më e spikatur është pritshmëria për reduktim të ndikimit negativ të paqëndrueshmërisë politike në klimën për investitorët e huaj.
Dhjetor 2005: Revista “Monitor” mbush 5 vjeç. Prej 5 vjetësh revista kontribuon në tregun e mediave në Shqipëri duke qenë njëkohësisht e vetmja e përjavshme ekonomike.
Janar 2006: Revista “Monitor”, botimi në gjuhën shqipe publikohet me më shumë faqe. Çdo javë lexuesi merr më shumë informacion nëpërmjet 60 faqeve të “Monitor”, duke paguar të njëjtin çmim.
Shtator 2006: Revista “Monitor” është partnere lokale e revistës së mirënjohur botërore “The economist” në konferencën “Identifikimi i mundësive për biznes”, organizuar nga grupi i konferencave i The Economist. Me këtë rast, Monitor botoi suplementin prej 52 faqesh në shqip dhe anglisht “Gjeni biznesin tuaj”, ku jepej një pasqyrë e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare me të dhëna specifike, si volumi vjetor i të ardhurave të sektorit, ndarja e tregjeve sipas kompanive, konsumi për frymë për produkte të caktuara etj. Suplementi përfshinte dhe një panoramë mbi normat e fitimit në ekonomi, duke konstatuar se sektorët më fitimprurës janë t elekomunikacioni dhe bankat.
Dhjetor 2006: Revista Monitor, me mbështetjen e projektit GTZ boton suplementin informativ lidhur me tarifat e reja doganore, që do të aplikohen pas nënshkrimit të marrëveshjes Interim mes Shqipërisë dhe Bashkimin Europian, duke e harmonizuar këtë informacion me implikimet nga Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me vendet e Rajonit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Njëkohëisht në atë numër u botua dhe një shkrim special lidhur me implikimet e mundshme të biznesit shqiptar nga hapja tërësore e tregjeve.
Prill 2007: Revista Monitor tashmë është e pranishme në treg me 68 faqe. Rritja e interesit të biznesit për literaturën ekonomike dhe nevoja e redaksisë për të shtuar rubrikat diktuan këtë shtim të numrit të faqeve të revistës. Rubrika të reja iu shtuan revistës, si një përmbledhje e lajmeve nga rajoni (në përgjigje të kërkesës së bizneseve për të pasur më shumë informacion mbi tregjet në rajon) apo dhe rubrika guidë për ide menaxhimi që synon të sjellë te lexuesi i specializuar i “Monitor” njohuri mbi praktikat më të mira bashkëkohore të menaxhimit. Njëkohësisht Monitor gjithnjë synon të rrisë cilësinë e shkrimeve që botohen dhe me shtimin e përvojës dhe krijimin e serive historike të të dhënave për sektorë të ndryshëm të ekonomisë të shndërrohet në një revistë tërësisht analitike.