India po humb magjinë ekonomike

03/04/2012 2:14 PM 0 komente

India është një tokë e numrave të mëdhenj: një vend me mbi 1 miliard njerëz, një milion etni dhe mijëra gjuhë të ndryshme.

Por nuk është e tepërt të thuash se që nga pavarësia në 1947-n ka pasur dy lloje të ekonomisë indiane, shkruan The Economist.

E para prodhoi një rritje të plogësht, me barriera për biznesin dhe burokraci të shumta. E dyta shënoi një ringjallje graduale pas liberalizimit në vitet 1990,

ndërsa në mesin e viteve 2000 India ishte toka e optimizmit në rritje—e hapur dhe plot me sipërmarrës, që tejkaluan sektorin shtetëror, i cili ishte i paqëndrueshëm.

Vendi iu gëzua një rritje vitale, në sajë të demografisë së përshtatshme, firmave novatore, reformave graduale dhe vullnetit për të kursyer dhe investuar.

Por kohët e fundit, ashtu si një batakçi i Bollivuditt që refuzon të vdesë, duket se India e vjetër po rishfaqet në mënyrë të tmerrshme. Arsyeja kryesore është politika e dëshpëruar e vendit.

 

Rikthim në të kaluarën?!

 

Përshpejtimi tendencës rritëse të ekonomisë, nga një mesatare prej rreth 6% në fund të viteve 1980 në rreth 10% mund të duket modest.

Por i ekstrapoluar për disa dekada kjo normë premtonte të transformonte vendin dhe Azinë. Qindra milionë indianë mund t’i shpëtonin më shpejt varfërisë.

Firmat nga mbarë bota u intriguan nga perspektiva e një klase të re të mesme. Analistët strategjikë në Pentagon filluan ta shikonin Indinë si një superfuqi në pritje dhe një kundër- peshë demografike ndaj Kinës.

Nuk ka asnjë dyshim që ekonomia e Indisë do të vazhdojë të përmirësohet. Por këndi i trajektores ekonomike është ngushtuar.

Rritja u ngadalësua në 6.1% në tremujorin e kaluar. Edhe në rast, se ashtu siç pret qeveria, ritmet më të larta do të rikthehen, shumë njerëz shqetësohen se tendenca zgjeruese ka shumë të ngjarë që të jetë diku rreth 7 përqindëshit.

Tre episode të fundit ilustrojnë këtë tendencë. Së pari, qeveria njoftoi se më në fund do të hapte tregun jo eficient të tregtisë me pakicë tek firmat e huaja—vetëm për të ndryshuar mendje brenda pak ditësh.

Në mars, për të mbrojtur industrinë vendase, ajo ndaloi eksportin e pambukut, duke shqetësuar fermerët indianë dhe partnerët tregtarë; brenda pak ditësh u tërhoq.

Dhe pak ditë më parë, qeveria bëri një lëvizje që rrit fuqitë e Gjykatës Supreme dhe realizoi një ndryshim në kodin e taksave, që step investitorët e huaj.

Disa shqetësohen se rregullat e lojës, një nga përparësitë e Indisë, tashmë po e humbin magjinë e tyre.

Nuk është për t’u habitur që biznesi është stepur dhe investimet po bien. Barrierat për biznesin dhe korrupsioni, të cilët kanë qenë gjithnjë të pranishëm, duket se janë përkeqësuar

—gjatë zgjedhjeve të fundit shtetërore u shpërndanë aq shumë para, sa shkaktuan një problem likuiditeti në sistemin bankar. Si rrjedhojë, kjo ndikoi pjesërisht në nivelin e lartë të inflacionit.

Secili nga këto probleme lidhet me shtetin, ende i madh dhe i çmendur pas gjithë këtyre viteve. Pak, megjithatë, mendojnë se ai mund të reformohet me lehtësi.

Por shpresa ishte se pavarësisht kësaj, një sektor privat finok do ta mundësonte Indinë të shkonte drejt prosperitetit. Kjo pikëpamje tashmë duket romantike.

Nuk është vetëm një çështje e mungesës së shërbimeve publike, nga rrugët te energjia, për të cilat çdo ekonomi ka nevojë, veçanërisht nëse duhet të lulëzojë industria.

Kohët e fundit shteti ka gjetur shumë mënyra për të ngatërruar situatën.

Huamarrja pa fre e viteve të fundit (deficiti fiskal i Indisë po i afrohet 10% të PBB-së) ka nxjerrë jashtë loje sektorin privat në kredimarrje

dhe po e bën të vështirë për bankën qendrore që të ulë normat e interesit. Industritë e reja, që kishin arritur t’i shpëtonin burokracisë, tashmë po ndiejnë efektin.

Kjo skenë shkurajuese, nga ana e saj, mund të jetë shkaktuar nga dy probleme politike. Fragmentimi gradual i aleancave e ka bërë aritmetikën parlamentare tepër të nevojshme.

Partia e Kongresit, që ka qeverisur vendin që nga 2004-a, varet nga koalicionet partnere.

Qeveria nuk ka kaluar një reformë domethënëse për vite të tëra dhe duket e shqetësuar që të mbajë koalicionin të bashkuar deri në zgjedhjet kombëtare të vitit 2014.

Lloji i dytë i problemit politik ka të bëjë me ambicien e kufizuar. Buxheti i fundit nuk solli ndryshim të normave të taksave, kuotave të borxhit dhe tarifave doganore,

kur të gjitha këto konsiderohen si hapa të mëdhenj. Duke mos arritur të kryejnë reforma të tilla, që do të mundësonin krijimin e një tregu uniform për mallra dhe shërbime ,

duke mos luftuar monopolet shtetërore dhe interesat e mëdha në industritë si energjia, makina e burokracisë po e përshpejton ritmin.

Improvizimi i administratës po bëhet zëvendësues i reformave domethënëse për të hapur ekonominë.

Politikanët e Indisë e vënë theksin në faktin se një rritje prej 6% ose 7% është shumë më e shpejtë se në pjesën më të madhe të ekonomive.

Ashtu siç thuhet për Kinën, që ka nevojë për një rritje prej 8% që të ruajë stabilitetin social, India ndoshta ka nevojë për një zgjerim prej 6% ose më shumë që të mbajë qëndrueshmërinë financiare.

Një rritje më e ulët se kaq mund ta bëjë borxhin publik më të vështirë për t’u përballuar dhe të stepë kapitalin e huaj,

për të cilin India ka kaq shumë nevojë që të financojë deficitin e llogarisë korente dhe të paguajë për energjinë e importuar.

Dhe ndërsa për vendet e pasura, mosarritja e potencialeve të plota është një zhgënjim, për Indinë, të mbushur me të varfër dhe me kaq shumë nevojë për vende pune, kjo do të ishte një tragjedi.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of